Përparimi dhe Sfidat e Shqipërisë në përshtatjen me Direktivën e Rishikuar për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane
3 Korrik, 2025
Përparimi dhe Sfidat e Shqipërisë në përshtatjen me Direktivën e Rishikuar për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane Një artikull nga Prof. Enkelejda Gjinali, Lektore, Departamenti i Inxhinierisësë Mjedisit, Universiteti Politeknik i Tiranës, Shqipëri
Prof. Enkelejda Gjinali, gjatë prezantimit të saj “Përvoja e Shqipërisë dhe sfidat e ardhshme në përputhje me Direktivën e rishikuar UWWTD”, në Konferencën e 12-të Ndërkombëtare të ADKOM, të mbajtur në Ohër më 11–13 qershor 2025 Foto nga ADKOM
Shqipëria ka shënuar përparime të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës së saj për menaxhimin e ujërave të ndotura dhe në përafrimin me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian, veçanërisht me Direktivën e rishikuar për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane (UWWTD). Teksa vendi vijon rrugën drejt integrimit në BE, trajtimi i ujërave të ndotura mbetet një fushë kyçe ku janë evidente si arritjet, ashtu edhe sfidat e vazhdueshme.
Direktiva fillestare 91/271/EEC, e cila fokusohet në mbledhjen, trajtimin dhe shkarkimin e ujërave të ndotura urbane, ka ofruar kornizën fillestare rregullatore. Në kuadër të saj, Shqipëria ka identifikuar 165 aglomerate për ndërhyrje të synuara në menaxhimin e ujërave të ndotur dhe ka përcaktuar 18 zona të ndjeshme që kërkojnë mbrojtje më të avancuar mjedisore. Parashikimet e bëra për vitin 2025 tregojnë se rreth 81% e ngarkesës së ujërave të ndotura urbane të Shqipërisë mblidhen, me 14 impiante për trajtimin e ujërave të ndotura (ITUN) që janë funksionale ose në ndërtim, duke shërbyer një kapacitet të kombinuar mbi 1.25 milionë banorë ekuivalent (BE). Plani afatgjatë parashikon ndërtimin e 114 ITUN deri në vitin 2050, duke dëshmuar angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e BE-së.
Një shtyllë kryesore e këtyre përpjekjeve është Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Llumit 2020–2050, e cila ofron një qasje të strukturuar për trajtimin e nënprodukteve të llumit që gjenerohen nga trajtimi i ujërave të ndotura. Strategjia thekson rëndësinë e e lëndëve ushqyese dhe të vlerësimit të llumit, duke e kthyer “mbetjen” në produkte të tregtueshme, duke kontribuar kështu në ekonominë qarkulluese.
Zhvillimet e fundit legjislative në BE, në veçanti rishikimi i UWWTD (2024/3019), theksojnë ambicien e BE për të arritur një mjedis me ndotje zero deri në vitin 2050. Kjo vendos kërkesa shtesë për ShaRajonale UK në Shqipëri, duke kërkuar jo vetëm zgjerim të infrastrukturës, por edhe përmirësim të efikasitetit operacional dhe performancës mjedisore.
Një shembull i suksesshëm i qasjes inovative të Shqipërisë mund të shihet në ITUN-in e Korçës. Monitorimi operacional nga viti 2010 deri më 2024, i kryer nga laboratorë të akredituar ndërkombëtarisht nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Shqipëria, dëshmon përputhshmëri me standarde të larta të cilësisë së llumit. Për më tepër, projekti pilot “Baçja e ITUN” në Korçë tregon potencialin për ripërdorimin bujqësor të llumit të trajtuar, duke promovuar rikuperimin e burimeve dhe mbështetur praktikat bujqësore lokale. Suksesi i këtij projekti, së bashku me prodhimin e energjisë prej rreth 1 MW nga fotovoltaikët në ITUN-in e Korçës, ilustron përfitimet konkrete të integrimit të trajtimit modern të ujërave të ndotura me energjinë e rinovueshme dhe parimet e ekonomisë qarkulluese.
Megjithë këto përparime, sfidat mbeten. Shkalla e zhvillimit të infrastrukturës së kërkuar deri në vitin 2050 është domethënëse, dhe përafrimi i praktikave kombëtare me kërkesat e reja dhe më të rrepta të BE-së do të kërkojë investime të mëdha, forcim të kapaciteteve institucionale dhe nisma për ndërgjegjësimin e publikut.
Megjithatë, përvoja e Shqipërisë pasqyron vendosmërinë dhe përparimin praktik në menaxhimin e ujërave të ndotura, duke ofruar mësime të vlefshme ndërsa vendi punon për të përmbushur detyrimet e tij mjedisore dhe për të siguruar burime ujore të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.