Prezantohet Operator i Ri Kombëtar i Ujit: Faza e dytë e reformës në sektorin Ujësjellës‑Kanalizime nis në janar 2026
9 Shtator, 2025
Prezantohet Operator i Ri Kombëtar i Ujit: Faza e dytë e reformës në sektorin Ujësjellës‑Kanalizime nis në janar 2026
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Zv. Kryeministrer, Belinda Balluku, gjatë Konferencës për Shtyp më 3 shtator 2025
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht Zv. Kryeministre, Belinda Balluku, njoftuan në datë 3 shtator në një konferencë për shtyp krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit dhe fillimin e fazës së dytë të reformës në sektorin e ujësjellës‑kanalizimeve. Ky hap konsiderohet një moment i rëndësishëm për modernizimin e menaxhimit të burimeve ujore dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Operatori Kombëtar i Ujit do të marrë përgjegjësinë për prodhimin e ujit, duke përfshirë menaxhimin e burimeve ujore strategjike, rezervuarëve kryesorë dhe impianteve të trajtimit të ujit të pijshëm, siç janë Bovilla dhe Maskuria. Shoqëritë Rajonale Ujësjellës Kanalizime do të vazhdojnë të shpërndajnë ujin dhe të ofrojnë shërbim tek abonentët, duke siguruar një ndarje funksionale midis prodhimit dhe shpërndarjes.
Faza e parë e reformës, e nisur në vitin 2021, bashkoi 58 shoqëri UK lokale në 15 shoqëri rajonale. Si rezultat, janë lidhur mbi 100,000 abonentë të rinj, janë reduktuar lidhjet e paligjshme dhe nëntë shoqëri rajonale nuk kanë më detyrime ndaj operatorëve të energjisë. Megjithatë, humbjet e ujit vazhdojnë të jenë të larta në disa zona, duke treguar sfidat e vazhdueshme të sektorit.
Në fazën e dytë, masat kryesore të reformës do të përqendrohen në eliminimin e lidhjeve të paligjshme, investime në rrjetin primar për të reduktuar humbjet teknike dhe për të siguruar presion optimal, si dhe heqjen graduale të depozitave të amortizuara mbi pallate, të cilat paraqesin rrezik për sigurinë dhe cilësinë e ujit. Po ashtu, synohet standardizimi i kushteve të furnizimit dhe tarifimit në nivel kombëtar, për të garantuar shërbim të barabartë për të gjithë qytetarët.
Znj. Balluku bëri të ditur se pas përmbylljes së ngritjes së Operatorit Kombëtar të Ujit do të nisë faza e tretë, e cila duhet të jetë operacionale në janar 2027. Shoqëritë rajonale do të vazhdojnë operimin në mënyrë të njëjtë pa ndryshuar funksionet e tyre të përditshme. Më pas, këto shoqëri do të bëjnë ndarjen në dy nukla funksionale: njëra që do të fokusohet te mirëmbajtja dhe investimet në rrjetin e shpërndarjes, dhe tjetra që do të merret me furnizimin, faturimin dhe arkëtimin. Ky proces përmbyll një rrugëtim të gjatë të reformës, i cili ka pasur momente të mira dhe momente kritike, duke synuar të krijojë një sektor më të qëndrueshëm dhe profesional.
Reforma ka objektiva të qarta deri në vitin 2027: furnizim 24-orë me ujë në zonat urbane, ulje të humbjeve nën 35% dhe rritje të efikasitetit administrativ dhe transparencës financiare. Kryeministri Rama e krahasoi këtë proces me reformën e sektorit të energjisë elektrike, ku ndarja funksionale dhe përmirësimi i ligjshmërisë sollën rezultate të dukshme.
Me krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit si qendër e prodhimit dhe shoqëritë rajonale që do të menaxhojnë shpërndarjen, reforma synon të sjellë një shërbim më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët e ujit, duke garantuar një menaxhim më profesional dhe një sistem më transparent dhe të monitorueshëm.