55 vite përkushtim ndaj Ujësjellësit të Tiranës – Bisedë me inxhinierin Vladimir Gjino
7 Tetor, 2026
55 vite përkushtim ndaj Ujësjellësit të Tiranës – Bisedë me inxhinierin Vladimir Gjino
Ka profesione që nuk mbeten thjesht një punë, por bëhen pjesë e jetës. Për Vladimir Gjino, inxhinier në Ujësjellësin e Tiranës prej më shumë se 55 vitesh, ky institucion ka qenë më shumë se një vend pune: ka qenë një jetë e përkushtuar ndaj profesionit, një pasion i vazhdueshëm ndër vite dhe një dëshirë e pandalshme për ta parë ujësjellësin gjithmonë më të mirë dhe më të zhvilluar.
Gjithmonë me një mision kryesor, t’u shërbesh qytetarëve dhe komunitetit.
Zoti Gjino kur i keni mbaruar studimet dhe për çfarë jeni specializuar?
Kam mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, dega Hidroteknikë, në vitin 1970. Jam diplomuar inxhinier hidroteknik, profili Rrugë-Ura.
Prej sa vitesh punoni pranë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë?
Kam filluar punë më 15 janar 1971 në UKT sh.a. dhe vazhdoj edhe sot punën në këtë ndërmarrje, pra mbi 55 vjet punë.
Çfarë ju pëlqen më shumë në punën që bëni?
Të punosh në ndërmarrjen e ujësjellësit është një punë shumë e bukur. Ka hapësirë për të zhvilluar aftësitë profesionale në këtë degë. Duke qenë gjithë këto vite në këtë profesion, jam i apasionuar pas Ujësjellësit të Tiranës dhe nuk më shkon mendja të mos merrem me të edhe kur fizikisht nuk jam aty.
Kam pasur dëshirë që nga viti 1988 të krijoj një dispeçeri moderne, ku të paraqiten të gjitha të dhënat e nevojshme, si nivelet e depove, presionet e rrjetit dhe modelet hidraulike të rrjetit sipas zonave. Por fatkeqësisht nuk kanë qenë kushtet e mundshme për t’u realizuar dhe aspiroj që shumë shpejt t’ia arrijmë këtij qëllimi, bashkë me drejtorin e këtij institucioni, z. Shoshi.
Drejtori e njeh në detaje çdo hallkë të sistemit të ujësjellësit dhe jam shpresëplotë se nën drejtimin e tij do të ndërtohet një ujësjellës model, modern dhe efikas, ashtu siç Tirana e ka merituar dhe pritur prej shumë vitesh.
Cilat janë vështirësitë në punën tuaj të përditshme?
Për të menaxhuar punonjësit e ujësjellësit ashtu siç e kërkon koha, ne hasim vështirësi, pasi mungojnë informacionet për presionet në rrjet dhe skemat e furnizimit. Gjithashtu mungon një sistem saracineskash për ndarjen e zonave, gjë e cila nganjëherë e vështirëson eliminimin e defekteve, duke bërë që uji të mbyllet deri në depo.
Kjo përbën një vështirësi në eliminimin e humbjeve dhe në menaxhimin e rrjetit.
Kudo që ka avari për të zgjidhur, ju jeni aty. Jeni lodhur dhe keni thënë ndonjëherë: “Mjaft më”?
Gjatë gjithë këtyre viteve të punës kam punuar me dëshirë të madhe për zgjidhjen e problemeve, si të avarive, ashtu edhe të menaxhimit. Kur kemi arritur rezultate pozitive, jam ndier i kënaqur me punën e kryer, dhe lodhja është ndjerë më pak.
Cili është mesazhi juaj për të rinjtë që duan të punojnë në sektorin e ujësjellësit?
Të rinjtë që vijnë dhe fillojnë punë në UKT në radhë të parë duhet ta duan këtë profesion, sepse është një profesion i nderuar dhe i respektuar nga i gjithë populli. Por që ta bëjnë këtë, është e domosdoshme që në çdo hap që ndërmarrin të vazhdojnë të rrisin aftësitë e tyre profesionale, në mënyrë që rezultati i punës së tyre të jetë sa më i mirë dhe gjatë punës, të jenë të kënaqur me atë që bëjnë.
Kushdo, vajzë apo djalë i ri, që do t’i bashkohet këtij institucioni, nën drejtimin e drejtorit Shoshi do të gjejë jo vetëm një vend pune, por një shkollë të vërtetë profesionalizmi, përkushtimi dhe vlerash. Jam i bindur se do të mësojë ta dojë UKT-në me pasionin që e duan sot punonjësit e saj aktual.