Delegacioni Shqiptar angazhohet aktivisht në Konferencën e Ujit të Danubit 2025 në Vjenë
5 Qershor, 2025
Delegacioni Shqiptar angazhohet aktivisht në Konferencën e Ujit të Danubit 2025 në Vjenë
Pjesëmarrës në Konferencën e Ujit të Danubit 2025 Foto nga IAWD
Konferenca e Ujit të Danubit 2025, e mbajtur nga 14 deri më 16 maj në Vjenë, mblodhi së bashku 216 pjesëmarrës nga 27 vende – përfshirë 15 vende të rajonit të Danubit dhe, për herë të parë, përfaqësues nga Azia Qendrore. Nën temën “Duke parë prapa, duke parë përpara”, eventi paraqiti mbi 60 folës dhe kontribues të shquar, të cilët trajtuan çështje urgjente dhe drejtime të ardhshme në sektorin e ujit.
Një delegacion i konsoliduar shqiptar mori pjesë në konferencë, duke përfshirë përfaqësues nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Enti Rregullator i Ujit (ERRU), kompani private dhe SHUKALB. Pjesëmarrja e tyre aktive nënvizoi angazhimin e Shqipërisë për të çuar përpara reformat në sektorin e ujit dhe për të ndarë praktikat më të mira rajonale.
Petrit Tare, Administrator i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë, gjatë prezantimit të tij Foto nga IAWD
Ndër folësit ne konferencë, ishte z. Petrit Tare, Administrator i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë dhe President i SHUKALB. Ai kontribuoi në sesionin me titull “Përtej mundësisë së shoqërive UK? Si të mbyllim hendekun e aksesit urban-rural”, të mbajtur më 16 maj 2025. Përmes prezantimit të tij, “Reforma e Rajonalizimit të Sektorit të Ujit në Shqipëri: Një perspektivë nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë”, z. Tare ndau njohuri mbi zbatimin e reformave kyçe në sektorin e ujit në Shqipëri. Ai u përqendrua në mënyrën se si shoqëria rajonale ujësjellës kanalizime Korçë ka zgjeruar me sukses shërbimet e saj në zonat rurale pas Reformës Administrative-Territoriale të vitit 2015 dhe Reformës së Rajonalizimit të vitit 2022, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë financiare të shoqërisë dhe nivelin e shërbimeve.
SHUKALB është krenar për kontributet e delegacionit shqiptar në këtë konferencë të rëndësishme rajonale dhe mbetet i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit dhe inovacionit në sektorin e ujit.