Akademia e Ujit e BE-së nis takimin e parë publik mbi zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve
9 Prill, 2026
Akademia e Ujit e BE-së nis takimin e parë publik mbi zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve
Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, gjatë prezantimit të saj
Më 18 mars 2026, takimi i parë publik i Akademisë së Ujit të BE-së (EUWA) u mbajt me sukses në internet, duke bashkuar një gamë të gjerë palësh të interesuara nga i gjithë sektori i ujit në Evropë. Akademia e Ujit e BE-së është një iniciativë kyçe në kuadër të Strategjisë së Qëndrushmërisë ndaj Ujit të Komisionit Evropian, e nisur në maj 2025, me objektiv forcimin e aftësive, nxitjes së inovacionit dhe zhvillimit të kapaciteteve në të gjithë sektorin e ujit. Ky event shënoi një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një platforme bashkëpunuese për shkëmbimin e njohurive, duke u bazuar në rezultatet e anketës në të gjithë BE-në dhe në eventin fillestar të EUWA-së të mbajtur në dhjetor 2025.
Takimi u hap me fjalët përshëndetëse nga përfaqësues të Komisionit Evropian, përfshirë Alessandra Zampieri dhe Veronica Manfredi, të cilat theksuan rolin kritik të trajnimit dhe zhvillimit profesional në arritjen e një sektori të ujit të qëndrueshëm për të ardhmen në Evropë. Organizata kryesore evropiane dhe ndërkombëtare mbajtën prezantime të shkurtra, duke përfshirë Shoqatën Evropiane të Ujit, Shoqatën Ndërkombëtare të Kompanive të Shërbimeve të Ujit në Rajonin e Danubit, IAWD, përfaqësuar nga Elisabeta Poçi, Aqua Publica Europea, EUREAU dhe Water Europe. Kontributet e tyre theksuan rëndësinë e të mësuarit të vazhdueshëm, bashkëpunimit ndërsektorial dhe inovacionit në zhvillimin e fuqisë punëtore.
Agjenda përfshinte një seri sesionesh interaktive që trajtonin tema kyçe si teknikat inovative të trajnimit, bashkëpunimi industri–akademi, zhvillimi i lidershipit në menaxhimin e ujit, praktikat e qëndrueshme dhe qeverisja e akademive të ujit, programet ndërkufitare të shkëmbimit të aftësive, si dhe kornizat e certifikimit dhe kualifikimit. Folësit nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, akademia dhe industria ndanë përvoja praktike dhe raste studimi, ndërsa pjesëmarrësit kontribuan në mënyrë aktive përmes mjeteve interaktive të reagimit, duke forcuar frymën bashkëpunuese të iniciativës.
SHUKALB mori pjesë aktive në këtë event të rëndësishëm, duke riafirmuar angazhimin e tij për forcimin e kapaciteteve profesionale në sektorin e ujit në Shqipëri dhe duke kontribuar në dialogun më të gjerë evropian.
Një moment i veçantë i takimit ishte prezantimi i mbajtur nga Ardian Islami, Drejtor i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit në Fushën e Ujësjellës Kanalizimeve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë. Prezantimi i tij, i titulluar “Reformimi i Zhvillimit të Aftësive dhe Ndërtimi i Kapaciteteve në Sektorin e e Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri”, ofroi njohuri të vlefshme mbi reformat dhe përpjekjet e vazhdueshme për modernizimin e sektorit përmes trajnimeve të synuara, forcimit institucional dhe përputhshmërisë me standardet evropiane. Kontributi i tij theksoi qasjen proaktive të Shqipërisë në adresimin e boshllëqeve në aftësi dhe në përmirësimin e performancës dhe qëndrueshmërisë së shoqërive UK.
Ardian Islami, Drejtor i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit në Fushën e Ujësjellës Kanalizimeve, gjatë prezantimit të tij me titull ” Reformimi i Zhvillimit të Aftësive dhe Ndërtimi i Kapaciteteve në Sektorin e e Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri”
Takimi i parë i Akademisë së Ujit të BE-së hapi rrugën për angazhim të vazhdueshëm midis palëve të interesit dhe theksoi angazhimin e përbashkët për të investuar në njerëz si një shtyllë kyçe e qëndrueshmërisë ndaj ujit. Përmes iniciativave si Akademia e Ujit e BE-së, komuniteti evropian i ujit po ndërmerr hapa konkretë drejt ndërtimit të një fuqie punëtore të aftë, fleksibël dhe të gatshme për të ardhmen, e aftë për t’u përballur me sfidat në rritje të sektorit. SHUKALB mbetet i përkushtuar për të kontribuar në mënyrë aktive në këto përpjekje dhe për të mbështetur shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin profesional si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal.