SHUKALB merr pjesë në Konferencën Rajonale për WEFE Nexus në Qipro
4 Mars, 2026
SHUKALB merr pjesë në Konferencën Rajonale për WEFE Nexus në Qipro
Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, gjatë prezantimit të saj në konferencë Foto nga Wefe4med
SHUKALB mori pjesë në Konferencën Rajonale mbi Lidhjen Ujë-Energji-Ushqim-Ekosisteme (WEFE) të Vazhdimësisë Mesdhetare nga Burimi në Det: Nga Strategjia në Veprim, i mbajtur më 24-26 shkurt 2026 në Institutin e Qipros në Nikosia, Qipro, dhe në online. Eventi u organizua nga Partneriteti Global i Ujit – Mesdhe (GWP-Med) në bashkëpunim me Institutin e Qipros (CyI), me mbështetjen e Programit GEF UNEP/MAP Med, Projektit PRIMA WEFE4MED, dhe në sinergji me Projektin EU WES BCA, nën kujdesin e Presidencës së Qipros të BE-së 2026 dhe brenda kornizave të UNEP MAP, Unionit për Mesdheun (UfM) dhe PRIMA.
Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të qeverive, autoriteteve vendore, shoqërisë civile, komunitetit shkencor, profesionistëve të fushës, institucioneve financiare dhe sektorit privat, me qëllim avancimin e Strategjisë WEFE Nexus dhe promovimin e menaxhimit të integruar të ujit, energjisë, ushqimit dhe ekosistemeve përgjatë vazhdimësisë Mesdhetare nga Burimi në Det. Objektivat përfshinin hartimin e një Kuadri Veprimi për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë, nxitjen e bashkëpunimit ndërsektorial dhe identifikimin e zgjidhjeve inovative për menaxhim të qëndrueshëm të burimeve dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.
SHUKALB u përfaqësua nga Elisabeta Poçi, Drejtoreshë Ekzekutive e SHUKALB, e cila ishte përzgjedhur si folëse më 26 shkurt 2026 në sesionin me titull “Informing the Action Framework: Exploring Further Linkages”. Në prezantimin e saj, “WEFE Nexus në Trajtimin dhe Ripërdorimin e Ujërave të Ndotura”, znj. Poçi theksoi rolin kritik të menaxhimit dhe ripërdorimit të ujërave të ndotura në rritjen e efikasitetit të burimeve, mbrojtjen e mjedisit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Ajo ndau përvoja mbi qasjet praktike për integrimin e trajtimit të ujërave të ndotura brenda kuadrit më të gjerë të WEFE Nexus, duke theksuar potencialin e zgjidhjeve inovative për krijimin e sinergjive ndërmjet menaxhimit të ujit, energjisë, ushqimit dhe ekosistemeve.
Nëpërmjet angazhimit aktiv, SHUKALB rikonfirmoi përkushtimin e tij për avancimin e praktikave të qëndrueshme të menaxhimit të ujit në Shqipëri dhe në rajonin më të gjerë të Mesdheut. Pjesëmarrja nënvizoi gjithashtu angazhimin e shoqatës për shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin rajonal dhe kontributin në zhvillimin e Kuadrit të Veprimit për WEFE Nexus, i cili synon mobilizimin e investimeve, forcimin e politikave dhe qeverisjes, si dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës përgjatë vazhdimësisë Mesdhetare nga Burimi në Det.