Rregulloret dhe Financimi i Ujërave të Ndotur në fokus: SHUKALB nis trajnimin dy-ditor në Tiranë
7 Maj, 2025
Rregulloret dhe Financimi i Ujërave të Ndotur në fokus: SHUKALB nis trajnimin dy-ditor në Tiranë
Trajnerja Frosela Filo (në këmbë), Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë dhe pjesëmarrësit gjatë trajnimit. Foto nga SHUKALB
Në datat 23-24 prill, në Tiranë, SHUKALB zhvilloi me sukses trajnimin e specializuar me temë “Aspekte Rregullatore dhe të Financimit për Ujërat e Ndotur”. Trajnimi shënoi nisjen e programit më të gjerë për zhvillimin e kapaciteteve “Hyrje në Sistemet e Ujërave të Ndotura për Menaxherët dhe Inxhinierët” i zhvilluar nga SHUKALB në kuadër të projektit Rrjeti Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN).
Ky modul dy-ditor mblodhi përfaqësues të Shoqërive Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Berat, Durrës dhe Vlorë. Në fokus ishin përmirësimi i kuptimit mbi kuadrin ligjor e institucional që rregullon sektorin, sfidat e financimit dhe rritja e ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë e menaxhimit të ujërave të ndotur.
Prof. Enkelejda Gjinali (në këmbë), Universiteti Politeknik i Tiranës, me pjesëmarrësit gjatë një sesioni pune në grup. Foto nga SHUKALB
Trajnimi u udhëhoq nga Prof. Enkelejda Gjinali nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe znj. Frosela Filo nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë, të cilat sollën përvoja dhe ekspertizë të thelluar në menaxhimin e këtij sektori jetik. Përmes sesioneve interaktive, diskutimeve në grupe dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit trajtuan një sërë temash kyçe, përfshirë:
Vlerësimi i situatës aktuale të shërbimeve të kanalizimeve në Shqipëri;
Kuadri ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG) dhe direktivat e BE-së;
Strukturat institucionale dhe sfidat e riorganizimit të sektorit;
Burimet e financimit dhe mënyrat e vetëvlerësimit për njësitë e qeverisjes vendore;
Metodologjia për përcaktimin e tarifave të shërbimeve të trajtimit të ujërave të ndotur;
Strategjitë për përmirësimin e marrëdhënieve me klientët dhe ndërgjegjësimin publik.
Ky trajnim është pjesë e një programi të zgjeruar 8-ditor i cili do të vijojë me tematika të tjera si teknologjitë e reja në trajtimin e ujërave të ndotur, menaxhimi i projekteve infrastrukturore dhe shkëmbimi i praktikave të suksesshme në rajon.
Trajnimi u vlerësua shumë nga pjesëmarrësit për strukturën e qartë, qasjen praktike dhe mundësinë për bashkëpunim ndërinstitucional.