Ka nisur numërimi mbrapsht për Konferencën dhe Ekspozitën e 14-të të Përbashkët Ballkanike: Çfarë pritet të ndodhë!
29 Tetor, 2026
Ka nisur numërimi mbrapsht për Konferencën dhe Ekspozitën e 14-të të Përbashkët Ballkanike: Çfarë pritet të ndodhë!
Konferenca dhe Ekspozita e 14-të e Përbashkët Ballkanike, me temën “Uji dhe Mundësi të Barabarta”, do të mbahet nga data 3 deri më 5 nëntor 2026, në Hotel Emerald në Prishtinë, Kosovë. Duke bashkuar profesionistë të sektorit të ujit, politikëbërës, përfaqësues të shoqërive UK, studiues dhe ofrues të teknologjisë nga i gjithë rajoni e më gjerë, ky aktivitet do të ofrojë tri ditë shkëmbim njohurish, rrjetëzim profesional dhe diskutime mbi të ardhmen e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Ndërsa eventi po afron, Komiteti Organizativ dhe ai i Programit kanë kënaqësinë të ndajnë disa nga pikat kryesore që i presin pjesëmarrësit.
Vendimmarrës të Nivelit të Lartë dhe Të Ftuar të Shquar
Si tradicionalisht, Ceremonia e Hapjes më 3 nëntor 2026 do të mbledhë së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet qeveritare, misionet diplomatike dhe organizatat ndërkombëtare.
Pas fjalimeve përshëndetëse, Ceremonia e Hapjes do të vazhdojë me Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve, gjatë së cilës shoqatat organizatore do të shfrytëzojnë rastin për të vlerësuar kontributin e profesionistëve në sektorin e ujit në Shqipëri dhe Kosovë. Ceremonia do të përmbyllet me hapjen zyrtare të Ekspozitës Teknike dhe një pritje me koktej për të gjithë pjesëmarrësit.
Aktivitete Para Konferencës
Pasditja e 3 nëntorit do të përfshijë tri aktivitete që ofrojnë mundësi për të mësuar, për bashkëpunim dhe për zhvillim profesional.
Workshop-i i Programit D-LeaP Benchmarking – HUB-i për Kosovë dhe Shqipëri (Aktivitet i mbyllur, vetëm me ftesë)
Workshopi do të mbledhë koordinatorë nga kompanitë e ujësjellës-kanalizimeve pjesëmarrëse në Programin e Benchmarking-ut (UBP) – Hub-i për Kosovë dhe Shqipëri,. Fokusi do të jetë në finalizimin e raporteve krahasuese të performancës dhe në forcimin e kapaciteteve të pjesëmarrësve për të përdorur platformën UBP, për të menaxhuar e analizuar treguesit e performancës në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe për të hartuar raporte analitike dhe krahasuese. Shkëmbimi i praktikave më të mira do të nxisë më tej rrjetëzimin profesional dhe bashkëpunimin rajonal.
Forumi i Profesionistëve të Rinj të Ujit (Aktivitet i Hapur)
Forumi i Profesionistëve të Rinj do të nxisë diskutime mbi zhvillimin profesional dhe rritjen në karrierë të brezit të ardhshëm të profesionistëve në këtë sektor. Gjithashtu, ai do të ofrojë mundësi për profesionistët e rinj, si dhe për ata që dëshirojnë të hyjnë në këtë sektor, për t’u lidhur me bashkëmoshatarë dhe kolegë me përvojë nga rajoni e më gjerë.
Workshop-i i Transferimit të Teknologjive (Aktivitet i Hapur)
Workshopi do të mbledhë kompanitë që marrin pjesë në Ekspozitën e Konferencës, për të prezantuar zgjidhje, teknologji dhe shërbime inovative. Ajo do të ofrojë një platformë për shkëmbim praktik midis ofruesve të teknologjisë dhe shoqërive ujësjellës kanalizime, duke nxitur bashkëpunimin dhe partneritetet për një menaxhim më efikas dhe të qëndrueshëm të ujit.
Programi i Konferencës
Programi i dy-ditor i konferencës, më 4–5 nëntor, do të ndërthurë diskutime plenare dhe sesione teknike paralele, të cilat trajtojnë sfida kyçe të natyrës politike, menaxheriale, operacionale, financiare dhe teknologjike me të cilat përballet sektori i ujit.
Kemi kënaqësinë të mirëpresim dy folës kryesorë të shquar:
4 nëntor: Prof. Kala Vairavamoorthy, Drejtor Ekzekutiv, Shoqata Ndërkombëtare e Ujit (IWA), do të mbajë një fjalim kryesor me temë: “Një qasje e re ndaj ujit për një të ardhme më gjithëpërfshirëse: Mundësitë për Ballkanin”.
5 nëntor: Vasiliki Beretsou, Zyrtar i Projekteve Shkencore në Komisionin Evropian – Qendra e Përbashkët Kërkimore, Itali, do të mbajë një fjalim kryesor me temë “Akademia Evropiane e Ujit”.
Sesionet plenare do të trajtojnë tri tema të rëndësishme:
Ujë për të gjithë: Nga Mundësitë e Barabarta te Shërbimet e Sigurta dhe me Kosto të Përballueshme
Adresimi i Mangësive të Sanitetit: Zgjerimi i Shërbimeve dhe Garantimi i Qëndrueshmërisë
Njerëzit pas Shërbimeve të Ujit: Aftësi për një Sektor të Përgatitur për të Ardhmen
Sesionet paralele teknike do të mbulojnë një gamë të gjerë temash, duke përfshirë qeverisjen dhe politikat, dixhitalizimin dhe menaxhimin inteligjent, kornizat rregullatore dhe monitorimin e performancës, menaxhimin e infrastrukturës dhe aseteve, shërbimin ndaj klientit, menaxhimin e ujërave të ndotura, menaxhimin e burimeve ujore dhe sigurinë e furnizimit me ujë, operacionet dhe mirëmbajtjen, si dhe menaxhimin financiar.
Përmes prezantimeve dhe diskutimeve të udhëhequra nga ekspertë dhe profesionistë nga i gjithë rajoni dhe më gjerë, sesionet do të ofrojnë mundësi për të shkëmbyer përvoja, për të eksploruar zgjidhje praktike dhe për të identifikuar qasje që mund të mbështesin shërbime më efikase, të qëndrueshme dhe të barabarta të ujit.
Klikoni këtu për të parë programin e plotë të konferencës: LINK
Eventi Social
Konferenca do t’u ofrojë gjithashtu pjesëmarrësve mundësinë për t’u lidhur me njëri-tjetrin në një mjedis më joformal gjatë eventit social, të mërkurën më 4 nëntor, duke filluar nga ora 19:30 në restorantin “Hillstone”.
Mbrëmja do të jetë një rast për t’u çlodhur pas një dite të ngjeshur me sesione, për të forcuar marrëdhëniet profesionale dhe për të shijuar shoqërinë e kolegëve e miqve nga i gjithë sektori i ujit.
Ekspozita Teknike
Ekspozita Teknike do të bashkojë 24 kompani që do të prezantojnë produkte, teknologji dhe shërbime inovative për sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shqyrtojnë zgjidhje praktike, të zbulojnë teknologji të reja dhe të takojnë përfaqësues të industrisë që veprojnë në fusha të tilla si infrastruktura ujore, digjitalizimi, menaxhimi inteligjent dhe efikasiteti operacional. Ekspozita do të krijojë gjithashtu mundësi për shkëmbim të drejtpërdrejtë midis ofruesve të teknologjisë dhe shoqërive ujësjellës kanalizime, duke mbështetur partneritetet dhe bashkëpunimin në të gjithë rajonin.
Mësoni më shumë rreth kompanive ekspozuese këtu: LINKU.
Mirëpresim pjesëmarrësit në Prishtinë për tri ditë shkëmbimi njohurish, informacione teknike dhe krijimi lidhjesh, në kuadër të Konferencës dhe Ekspozitës së 14-të të Përbashkët Ballkanike. Së bashku, do të shqyrtojmë se si mundësitë e barabarta mund të shndërrohen në shërbime uji të besueshme, të përballueshme dhe të qëndrueshme për të gjithë.