Himara drejt përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve
3 Korrik, 2025
Himara drejt përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve
Pjesëmarrës në inaugurimin e zyrave të reja të shërbimit ndaj klientit në Himarë Foto nga Shoqëria Rajonale UK Vlorë
Në Himarë po finalizohet programi zhvillimor “Zonat Rurale IV”, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm dhe të sistemit të kanalizimeve në zonat bregdetare dhe rurale. Ky projekt përfaqëson një bashkëpunim të gjerë mes Qeverisë Shqiptare, Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe partnerëve ndërkombëtarë si Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), Bashkimi Europian dhe Republika Federale e Gjermanisë.
Nisur katër vite më parë, programi po konkretizohet me investime që do të sjellin furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, sistemim dhe trajtim të ujërave të ndotura, si dhe rritje të kapaciteteve menaxheriale dhe teknike në shërbimet e ujësjellësit.
Gjatë takimit përmbyllës të mbajtur në Himarë, morën pjesë përfaqësues të partnerëve gjermanë, drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kryetari i Bashkisë Himarë, z. Vangjel Tavo, drejtori i Shoqërisë Rajonale UK Vlorë, z. Ermal Murati, si dhe specialistë nga ujësjellës kanalizime Vlorë dhe Himarë.
Kryebashkiaku Tavo e cilësoi takimin si një pikë kthese në rrugën drejt modernizimit të infrastrukturës jetike të Himarës. “Ky është një hap domethënës në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dhënë qytetit shërbime të standardeve europiane”, u shpreh ai.
Drejtori i Shoqërisë Rajonale UK Vlorë, Z. Ermal Murati (i pari majtas) dhe pjesëmarrës të tjerë gjatë inaugurimit të zyrave të reja të shërbimit ndaj klientit në Himarë. Foto nga Shoqëria Rajonale UK Vlorë
Nga ana e tij, drejtor Murati theksoi se Himara është shndërruar në një kantier ndërtimi, ku investimet për ujësjellësin dhe trajtimin e ujërave të ndotura janë thelbësore për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. “Qëllimi është i qartë: të mos ketë më ujëra të ndotura që derdhen në det të papërpunuara. Jemi të përkushtuar për një Himarë më të pastër dhe më të shëndetshme”, u shpreh z. Murati.
Në kuadër të këtij programi, janë inauguruar edhe ambientet e reja të shërbimit për qytetarët dhe bizneset në qytetin e Himarës. Zyrat, të vendosura në adresën: Rruga “Vangjel Zoto”, lagjja “Marac”, Potam, ofrojnë tashmë shërbime për pagesat, ankesat dhe informacionin mbi furnizimin me ujë.
Një zyrë e re është hapur edhe në Dhërmi, ndërsa në ditët në vijim pritet të çelet edhe zyra në Borsh, duke zgjeruar më tej qasjen e komunitetit ndaj shërbimeve publike.
Sipas z. Murati, këto investime nuk janë vetëm përmirësime fizike, por një angazhim konkret për t’i ofruar qytetarëve një shërbim dinjitoz dhe të besueshëm.
Eventi përmbyllës për përfundimin e programit të zhvillimit “Zonat Rurale IV” Foto nga Shoqëria Rajonale UK Vlorë