SHUKALB përfundon me sukses Programin e D-LeaP “Eficenca Komerciale për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime”
29 Korrik, 2026
SHUKALB përfundon me sukses Programin e D-LeaP “Eficenca Komerciale për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime”
Trajnerja Etleva Demiri (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë workshopit të dytë Foto nga SHUKALB
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të sektorit të ujësjellës kanalizimeve, SHUKALB zhvilloi gjatë periudhës qershor–korrik 2026 Programin e Trajnimit të D-LeaP “Eficenca Komerciale për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime”, me mbështetjen e Partneritetit të Danubit për Mësim (D-LeaP).
Programi u konceptua si një seri prej tre workshop-esh, me synim forcimin e njohurive dhe aftësive të stafit teknik dhe financiar të shoqërive ujësjellës kanalizime për menaxhimin më efikas të proceseve komerciale dhe përmirësimin e performancës së shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Workshop-i i parë, i zhvilluar më 10–11 qershor 2026 online, u fokusua në konceptet bazë të efiçencës komerciale, ciklin komercial, treguesit kryesorë të performancës (KPI) dhe rëndësinë e përdorimit të të dhënave për monitorimin dhe përmirësimin e performancës së shoqërive.
Më 7–8 korrik 2026, në Tiranë, u zhvillua workshop-i i dytë, ku morën pjesë staf teknik dhe financiar nga shoqëritë ujësjellës kanalizime Tiranë, Durrës, Korçë dhe Sarandë. Gjatë këtij moduli, pjesëmarrësit punuan mbi analiza dhe ushtrime praktike lidhur me kërkesën për ujë, bilancin e ujit, matjen e efiçencës komerciale, strukturën organizative dhe planifikimin e burimeve njerëzore, si dhe hartimin e Planeve të Veprimit për Përmirësimin e Performancës (PIP).
Pjesëmarrësit gjatë një ushtrimi në grup Foto nga SHUKALB
Trajnimi u drejtua nga ekspertet Frosela Filo dhe Etleva Demiri, të cilat përmes një qasjeje interaktive dhe të orientuar drejt rezultateve, ndanë eksperiencën e tyre dhe mbështetën pjesëmarrësit në aplikimin praktik të njohurive të marra.
Workshop-i përfundimtar, i zhvilluar më 14–15 korrik 2026, u fokusua në aspektet financiare dhe strategjike të efiçencës komerciale, duke trajtuar planifikimin e buxhetit të operimit dhe mirëmbajtjes, investimet kapitale, nevojat për të ardhura, strategjitë tarifore, si dhe proceset e monitorimit, raportimit dhe ndërmarrjes së veprimeve korrigjuese.
Në përfundim të programit, pjesëmarrësit prezantuan Planet e Veprimit për Efiçencën Komerciale të hartuara gjatë trajnimit dhe ndanë përvojat e tyre mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e performancës në shoqëritë e tyre. Pas përfundimit me sukses të programit, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje, në vlerësim të angazhimit dhe përkushtimit të tyre gjatë zhvillimit të sesioneve trajnuese.
Programi D-LeaP “Eficenca Komerciale për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime” përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjet e SHUKALB për zhvillimin profesional të sektorit dhe mbështetjen e shoqërive ujësjellës kanalizime në rritjen e eficiencës, qëndrueshmërisë financiare dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara për qytetarët.
Nëpërmjet bashkëpunimit me Partneritetin e Danubit për Mësim (D-LeaP), SHUKALB vijon të promovojë shkëmbimin e njohurive, praktikat bashkëkohore dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në sektorin e ujit në Shqipëri.