Ujë i sigurt për sezonin turistik: Impianti i Manskurisë drejt përfundimit
6 Maj, 2026
Ujë i sigurt për sezonin turistik: Impianti i Manskurisë drejt përfundimit
Drejtoresha e Përgjithshme e AKUK, Elidjana Çelaj gjatë një vizite në rezervuarine Manskurisë, sëbashku me stafin e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Durrës Foto nga UK Rajoni Durrës
Rikonstruksioni i Impiantit të Pastrimit të Ujit në Manskuri po hyn në fazën përfundimtare, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për zonat bregdetare të vendit.
Ky investim, i financuar nga buxheti i shtetit me një vlerë prej mbi 307 milionë lekësh, ka arritur tashmë në 82% të punimeve. Me një afat zbatimi 9-mujor, projekti pritet të përfundojë brenda fundit të majit 2026, në kohë për të përballuar fluksin e shtuar të sezonit turistik.
Impianti i trajtimit të ujit në Manskuri është projektuar për të përpunuar ujin që vjen nga rezervuari i Manskurisë, me një kapacitet maksimal prej 120 litra në sekondë. Ky burim i ri vjen si një zgjidhje konkrete për të përballuar kërkesën në rritje për ujë të pijshëm në zonat turistike përgjatë vijës bregdetare të Kavajës, të cilat prej vitesh janë përballur me vështirësi furnizimi, sidomos gjatë muajve të verës.
Një element kyç që i jep jetë këtij projekti është edhe përfundimi i rikonstruksionit të digës së Manskurisë gjatë muajit mars 2026, investim i realizuar nga AKUK. Kjo vepër garanton furnizimin e qëndrueshëm me ujë të papërpunuar drejt impiantit, duke krijuar një zinxhir të plotë dhe funksional nga burimi deri tek konsumatori.
Falë këtij investimi, zona të rëndësishme turistike si Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit, Qerreti dhe Golemi pritet të përfitojnë një furnizim më të sigurt dhe cilësor me ujë të pijshëm. Kjo jo vetëm që rrit standardin e shërbimit për banorët dhe bizneset, por përmirëson ndjeshëm edhe përvojën e turistëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonës.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndjekjen dhe realizimin e këtij projekti, duke dëshmuar angazhim dhe profesionalizëm në menaxhimin e investimeve strategjike për sektorin e ujit. Puna e tyre e vazhdueshme po reflektohet në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në krijimin e një infrastrukture më të qëndrueshme dhe më efikase.
Me vënien në funksion të impiantit përpara sezonit veror, pritet të shmangen problematikat e furnizimit me ujë që kanë shoqëruar prej kohësh këto zona turistike, duke i hapur rrugë një sezoni më të qetë dhe më të suksesshëm për të gjithë aktorët e përfshirë.