Workshopi “Teknologji Moderne dhe Dialog Profesional për të Ardhmen e Trajtimit të Ujërave të Ndotura”
22 Dhjetor, 2025
Workshopi “Teknologji Moderne dhe Dialog Profesional për të Ardhmen e Trajtimit të Ujërave të Ndotura”
Olta Alla, Menaxhere e Programeve dhe Koordinatore e Trajnimeve, SHUKALB, gjatë fjalës hapëse të workshopit Foto nga Novamat shpk
Më 10 dhjetor, në ambientet e Xheko Imperial Luxury Hotel në Tiranë, kompania Novamat SHPK, anëtare e SHUKALB dhe përfaqësuese ekskluzive i BIOWORKS® Verfahrenstechnik GmbH në Shqipëri dhe Kosovë, organizoi workshopin teknik me titull “Teknologjitë Moderne për Trajtimin e Ujërave të Ndotura – Workshop Teknik nga Novamat & BIOWORKS®”, në bashkëpunim me SHUKALB”
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Lezhë, Berat, Gjirokastër, si dhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Enti Rregullator i Ujit (ERRU), Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Ujore (AMBU), Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), GIZ, Zyra Ndërlidhëse e Bavarisë në Shqipëri, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), kompani private si Hidromentori shpk dhe Water Boutique shpk, si dhe komuniteti akademik i Universitetit Politeknik të Tiranës.
Olta Alla, Menaxhere e Programeve dhe Koordinatore e Trajnimeve në SHUKALB, hapi workshopin duke theksuar në fjalën e saj përshëndetëse se trajtimi i ujërave të ndotura është një çështje thelbësore për shëndetin publik, mbrojtjen e burimeve ujore dhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian. Ajo nënvizoi rëndësinë e inovacionit teknologjik dhe zgjidhjeve të provuara ndërkombëtarisht për rritjen e performancës së impianteve, si dhe angazhimin e SHUKALB për të promovuar dhe lehtësuar shkëmbimin e teknologjive dhe praktikave inovative të menaxhimit të ujit nëpërmjet partneriteteve me institucionet ndërkombëtare kërkimore dhe ofruesit e teknologjisë.
Mehmet Krasniqi, CEO i Novamat Foto nga Novamat shpk
Pas fjalës së mirëseardhjes, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Mehmet Krasniqi, CEO i kompanisë Novamat, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit afatgjatë me BIOWORKS® dhe angazhimin e Novamat për të sjellë në Shqipëri zgjidhje teknologjike të avancuara dhe mbështetje profesionale për operatorët e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.
Programi vijoi me prezantimin e CEO të BIOWORKS® Verfahrenstechnik GmbH, Dipl.-Ing. Marcus Vollmer, i cili prezantoi tre prej teknologjive kryesore të kompanisë për trajtimin biologjik të ujërave të ndotura: Aerated Lagoons, ASBR (Sequencing Batch Reactor) dhe MBR (Membrane Bioreactor). Prezantimet teknike u shoqëruan me diskutime mbi aplikimet praktike, kërkesat e operimit dhe përfitimet teknike të secilës teknologji.
by Dipl.-Ing. Marcus Vollmer, CEO i BIOWORKS® Verfahrenstechnik GmbH Foto nga Novamat shpk
Në vijim, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndiqnin edhe një prezantim të dedikuar nga përfaqësuesi i NETZSCH Pumpen & Systeme GmbH, i cili ndau ekspertizën dhe zgjidhjet moderne të kompanisë për sistemet e pompimit në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, si dhe në aplikime të tjera industriale.
Ky workshop përbën një hap konkret drejt objektivit të SHUKALB për të nxitur transferimin e teknologjisë dhe bashkëpunimin midis palëve kryesore të interesit të sektorit, duke kontribuar në promovimin e teknologjive moderne dhe zgjidhjeve të qëndrueshme që synojnë përmirësimin e performancës së impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.