Z. Flauers Shoshi emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve
8 Korrik, 2025
Z. Flauers Shoshi emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve
SHUKALB i shpreh urimet e përzemërta z. Flauers Shoshi me rastin e emërimit të tij si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK). Ky emërim vjen pas një karriere të konsoliduar brenda AKUK, ku ai ka mbajtur disa pozicione përgjegjëse, përfshirë atë të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, duke reflektuar vazhdimësinë e lidershipit të tij profesional në sektorin e ujit.
Z. Shoshi mban një diplomë Master Shkencor në Inxhinieri Hidraulike nga Universiteti Politeknik i Tiranës si dhe Mastër në Qeverisjen Vendore ku ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në zhvillimin dhe rregullimin e infrastrukturës publike dhe shërbimeve të ujit në Shqipëri. Gjatë viteve, ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në një sërë iniciativash kyçe që synojnë përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë duke hartuar një sërë projektesh që kanë ndikuar në përmirësimin e Furnizimit me Ujë si dhe menaxhimin e ujërave të ndotura, me fokus të veçantë në forcimin institucional, zhvillimin e politikave dhe përafrimin me standardet evropiane.
Në rolet e tij të mëparshme në AKUK dhe institucione të tjera publike, z. Shoshi ka treguar një qasje të orientuar drejt rezultateve dhe një kuptim të thellë të sfidave teknike dhe administrative me të cilat përballet sektori.
Përveç angazhimit të tij në administratën publike, z. Shoshi ka qenë aktiv edhe në komunitetin e SHUKALB, përmes pjesëmarrjes në evente të rëndësishme të sektorit, forume diskutimi dhe konferenca brenda dhe jashtë vendit. Kontributi i tij ka ndihmuar në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.
SHUKALB e përgëzon z. Shoshi për këtë arritje të rëndësishme profesionale dhe shpreh besimin në bashkëpunimin e vazhdueshëm me AKUK nën udhëheqjen e tij, drejt synimit të përbashkët për një sektor uji më të fortë, të qëndrueshëm dhe efiçent në Shqipëri.