Kjo letër pozicionimi është përgatitur në kuadër të Projektit “Ofrimi i Produkteve për Zhvillimin e Kapaciteteve për Shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri” financuar nga projekti “Rrjeti Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN) për Shërbimet e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve”. Objektivi i përgjithshëm i projektit është të përmirësojë kapacitetet e personelit përgjegjës nëpër bashki dhe shoqëri ujësjellës kanalizime me detyrën për t’iu dhënë qytetarëve shërbime furnizimi me ujë dhe kanalizime, përmes ofrimit të produkteve për zhvillimin e kapaciteteve me cilësi të lartë dhe angazhimit të vendimmarrësve bashkiakë dhe të shoqërive. Duke qenë se fokusi kryesor i punës së SHUKALB-it është të ofrojë produkte për zhvillimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e performancës, objektivi i posaçëm i projektit “Ofrimi i Produkteve për Zhvillimin e Kapaciteteve për Shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri” është të zgjerojë ofertën për zhvillimin e kapaciteteve në bashkitë dhe shoqëritë UK në Shqipëri, në lidhje veçanërisht me temat e Projekteve të Investimeve Kapitale në Infrastrukturë, Menaxhimit të Integruar të Aseteve dhe Projekteve të Grumbullimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotur. Një veçanti tjetër e projektit është krijimi i një mjedisi mundësues përmes aktiviteteve advokuese dhe lobuese në lidhje me këto tema. Nëpërmjet punës së vazhdueshme me projektin, në bashkëpunim me Shoqatën e Bashkive (SHB) dhe Shoqatën për Autonomi Vendore (SHAV), është hartuar një Strategji e Përbashkët Advokimi si rezultat i së cilës është hartuar kjo Letër Pozicionimi që konvergon praktikat më të mirë të menaxhimit të aseteve me përfitimet e këtij procesi. Menaxhimi i aseteve nuk mund të vazhdojë të jetë vetëm reagues. Kjo Letër Pozicionimi është një përpjekje e SHUKALB-it për të marrë përsipër rritjen e aftësisë së Njësive të Qeverisjes Vendore/Shoqërive UK që të shfrytëzojnë ofertën ekzistuese të Menaxhimit të Aseteve (MA), si dhe për të nxitur interesin dhe mbështetjen plotësuese të palëve të interesuara në zhvillimin e kapaciteteve për MA të shoqërive. Ky dokument është hartuar për të orientuar bashkitë, donatorët, dhe institucionet financuese në lidhje me MA duke theksuar zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe në vendet e rajonit. Në këtë kuadër, roli advokues i SHUKALB-it, SHBSH-së dhe SHAV-it, siç përcaktohet në Strategjinë e Përbashkët të Advokimit, do të jetë të tërheqë vëmendjen e palëve të interesuara për nevojën në rritje të kapaciteteve teknike të shoqërive UK, duke pasur parasysh kompleksitetin e rrethanave me të cilat përballen bashkitë dhe shoqëritë UK. Teksa mundohen të ofrojnë shërbime të qëndrueshme të ujësjellës kanalizimeve, shoqëritë duhet të plotësojnë edhe standardet e acquis të Bashkimit Evropian (BE) për cilësinë dhe mjedisin. Kjo Letër Pozicionimi synon të adresojë sfidat e shoqërive UK me infrastrukturë të amortizuar të ujësjellës kanalizimeve dhe ujërave të ndotur, burimet e pakësuara ose të kufizuara financuese dhe nevojën për të aprovuar Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në sektorin e ujit. Rëndësia e kësaj Letre qëndron në Menaxhimin e Integruar të Aseteve (MA), si dhe në ofertën e SHUKALB-it për të asistuar me planet e zhvillimit të kapaciteteve të NJQV/SHaUK. Qëllimi kryesor është krijimi i një bashkëpunimi më të ngushtë me “aktorët” si agjencitë qeveritare, donatorët, bashkitë dhe shoqëritë UK, mbi boshllëqet dhe mundësitë për menaxhimin e aseteve dhe për të ndihmuar bashkitë dhe shoqëritë UK që t’i përgjigjen në mënyrë më proaktive faktorëve nxitës të menaxhimit të aseteve. Letra e Pozicionimit është hartuar me qëllimin që donatorëve dhe Institucioneve Financiare Ndërkombëtare (IFN) të angazhuar në sektorin e ujit t'u drejtohet një kërkesë për mbështetjen e NJQV/SHaUK me produktet për zhvillimin e kapaciteteve të MA.
Sipas “Raportit të Performancës së Sektorit të Ujit” për vitin 2020 të përgatitur nga ERRU (Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë në Shqipëri), indikatorët e performancës tregojnë se situata në këtë sektor është përkeqësuar në krahasim me vitin 2019 sa i përket ujit pa të ardhura, përballueshmërisë së kostove të drejtpërdrejta të Operimit dhe Mirëmbajtjes (O&M) për infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe ujërave të ndotura, mbledhjen e pagesave dhe mbulimin e furnizimit me ujë. Indikatori i mbulimit të ujërave të ndotura ka mbetur i njëjtë, ndërkohë që në indikatorët e tjerë është vërejtur një përmirësim i lehtë, si për shembull në matjen e ujit, kohëzgjatjen e furnizimit, efikasitetin e personelit/1000 lidhje të furnizimit me ujë. Rënia e performancës shpjegohet me pasojat e pandemisë dhe tërmetit të fuqishëm që goditi vendin në fund të vitit 2019. Shoqëritë UK historikisht janë përballur me vështirësi financiare, ku në të shumtën e rasteve është pushteti qendror që ndërhyn për të siguruar vazhdimësinë e punës. Situata e tyre financiare duket se nuk ka pasur përmirësime krahasuar me vitet e mëparshme, edhe pse kishte një plan rimëkëmbjeje që i përqasej sektorit në disa aspekte. Sipas ERRU-t, situata financiare në disa shoqëri ishte aq problematike saqë nuk mund të mbulonin as sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të personelit përkatës. Gjatë vitit të kaluar, shërbimet u subvencionuan me një shumë prej 720 milion lekë ose rreth 6 milion euro. Vitet më parë, fonde të tilla përdoreshin si nxitje për të rritur performancën, ndërsa gjatë vitit të kaluar, subvencionet u përdorën për zbutjen e pasojave të pandemisë. Sipas raportimit të shoqërive UK, 21% e subvencioneve shkuan për pandeminë. Një pjesë tjetër e subvencioneve shkoi për energji elektrike, e cila është një çështje e vjetër për të cilën ERRU gjithmonë e ka theksuar nevojën për ta zgjidhur përmes pushtetit qendror, duke pasur parasysh se borxhi i akumuluar ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sot FSU) është 70 milion EUR dhe është thjesht e pamundur të paguhet nga vetë shoqëritë. Këto kushte dëshmojnë situatën jashtëzakonisht të pafavorshme financiare të NJQV/SHaUK, të cilat janë nën stresin e mbulimit të kostove mbështetëse si dhe të pagave. Kuptohet që mungojnë financat e nevojshme për masat lidhur me zhvillim kapacitetesh dhe futjen e sistemeve të informacionit të nevojshme për praktikat sistematike të menaxhimit të aseteve. Situata aktuale në lidhje me menaxhimin e aseteve në NJQV/SHaUK të Shqipërisë nuk mund të konsiderohet e kënaqshme. Investimet kryhen kryesisht kur rrezikohet funksionaliteti i sistemit (që do të thotë se nuk mund të sigurojë nivelin e kërkuar ose minimumin e shërbimit). Bashkitë dhe personeli i shoqërive UK kanë informacion të limituar mbi MA (Menaxhimi i Aseteve, ISO 55000) dhe mbi përfitimet që mund të sjellë. Proceset e planifikimit nuk janë të organizuara mirë dhe nuk ofrojnë një vizion të qartë të nevojave të ardhshme dhe arritjet e synuara. Edhe pse Planet e Biznesit synojnë të jenë dokumente “të gjalla" për të udhëhequr NjQV-të/ShaUK-të në të ardhmen për menaxhimin e aseteve UK, ato shterojnë kur vjen puna për të identifikuar nevojat teknike dhe financiare për asete dhe për të dhënë informacion për rinovime asetesh të mëdha, rehabilitime apo zëvendësime, në mënyrë që NJQV/SHaUK të planifikojnë projekte madhore dhe buxhet të përshtatshëm. Zakonisht, planifikimi i ndërhyrjeve në asete bëhet mbi baza ad-hoc. Të dhënat ekzistuese zakonisht paraqesin vetëm inventarët dhe nuk japin analiza, prandaj ka fare pak gjasa të përdoren në çfarëdolloj procesi vendimmarrës për investimet e ardhshme. Për sa u përket shoqërive UK, kapacitetet janë të ulëta lidhur me aftësitë teknike dhe personelin e kualifikuar, veçanërisht në menaxhimin e përgjithshëm, funksionimin e sistemit, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të aseteve. Mungesa e personelit të kualifikuar në disa shoqëri e përkeqëson problemin. Në përgjithësi, raportimi i shoqërive UK nuk përfshin të dhëna për ndikimin në mjedis, efikasitetin e përdorimit të energjisë dhe marrëdhëniet dhe kënaqësinë e klientit, zvogëlimin e ujit pa të ardhura, matjen e ujit, zonat e presionit, shtrirjen në popullatën periferike, inventarin dhe sistemin e menaxhimit të aseteve, bazën e klientëve, etj. Me përjashtim të disa NJQV/SHaUK, shumica e shoqërive UK nuk kanë praktika të përcaktuara të menaxhimit të aseteve.
Asetet e shoqërive UK në Shqipëri menaxhohen nga vetë ato dhe kohët e fundit janë në pronësi të qeverisjes vendore (bashkive). Të gjitha aspektet e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve influencohen thellësisht nga autoritetet bashkiake. Shqetësimet kryesore lidhur me zbatimin e menaxhimit të aseteve janë:
– Amortizimi i aseteve fizike,
– Mungesa e burimeve financiare për mirëmbajtje periodike dhe investime kapitale, si dhe për rehabilitimin apo zëvendësimin e aseteve të dëmtuara,
– Mungesa e të dhënave bazë për karakteristikat dhe vendndodhjen e
– Kuadri institucional dhe ndarja e përgjegjësive ndërmjet bashkive dhe shoqërive UK përfshin:
Përgjegjësitë e bashkive:
• Planifikimi dhe zhvillimi i përgjithshëm i sektorit të ujësjellës kanalizimeve (duke pasur plane zhvillimore strategjike dhe plane hapësinore që përcaktojnë bazat për menaxhimin e burimeve ujore, me drejtime dhe prioritete).
• Organizimi i punës dhe aktiviteteve në ofrimin e shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve për të gjithë klientët
• Mbulimi i të gjitha kostove përmes tarifave të shërbimit, që funksioni publik të përmbushet plotësisht.
Shoqëritë UK janë më shumë se kurrë nën presion për të përmirësuar performancën dhe efikasitetin e punës, ndërsa përballen me nevojën për të ruajtur ose modernizuar asetet pa pasur akses në financim. Rrjeti i amortizuar e bën gjithnjë e më të vështirë për shoqëritë UK të ofrojnë shërbimet që dëshirojnë njësitë e qeverisjes vendore dhe që kërkojnë qytetarët dhe bizneset vendore.
Menaxhimi. Kostot e operimit dhe mirëmbajtjes rriten me amortizimin e aseteve fikse; kapaciteti i dobët i shërbimit shkon paralelisht me kostot e larta operative që janë disproporcionale. Humbjet e ujit janë një nga problematikat kryesore që ndikojnë te të ardhurat, rritja e kostove operacionale, humbjet e energjisë dhe humbjet e burimeve ujore. Në shumicën e shoqërive UK, mirëmbajtja dhe rehabilitimi janë të pamjaftueshme dhe normat e rehabilitimit vjetor të rrjetit janë të ulëta. Shërbimet e ujësjellës kanalizimeve zakonisht ofrohen në bazë të planeve dhe programeve përkatëse.
Inventarët. Inventarët e aseteve janë shumë bazike, me të dhëna të kufizuara dhe me besueshmëri të diskutueshme. Kategorizimi i aseteve sipas llojit dhe karakteristikave si dhe krijimi i hierarkisë së aseteve është metodë e panjohur për shumicën e shoqërive. Monitorimi i performancës dhe gjendjes, vlerësimi i riskut për të ndihmuar në prioritizimin e aseteve më kritike është thelbësor për shoqëritë që të kenë njohje të qartë për gjendjen e aseteve dhe mënyrën si performojnë, në mënyrë që të vlerësojnë nevojën për riparime të vogla dhe të mëdha, rehabilitime ose zëvendësime.
Mirëmbajtja. Nuk shpenzohen mjaftueshëm fonde për mirëmbajtje parandaluese dhe periodike në mënyrë që të ruhet funksionaliteti dhe gjendja e mirë e aseteve. Pothuaj 50% deri 70% të të ardhurave totale shpenzohen për paga dhe energji elektrike. Mirëmbajtja në shumë shoqëri kryhet në momentin kur ndodh defekti dhe buxheti që shpenzohet për mirëmbajtje nuk kalon 20%-30% të të ardhurave totale vjetore.
Regjistrimi i defekteve. Janë të pamjaftueshme të dhënat lidhur me numrin, llojin dhe vendndodhjen e defekteve, çarjeve dhe bllokimeve, përfshirë përmasat dhe materialin e tubave, llojin e dheut, si edhe materialet e përdorura për riparim.
Teknologjia e informacionit. Futja e teknologjive të informacionit në vetvete mund të krijojë një bazë solide për përmirësime të mëtejshme. Sidoqoftë, potenciali i plotë nuk mund të arrihet kur për asetet mungon informacioni i saktë dhe i interpretuar siç duhet. Me përdorimin e sistemeve të informacionit, shoqëritë do të jenë më të mirëpajisura që të analizojnë mangësitë dhe të angazhohen në planifikimin strategjik në të ardhmen. Aktualisht, 19 shoqëri regjistrojnë asetet e tyre në platformën dixhitale/EDAMS nën Projektin e Aleancës Strategjike për Menaxhimin e Integruar të Aseteve (STA-IAM). Deri më tani, mungesa e të dhënave është një nga problemet më të dukshme që kufizon futjen efektive të sistemeve të informacionit.
Dixhitalizimi dhe Regjistrat e Aseteve. Teksa qeverisja qendrore ka shënuar njëfarë progresi drejt dixhitalizimit, procesi në nivelin vendor po ngelet pas. Nëse nuk ndodh dixhitalizimi në nivel vendor, shkëmbimi i të dhënave me nivelin qendror do të jetë thjesht i pamundur me dokumente, siç është tani. Një parakusht i rëndësishëm për futjen e teknologjive të informacionit dhe dixhitalizimin është zbulimi i të dhënave. Mbledhja e informacionit për asetet e vjetra është e vështirë dhe përfshin hulumtimin në terren, matjet, shqyrtimin e arkivave, të dhënat kadastrale, planet e ndërtimit dhe mjete të tjera më komplekse të marrjes së të dhënave. Informacioni për asetet nuk është klasifikuar siç duhet në një Regjistër Asetesh të besueshëm, mbi të cilin mund të ndërtohet një sistem i përdorshëm informacioni.
Burimet Njerëzore. Të gjitha palët e përfshira në proces duhet të kenë njohuri dhe informacion të mjaftueshëm në lidhje me menaxhimin e aseteve dhe kërkesat e tij. Punonjësit e shoqërive marrin trajnim të pamjaftueshëm, sidomos personeli teknik. Për më tepër, ndryshimet e shpeshta të personelit ndikojnë në procesin e transformimit dixhital, sepse për të pasur sukses me punën dixhitale, personeli do të ketë nevojë për aftësi që nuk konsolidohen lehtë. Për më tepër, personeli ka nevojë për motivim, i cili vështirë të inkurajohet duke pasur parasysh situatën e vështirë financiare të shoqërive. Bashkitë zakonisht kanë planet e tyre strategjike /zhvillimore për sektorin e ujësjellës kanalizimeve, të cilat përfshijnë objektiva strategjikë për një periudhë më të gjatë, për shembull 5-10 ose edhe më shumë vite. Shoqëritë UK kanë edhe detyrimin që të harto- jnë Plane Biznesi afatshkurtra dhe afatmesme për aktivitetet më specifike të operimit, me investime më të vogla. Shoqëritë në Shqipëri zakonisht përgatisin Plane Biznesi 5-vjeçare, të cilat përmbajnë masa dhe aktivitete që duhen realizuar në vitet në vijim. Në shumicën e rasteve, këto plane biznesi janë si një “listë dëshirash", pasi buxheti i nevojshëm për zbatimin e tyre nuk paraqitet mirë dhe qartë. Për më tepër, planet për investime në të ardhmen nuk vijnë si rezultat i vlerësimit.
Bazuar në përvojën e dy dekadave, disa nga elementët thelbësorë të metodikës së SHUKALB në zbatimin e planeve dhe programeve të suksesshme të menaxhimit të aseteve përfshijnë ndihmën për anëtarët që të ndërtojnë baza strategjike, të vendosin nivele shërbimi dhe baza performance, si dhe të hartojnë plane kapitale dhe financiare që janë realiste dhe të integruara. Ekspertiza e SHUKALB ndërtohet me profesionistë kyçë me përvojë të gjatë me sektorin dhe që kanë marrë pjesë në aktivitete rajonale, krijimin e rrjeteve dhe zhvillimin e praktikave më të mira, përfshirë Standardet Ndërkombëtare për Sistemet e Menaxhimit të Aseteve dhe ISO 55001. SHUKALB zotëron shumë burime dhe të gjithë kompetencën e nevojshme për të asistuar personelin e shoqërive që të regjistrojnë dhe analizojnë të dhënat për asetet, gjendjen, vendndodhjen dhe vlerën reale të tyre, si dhe të marrin vendime më të zgjuara dhe efektive, për të kuptuar më mirë risqet më të mëdha dhe për të shmangur defektet kritike në infrastrukturën UK. Shoqëritë vazhdimisht asistohen me këshilla të specializuara dhe zhvillim kapacitetesh tërësore. SHUKALB ka përftuar pozicionin e të qenit hub shqiptar për praktikat më të mira në menaxhimin e integruar të aseteve dhe në zhvillimin e kapaciteteve kur bëhet fjalë për dorëzimin e tyre te NJQV-të/SHaUK. Për më tepër, për shkak të pjesëmarrjes në rrjete të ndryshme dhe nisma rajonale, kapacitetet dhe burimet e SHUKALB-it përmirësohen më tej përmes shkëmbimit të përvojave me vendet e tjera të rajonit, përfshirë Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën.
Aktualisht, SHUKALB po zbaton Projektin “Menaxhimi i Integruar i Aseteve për Shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve në Evropën Juglindore", që erdhi si partneritet me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH (GIZ), Hydro-Comp Enterprises Ltd. Qipro dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD). Programi është pjesë e Partneritetit të Danubit për Ngritjen e Kapaciteteve (D-Leap), një nismë rajonale, e integruar dhe e qëndrueshme për ndërtimin e kapaciteteve të shoqatave kombëtare të ujësjellës kanalizimeve dhe IAWD. Falë këtyre nismave, shoqëritë UK dhe gjithë sektori kanë pasur akses të çmuar në një sërë produktesh dhe ekspertize. Qëllimi i projektit është t'u mundësojë Qendrave të Menaxhimit të Aseteve që të ofrojnë shërbime zhvillimi kapacitetesh për shoqëritë pjesëmarrëse në projekt, që këto të fundit të jenë në gjendje të realizojnë aktivitetet e menaxhimit të integruar të aseteve përmes trajnimit, mbështetjes dhe ofrimit të softuerëve të përshtatshëm dhe metodologjive për praktikat më të mira. Programi ofron akses në një zgjidhje/softuer novator të quajtur EDAMS IAM, i cili është një mjet i fjalës së fundit për menaxhimin e integruar të aseteve. Bazuar në praktikat më të mira, kjo është një metodologji e testuar dhe e provuar që u jep mundësinë shoqërive të realizojnë një gamë të gjerë zgjidhjesh për menaxhimin e aseteve. EDAMS IAM është një mjet për të identifikuar me saktësi gjendjen e aseteve të rrjetit të ujësjellës kanalizimeve. Duke u bërë pjesë e këtij programi, shoqëritë janë në gjendje të menax- hojnë më mirë rrjetet dhe të planifikojnë të dyja llojet e investimeve: kapitale dhe zëvendësim asetesh. Zgjidhjet e propozuara u prezantohen sistematikisht shoqërive pjesëmarrëse përmes tri fazave:
Tabeta 1: Zgjidhjet e propozuara për menaxhimin e aseteve për shqëritë UK (ref: Projekti SEE AM)
Përfitimet kryesore të NJQV/SHaUK nga pjesëmarrja në Programin MIA prezantohen në mënyrë të përmbledhur në tabelën e mëposhtme:
Tabela 2: Përfitimet nga pjesëmarrja në programin MIA (ref: Projekti SEE AM)
Procesi i decentralizimit është shumë kompleks dhe i përfshin të gjithë sektorët, duke përfshirë sektorin e ujit, i cili është gjithashtu nën ndikimet që kanë proceset e tjera të reformimit, si p.sh. zbatimi i reformës administrative territoriale, harmonizimi me standardet dhe kërkesat e BE-së, dhe e-Government, novacioni dhe digjitalizimi, që janë tendenca të pakthyeshme dhe evolucionare që po i japin formë tendencave me një shpejtësi jashtëzakonisht të lartë. Sistemet e qëndrueshme të ujit kërkojnë aplikimin e teknologjive të informacionit. Kjo e fundit është bërë thelbësore në përmirësimin e menaxhimit të ujit dhe efikasitetit të përdorimit të tij. Ajo integron asetet kapitale me menaxhimin e aseteve, menaxhimin e rrjetit ujor, si dhe me menaxhimin dhe planifikimin financiar. Zgjidhjet novatore të softuerit IAM janë bërë tashmë të disponueshme në Shqipëri duke u mundësuar shoqërive UK t'i regjistrojnë asetet e tyre në një platformë të vetme dhe të kenë akses në informacionin teknik dhe financiar sa herë që të jetë e nevojshme.
Ekziston një histori e gjatë e angazhimit të donatorëve në sektorin UK të Shqipërisë. Aktualisht ekzistojnë disa donatorë aktivë dhe Institucione Financiare Ndërkombëtare (IFI) që mbështesin zhvillimin e sektorit të ujit dhe kanalizimeve në Shqipëri. Janë ndërmarrë disa angazhime nga qeveria dhe angazhime ndërkombëtare për ta zgjeruar shërbimin UK në Shqipëri nga mbështetës të ndryshëm si: KfW, GIZ, Banka Botërore (BB), Banka Evropiane e Investimeve (IEB), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe nga donatorë të tjerë dypalësh- Italia, Austria, Suedia, Zvicra, Kombet e Bashkuara (OKB) për t'i përmirësuar dhe zgjeruar shërbimet UK në Shqipëri. Një pjesë e kontributit të tyre është fokusuar në zhvillimin dhe përmirësimin institucional, edhe pse ka vend për koordinim dhe sinergji më të mirë midis aktorëve (donatorëve, agjencive shtetërore, agjentëve zbatues dhe përfituesve) në mënyrën se si zbatohen këto angazhime.
Në rrethanat kur situata financiare e UK-ve nuk është e kënaqshme dhe menaxhimi i tyre i përditshëm ballafaqohet me barrë të rëndë financiare, procesi i menaxhimit të aseteve duhet të konsiderohet si një prioritet afatgjatë për sektorin e ujit. Kjo do të kërkonte lidhje të administratës lokale me planet sektoriale në fushën e ujit dhe kanalizimeve duke përfshirë në planet përkatëse të biznesit, buxhete të caktuara për qëllimin e MA-s.
Nuk ka trajnime të mjaftueshme për punonjësit e shoqërive UK, veçanërisht të lidhura me stafin teknik; Edhe pse stafi i UK-ve është i njohur me objektivat, strategjitë, planet, standardet e shërbimit, procedurat për reagimin ndaj ankesave të konsumatorëve, si dhe ndaj incidenteve, duhet theksuar se ata kanë informacion të pamjaftueshëm për MA. Vlerësimi i punonjësve kryhet çdo vit sa i përket realizimit të planeve dhe objektivave, por duhet të përmirësohet performanca e stafit mes departamenteve. Theks i veçantë duhet të vihet në menaxhimin e aseteve.
Për marrjen e rezultateve të mira në zbatimin e MA, këto qasje specifike duhet të merren parasysh: përmirësimi i buxhetimit; forcimi i kapaciteteve të brendshme dhe ekspertizës në drejtim të burimeve njerëzore, njohurive. Duke u mbështetur në dy dekada përvojë, SHUKALB mund t'i ndihmojë UK-të që ta përmirësojnë praktikën e menaxhimit të aseteve duke zhvilluar kapacitetet e tyre për të përmbushur nivelin e kërkuar të performancës, në mënyrën më të leverdisshme.
Praktikat e suksesshme të MIA do t'u lejojnë menaxherëve të shoqërive të rehabilitojnë ose zëvendësojnë në mënyrë proaktive komponentët e sistemit në mënyrë të vazhdueshme, në vend që të presin riparimin e defekteve apo të aseteve të dëmtuara, gjë që kushton më shumë dhe shkakton ndërprerje të shërbimeve. Zgjedhja e llojit të ndërhyrjes duhet të përcaktohet në bazë të gjendjes dhe ecurisë së aseteve, ndërsa prioriteti dhe afati i ndërhyrjes përcaktohet në bazë të vlerësimit të rrezikut.
Tendencat aktuale të pandemisë globale dhe digjitalizimit po dëshmojnë çdo ditë se transformimi digjital dhe zgjidhjet digjitale nuk janë vetëm komoditet, por edhe domosdoshmëri për shoqëritë ujësjellës kanalizime. Për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme sa i përket ujit, është e nevojshme që jo vetëm të kemi infrastrukturën e duhur, por edhe të kontrollojmë paraprakisht se çfarë do të ndodhë dhe pse; cilat implikime financiare do të shfaqen dhe çfarë planifikimi do të kërkohet. Përfitimet e transformimit digjital përfshijnë kontingjencën e planeve dhe transparencën me qytetarët. Investimet e mëparshme të donatorëve të ndryshëm dhe të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare përfshijnë mbështetje të konsiderueshme (më shumë se njëqind milionë euro) në infrastrukturën kapitale për sektorin e ujit, Shqipëri. Në deklaratë do të theksohen tre pika kryesore të rëndësishme:
Programet e donatorëve janë mundësuesit e transformimit digjital të sektorit të ujit, pasi ky është një proces i kushtueshëm që eksplorohet përmes një fushe që zhvillohet me shpejtësi.
Rëndësia e platformave digjitale duhet të pasqyrohet më tej përmes mbështetjes së donatorëve. Praktika e MA do të duhet të kombinohet me projektet e investimeve kapitale të donatorëve, për të ndihmuar shoqëritë që të avancojnë shërbimin e tyre në një nivel më të lartë; Për më tepër, në terma më konkretë dhe më praktikë kjo do të nënkuptonte që donatorët e angazhuar në sektorin e ujit në Shqipëri t'ua dorëzojnë investimet e tyre përfituesve duke parashikuar shprehimisht në marrëveshjet kontraktuale përkatëse që asetet duhet të futen në software-in IAM nga stafi i shoqërisë UK-së përkatëse.
Donatorët mund të luajnë një rol për digjitalizimin më shumë sesa thjesht të përshtatin investimet e veta me Ata mund të sigurojnë një shkallë më të madhe mbështetjeje për NJQV/SHaUK për t'u mundësuar atyre që të blejnë produkte softuerike dhe të përfitojnë nga programet e zhvillimit të kapaciteteve për MA të ofruara nga SHUKALB. Për ta mbyllur, menaxhimi i aseteve në planin afatgjatë, kërkon që mbështetja e donatorëve për MA të përfshihet në planet e tyre, së bashku me fazën e tranzicionit që zakonisht vjen pas investimeve, në mënyrë që sektori i ujit të vazhdojë të konsolidohet.
Donatorët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e qasjes drejt menaxhimit efikas dhe efektiv të sistemeve të ujit dhe kanalizimeve si thelbësore për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë, elasticitet dhe siguri, që janë edhe fushat ku kontribuojnë kapacitetet e menaxhimit të aseteve të shoqërive. Donatorët janë në gjendje të promovojnë konceptin e MA tek partnerët e tyre për zhvillim, të sigurojnë mbështetje financiare për zhvillimin e kapaciteteve, të harmonizojnë procedurat e tyre në përputhje me nevojat e shoqërive, dhe të ofrojnë përvojat e tyre kombëtare aty ku është relevante.
Në kuadër të decentralizimit fiskal, janë autoritetet lokale dhe jo ministritë e linjës ato që përcaktojnë aplikimet për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në raport me prioritetet e tjera. Fondet nga qeveria qendrore nuk janë gjithmonë të caktuara rreptësisht për një sektor të caktuar kur mbërrijnë në zyrat vendore. Aktorët dhe mbështetësit e shërbimeve UK duhet të punojnë për përfshirjen e programeve të shërbimeve UK në planet vendore të punës, të cilat drejtojnë procesin e buxhetimit. Kjo nënkupton fokusimin tek produktet MA (për shembull software EDAMS) dhe zhvillimin e kapaciteteve në nivel SHaUK në praktikat më të mira të MA; Softueri EDAMS për menaxhimin e integruar të aseteve ofron një pasqyrë grafike të rrjetit të shpërndarjes së ujit dhe të elementeve përbërëse të tij me elemente specifike teknike. Ai i ndihmon SHaUK-të me menaxhimin e operimit dhe mirëmbajtjes dhe lehtëson identifikimin e nevojave për investime në të ardhmen.
Është e domosdoshme që të futen konceptet e MA në të gjitha nivelet (NJQV/SHaUK) dhe të ndahen linjat e qarta të përgjegjësive për detyrat e menaxhimit të aseteve. Burimet njerëzore përbëjnë një pjesë të sistemit të menaxhimit të aseteve që mundëson zbatimin e të gjitha praktikave të menaxhimit të aseteve, përkufizimin e njohurive dhe kompetencave të fituara të stafit, si dhe të kuptuarin e nevojave për trajnim. Premisa e menaxhimit të suksesshëm të aseteve është që të gjitha palët e përfshira në proces të kenë sasi të mjaftueshme informacioni dhe njohuri për menaxhimin e aseteve dhe për kërkesat e tij.
Bashkitë dhe Shoqëritë UK duhet të mendojnë për të zhvilluar një plan strategjik afatgjatë për shërbimet UK, bazuar në analizën e detajuar të gjendjes së sistemeve ekzistuese, nivelin e shërbimit që ofrojnë dhe kërkesat e ardhshme të të gjithë klientëve. Theks i veçantë do të duhet të vendoset tek MA.
Bashkitë dhe Shoqëritë UK duhet të jenë në gjendje të kuptojnë se praktika e përshtatshme e menaxhimit të aseteve të zgjeruara në nivel kompanie ndihmon shëndetin e tyre dhe përmirësimin e menaxhimit financiar, prandaj ka nevojë që aleanca për praktikën MA të përkthehet nga niveli kombëtar në nivel bashkie.
Zhvillimi i kapaciteteve në nivelin e SHaUK-ve është i rëndësishëm për të hapur rrugën drejt planifikimit “nga poshtë-lart” për menaxhimin e aseteve, pasi është pikërisht zbatimi i planeve të menaxhimit të aseteve që teston atë realisht. Kapaciteti absorbues i SHaUK për burime financiare duhet të rritet: Shpesh është i kufizuar për shkak të përgatitjes së projekteve të dobëta dhe kapacitetit të dobët për zbatim. Megjithatë, SHUKALB mund t'i ndihmojë SHaUK-të me ngritjen e kapaciteteve në aspekte të ndryshme, duke përfshirë ciklin e projekteve, menaxhimin financiar dhe menaxhimin e aseteve;
Asistenca e donatorëve për zhvillim dhe format e tjera të ndihmës që subvencionojnë shumicën e investimeve kapitale për sigurimin dhe financimin e sektorit të ujit në Shqipëri (si burim i financave dhe zhvillimit të kapaciteteve) duhet të konsiderojnë harmonizimin më të mirë të Planeve të tyre Financiare Strategjike, (PFS) me Planet e Qasjes së Gjerë Sektoriale, (PQGJS), dhe të përfitojnë nga përvoja lokale e SHUKALB kur ajo është relevante në fushën e menaxhimit të aseteve, për t'i bërë SHaUK-të të afta që të aplikojnë teknologji të integruara të informacionit, gjë që është bërë thelbësore për përmirësimin e menaxhimit të ujit dhe efikasitetit.

