Investime të reja në rrjetin e ujësjellësit në Vlorë_Punime në Babicë të Madhe dhe zonën e ish-Fabrikës së Çimentos
8 Nëntor, 2025
Investime të reja në rrjetin e ujësjellësit në Vlorë_Punime në Babicë të Madhe dhe zonën e ish-Fabrikës së Çimentos
Në territorin e Bashkisë së Vlorës po vijojnë me ritme të larta investimet për përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë. Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka si qëllim kryesor modernizimin e infrastrukturës së ujësjellësit në zona me rëndësi të veçantë për qytetin dhe njësitë administrative përreth.
Gjatë muajit tetor janë zhvilluar dy investime të rëndësishme: në fshatin Babicë e Madhe, pjesë e Njësisë Administrative Qendër, dhe në zonën e ish-Fabrikës së Çimentos në qytetin e Vlorës.
Në Babicë të Madhe, ekipet e punës kanë nisur zëvendësimin e linjës së vjetër të ujësjellësit, e cila ishte plotësisht e amortizuar, me një tubacion të ri HDPE me diametër 90 mm, duke siguruar kështu furnizim më të qëndrueshëm dhe cilësi më të mirë të ujit për banorët e zonës.
Ndërsa në zonën e ish-Fabrikës së Çimentos, është realizuar zëvendësimi i tubacionit të amortizuar prej çeliku me një tubacion të ri HDPE me diametër 160 mm, në një gjatësi prej 300 metrash linearë. Ky investim synon rritjen e qëndrueshmërisë së rrjetit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për banorët e kësaj zone të populluar të qytetit.
Këto ndërhyrje janë pjesë e planit të vazhdueshëm të Shoqërise Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë për modernizimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe garantimin e një shërbimi të qëndrueshëm, efikas dhe cilësor për qytetarët.