Ujësjellësat kanë përgjegjësi ligjore të sigurojnë furnizim me ujë të sigurt për konsumatorët e tyre edhe në rast emergjencash. Shoqëritë të cilat parapërgatiten mund t’i përballojnë në mënyrë më efektive emergjencat dhe të riaftësohen më shpejt pas tyre. Ky kurs trajnimi ka si qëllim ndërgjegjësimin për rolin e planifikimit në përballimin e emergjencave dhe zvogëlimin e pasojave të tyre.Kursi do të trajtojë çështje të cilat kanë të bëjnë me shkaqet e emergjencave në shoqëritë ujësjellës kanalizime, vlerësimin e cënueshmërisë së komponentëve të sistemit nga emergjencat dhe fatkeqësitë natyrore, masat zbutëse për komponentët e sistemit si dhe hartimin e një plani gatishmërie (plani emergjencash).Pjesëmarrësit do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për ta trajtuar me efektivitet ciklin e plotë të manaxhimit të emergjencave.
Kush duhet të marrë pjesë
Ky kurs është hartuar për profesionistët e shoqërive ujësjellës kanalizime dhe është veçanërisht i vlefshëm për menaxherët, inxhinierët, teknikët si dhe stafin e operim mirëmbajtjes.
Objektivat e kursit të trajnimit
Në fund të këtij kursi trajnimi, ju do të jeni të aftë të:
Kuptoni rëndësinë e planifikimit në rast emergjencash;
Përcaktoni efektet e rreziqeve të mundshme si pasojë e emergjencave për çdo komponent të sistemit;
Identifikoni komponentët më kritik të sistemit;
Identifikoni masat zbutëse për çdo kategori të sistemit;
Hartoni masa për zbutjen e pasojave të emergjencave në çdo kategori të komponentëve të sistemit;
Kuptoni rëndësinë e planit të gatishmërisë për rastet e emergjencave;
Njihni parimet bazë të një plani gatishmërie;
Analizoni emergjencat dhe shkallën e tyre;
Vlerësoni planin e ndërhyrjes dhe gatishmërisë ndaj emergjencave.
Metoda e trajnimit
Trajnimi është i bazuar në leksione të prezantuara në PowerPoint, të ndërthurura me diskutime. Përveç marrjes së leksioneve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të analizojnë edhe raste konkrete studimore.
Materialet e kursit të trajnimit
Pjesëmarrësit në këtë kurs trajnimi, do të pajisen me Manualin e Trajnimit “Manaxhimi i Emergjencave”. Përpos kësaj, pjesëmarrësit do të pajisen me certificatë.
Tarifa e regjistrimit
Anëtarët e SHUKALB/SHUKOS: 22,000 lekë për person
Jo-anëtarët: 25,000 lekë për person.
Kjo tarifë përfshin materialet e kursit, drekat, dhe pushimet për kafe.