Ekspozita “Uji nëpërmjet syve të fëmijëve” – SHUKALB finalzion programin “Miqtë e Ujit” për vitin 2025
22 Dhjetor, 2025
Ekspozita “Uji nëpërmjet syve të fëmijëve” – SHUKALB finalzion programin “Miqtë e Ujit” për vitin 2025
SHUKALB përmbylli me sukses edicionin 2025 të programit të tij më të njohur edukues dhe ndërgjegjësues “Miqtë e Ujit”, përmes ceremonisë së hapjes zyrtare të Ekspozitës Kombëtare të fëmijëve “Uji nëpërmjet syve të fëmijëve”, e zhvilluar në mjediset e Europe House, Tiranë.
Ekspozita përfaqëson finalizimin e një pune të gjatë ndërgjegjësuese që përfshiu rreth 2,000 nxënës të klasave të treta nga 8 rajone të vendit (8 shoqëri ujësjellës-kanalizime). Nga këto, 6 rajone – Elbasan, Berat, Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Fier – u mbështetën nga Programi i Infrastrukturës Bashkiake V (WPIP / MIP V), ndërsa Korça dhe Durrësi u mbështetën nga SHUKALB. Përmes vizatimeve të tyre, fëmijët pjesëmarrës përcollën mesazhe të forta mbi rëndësinë e ujit dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
Fëmijët fitues të programit Miqtë e Ujit. Nga e majta në të djathtë: Eduart Rumani, Zyrtar Kombëtar i Programit në Ambasadën Zvicerane në Shqipëri; Olta Alla, Menaxhere e Programeve, SHUKALB; Jean-Noel Gangloff, Përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Shqipëri; Flauers Shoshi, Drejtor i Përgjithshëm i AKUK; Ardian Islami, Drejtor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Herida Duro, Zëvendësministre e Arsimit, Iven Schad, Drejtor, Bashkëpunimi Gjerman dhe Elisabeta Poci, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB Foto nga MIP V
Programi “Miqtë e Ujit”, i zbatuar nga SHUKALB që prej vitit 2007 në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, synon rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve në një moshë të hershme mbi çështjet që lidhen me ujin, kursimin dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Përmes një qasjeje praktike dhe kreative, nxënësit u njohën me konceptet bazë të ujit dhe u inkurajuan të shprehin njohuritë e fituara përmes vizatimeve, duke reflektuar parimet kryesore të programit.
Në kuadër të zbatimit të programit, gjatë muajit tetor SHUKALB zhvilloi sesione trajnimi me mësuesit e shkollave pjesëmarrëse, të cilët më pas udhëhoqën nxënësit në zhvillimin e orëve të dedikuara dhe aktiviteteve kreative. Vizatimet e fëmijëve u prezantuan fillimisht në ekspozita lokale, ndërsa tre vizatimet më të mira nga secila shkollë u përzgjodhën për të qenë pjesë e Ekspozitës Kombëtare.
Herida Duro, Zëvendësministre e Arsimit gjatë fjalimit të saj në Ekspozitë. Foto nga MIP V
Pas fjalëve përshëndetëse nga Elisabeta Poci, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, aktiviteti u përshëndet nga znj. Herida Duro, Zëvendësministre e Arsimit, z. Flauers Shoshi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK), z. Ardian Islami, Drejtor i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit në Fushën e Ujësjellës-Kanalizimeve pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe z. Iven Schad, Drejtor i Bashkëpunimit Gjerman. Në fjalimet e tyre, ata i përgëzuan fëmijët për mesazhet e fuqishme që përcollën përmes vizatimeve të tyre dhe theksuan rëndësinë e edukimit të hershëm dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen e burimeve ujore.
Flauers Shoshi, Drejtor i Përgjithshëm i AKUK gjatë fjalimit të tij në Ekspozitë. Foto nga MIP V
Ceremonia u mbyll me shpalljen e 12 vizatimeve fituese, ku fëmijëve fitues iu ndanë certifikata dhe çmime si vlerësim për angazhimin dhe kreativitetin e tyre. Si traditë, 12 vizatimet do të përdoren për përpilimin e kalendarit SHUKALB 2026, ku secili vizatim do të përfaqësojë një muaj të vitit. Kalendari do të shpërndahet në të gjitha shoqëritë ujësjellës-kanalizime dhe institucionet partnere, si një mjet ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e ujit dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
Që prej fillimit të tij, programi “Miqtë e Ujit” ka përfshirë gati 20,000 fëmijë të klasave të treta në të gjithë Shqipërinë dhe në vitin 2008 është vlerësuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Ujit (IWA) si programi më i mirë edukues për shkollat. Përmes këtij angazhimi afatgjatë, SHUKALB vijon të ndërtojë një lidhje të qëndrueshme mes brezave të rinj dhe kujdesit për ujin, duke kontribuar në një të ardhme më të përgjegjshme dhe të qëndrueshme për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në vend.
? Porositja e Kalendarit SHUKALB 2026
SHUKALB fton të gjthë institucionet, shoqëritë ujësjellës-kanalizime dhe partnerët që dëshirojnë të porosisin Kalendarin SHUKALB 2026, të përgatitur me vizatimet fituese të programit “Miqtë e Ujit”, të kontaktojnë Menaxheren e Programeve të SHUKALB, znj. Olta Alla në adresën e emailit: program@shukalb.al.