SHUKALB merr pjesë në Takimin Rajonal të Koordinimit për qeverisjen e ujit në Ballkan
29 Korrik, 2026
SHUKALB merr pjesë në Takimin Rajonal të Koordinimit për qeverisjen e ujit në Ballkan
Më 5 qershor 2026, SHUKALB mori pjesë në Takimin Rajonal të Koordinimit të Ballkanit me temë “The EU alignment process as a key mechanism for strengthening water governance in the Balkan countries”, i zhvilluar në Strugë, Maqedonia e Veriut, në kuadër të projektit ONE WATER II.
SHUKALB u përfaqësua në këtë aktivitet nga Arbana Kola, Menaxhere e Projekteve, e cila iu bashkua përfaqësuesve të institucioneve publike, organizatave rajonale, ekspertëve të sektorit të ujit dhe përfaqësuesve të sektorit privat nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Takimi u fokusua në procesin e përafrimit të politikave të ujit me legjislacionin e Bashkimit Evropian si një mekanizëm kyç për forcimin e qeverisjes së ujit në vendet e Ballkanit. Gjatë sesioneve të punës u diskutuan reformat në sektorin e ujit, sfidat dhe mundësitë e procesit të integrimit evropian, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar për menaxhimin e baseneve lumore.
Programi përfshiu gjithashtu prezantime mbi iniciativat rajonale për menaxhimin e baseneve ujore ndërkufitare, përfshirë Komisionin Ndërkombëtar të Basenit të Lumit Sava, projektin Drin dhe projektin DIKTAS II të UNESCO-s, si dhe një tryezë të rrumbullakët mbi forcimin e partneritetit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat në qeverisjen e burimeve ujore.
Takimi u organizua në kuadër të projektit ONE WATER II, i zbatuar nga CIHEAM Bari në partneritet me One Water Committee, dhe përbën një hap të rëndësishëm në përgatitje të Forumit Euro-Mesdhetar të Ujit, i cili do të zhvillohet në Romë, Itali, në periudhën 29 shtator – 2 tetor 2026.
Pjesëmarrja e SHUKALB në këtë aktivitet riafirmon angazhimin e Shoqatës për të mbështetur bashkëpunimin rajonal, shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira, si dhe harmonizimin e sektorit të ujit me standardet dhe politikat e Bashkimit Evropian, në funksion të një menaxhimi më të qëndrueshëm dhe efektiv të burimeve ujore.