Përpara se uji i pijshëm të shpërndahet te konsumatorët, operatorët e shoqërive UK duhet të mundësojnë ujë me cilësi të pranueshme dhe të standartizuar, nëpërmjet trajtimit të tij. Për të arritur këtë cilësi në një mënyrë sa më efiçente, operatorët e shoqërive UK duhet të njohin veprimet dhe llogaritjet matematikore që shoqërojnë proceset e trajtimit të ujit. Pjesëmarrësit në këtë kurs do të thellojnë njohuritë e tyre në konceptet e hidraulikës, llogaritjet e fuqisë së pompave dhe eficencës së tyre, llogaritjet që shoqërojnë proceset e koagulimit, flokulimit, sedimentimit, filtrimit dhe dezinfektimit. Gjithashtu operatorët do të marrin njohuri për llogaritjen e fortësisë së ujit dhe zbutjen e tij.
Kush duhet të marrë pjesë
Ky kurs është hartuar për profesionistët e shoqërive ujësjellës kanalizime detyrat e të cilëve përfshijnë projektimin e impianteve të trajtimit të ujit të pijshëm, trajtimin dhe shpërndarjen e ujit, si dhe për laburantët të cilët monitorojnë cilësinë e ujit në dalje të impianteve dhe në rrjetin shpërndarës.
Objektivat e kursit të trajnimit
Në fund të këtij kursi trajnimi, ju do të jeni të aftë të:
Llogarisni parametrat e ujit si, presionin, presioni manometrik dhe shkarkimin;
Vlerësoni fuqinë dhe efiçencën e pompave;
Kryeni llogaritjet për burimin e ujit, rënien e nivelit të ujit, presionin, rendimentin, prodhimin specifik;
Llogarisni heqjen e hekurit dhe manganit;
Kryeni llogaritjet e koagulimit dhe flokulimit;
Kryeni llogaritet e kalibrimit për ushqyesit e tretësirave kimike dhe kimikateve të thata;
Llogarisni prurjen dhe normën e filtrimit;
Përcaktoni dozën, kërkesën dhe mbetjet e klorit;
Llogarisni kalciumin, magnezin, si dhe fortësinë karbonatike dhe jo karbonatike.
Metoda e trajnimit
Trajnimi është i bazuar në leksione të prezantuara në Power Point, të ndërthurura me diskutime dhe raste studimore. Përveç marrjes së leksioneve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të analizojnë edhe raste konkrete studimore.
Materialet e kursit të trajnimit
Si pjesëmarrës në këtë kurs, ju do të pajiseni me Manualin e Trajnimit “Matematika e Aplikuar për Operatorët e Trajtimit të Ujit”. Përpos kësaj, ju do të pajiseni me certificate, e cila dëshmon pjesëmarrjen tuaj në këtë trajnim.
Tarifa e regjistrimit
Anëtarët e SHUKALB/SHUKOS: 13,000 lekë për person
Jo-anëtarët: 16,000 lekë për person
Kjo tarifë përfshin materialet e kursit, drekat, dhe pushimet për kafe.