AKUK forcon kapacitetet kombëtare për menaxhimin e llumit – Laboratori i ri në UBT, hap kyç drejt standardeve të BE-së
4 Mars, 2026
AKUK forcon kapacitetet kombëtare për menaxhimin e llumit – Laboratori i ri në UBT, hap kyç drejt standardeve të BE-së
Drejtoresha e Përgjithshme e AKUK, Elidjana Çelaj, dhe Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit. Foto nga UBT
Shqipëria po hyn në një fazë vendimtare në menaxhimin e ujërave të ndotura dhe mbetjeve, në kuadër të reformave sektoriale dhe procesit të integrimit evropian. Në këtë kontekst, Agjencia Kombëtare për Ujësjellës-Kanalizime (AKUK), në bashkëpunim me Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) dhe me mbështetjen e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ka ndërmarrë një hap strategjik për menaxhimin e qëndrueshëm të llumit të ujërave të ndotura në vend.
Përmes një Memorandumi Bashkëpunimi të nënshkruar ndërmjet Drejtores së Përgjithshme të AKUK, Elidjana Çelaj, dhe Rektorit të UBT-së, Fatbardh Sallaku, është vendosur ngritja e një laboratori të specializuar për analizën e llumit pranë UBT-së. Ky laborator është konceptuar si laborator reference kombëtar, me funksion të drejtpërdrejtë në mbështetje të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.
Në kushtet kur po rritet numri i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN) dhe, paralelisht, volumi i llumit të prodhuar, AKUK luan një rol thelbësor në integrimin e kapaciteteve analitike të laboratorit me funksionet operacionale dhe rregullatore të sektorit. Në këtë kuadër, AKUK do të koordinojë bashkëpunimin me shoqëritë rajonale ujësjellës kanalizime, do të përcaktojë prioritetet kombëtare për monitorimin e llumit dhe do të orientojë procesin në përputhje me objektivat strategjike të zhvillimit të sektorit. Përmes përdorimit sistematik të rezultateve laboratorike për planifikim, raportim dhe hartim politikash, AKUK do të sigurojë që të dhënat analitike të përkthehen në vendimmarrje të informuar dhe në rritje të qëndrueshme të performancës në menaxhimin e ujërave të ndotura.
Ky bashkëpunim garanton që laboratori të mos mbetet vetëm një strukturë akademike, por një instrument funksional i qeverisjes dhe rregullimit të sektorit të ujërave të ndotura.
Projekti realizohet në kuadër të iniciativës për Ekonominë Qarkulluese për Zhvillim të Qëndrueshëm, me një investim prej 120,000 eurosh nga GIZ për pajisjen dhe instalimin e laboratorit. Gjithashtu, gjatë këtij viti do të ofrohet asistencë teknike për:
Trajnimin e stafit të laboratorit, AKUK dhe shoqërive rajonale UK;
Hartimin e procedurave standarde të operimit;
Përgatitjen për akreditim sipas standardit ISO/IEC 17025.
Laboratori do të analizojë llumin e prodhuar nga ITUN-et në të gjithë Shqipërinë, si dhe cilësinë e plehrave organike të prodhuara nga qendrat municipale të kompostimit, duke garantuar përdorimin e sigurt të tij në bujqësi.
Struktura dhe funksionimi i laboratorit janë projektuar në përputhje me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian për menaxhimin e llumit dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane, si dhe me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Në këtë mënyrë, AKUK forcon kapacitetin institucional për monitorim, kontroll cilësie dhe raportim, duke mbështetur drejtpërdrejt zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Llumit 2025–2050 dhe përshpejtimin e përafrimit të sektorit me kërkesat e Bashkimit Evropian.