Ky kurs ofron njohuri thelbësore dhe gjithëpërfshirëse mbi sistemin e kanalizimeve, të domosdoshme për të përballuar me efektivitet sfidat e përditshme që hasen gjatë operimit dhe mirëmbajtjes së tij.Gjithashtu pjesëmarrësit do të fitojnë njohuri të mjaftueshme për të analizuar nga këndvështrimi i mirëmbajtjes, elementët e projektimit dhe zbatimit të një kanalizimi të ri, me qëllim shmangien që në fillim të gabimeve të cilat do të vështirësonin në të ardhmen operimin dhe mirëmbajtjen.
Kush duhet të marrë pjesë
Ky kurs është hartuar për profesionistët e shoqërive ujësjellës kanalizime dhe është veçanërisht i vlefshëm për teknikët dhe specialistët e mirëmbajtjes së sistemit të kanalizimeve.
Objektivat e kursit të trajnimit
Në fund të këtij kursi trajnimi, ju do të jeni të aftë të:
Njihni elementët e sistemit të kanalizimeve dhe funksionet e tyre;
Analizoni dhe identifikoni problematikat kryesore të sistemit të kanalizimeve;
Programoni mirëmbajtjen e sistemit në bazë të luhatjeve ditore dhe stinore të prurjeve;
Kuptoni elementet e projektimit që ndikojnë në mirëmbajtjen e sistemit;
Njihni ndikimin që ka pjerrësia e tubacionit në prurjen e ujërave të ndotura;
Llogaritni prurjen dhe shpejtësinë e rrjedhjes së ujit në një kanalizim;
Njihni materialet e ndryshme të tubave, rakorderive dhe pusetave;
Analizoni planet dhe specifikimet e projekteve të kanalizimeve nga pikëpamja e funksionimit dhe mirëmbajtjes efektive;
Analizoni elementët e projektimit dhe ndërtimit që ndikojnë në mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemit.
Metoda e trajnimit
Trajnimi është i bazuar në leksione të prezantuara në Power Point, të ndërthurura me diskutime dhe raste studimore. Përveç marrjes së leksioneve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të zhvillojnë ushtrime për llogaritjen e prurjes dhe shpejtësisë.
Materialet e kursit të trajnimit
Pjesëmarrësit në këtë kurs trajnimi, do të pajisen me Manualin e Trajnimit “Operimi dhe Mirëmbajtja e Sistemit të Kanalizimeve I”. Përpos kësaj, pjesëmarrësit do të pajisen me certificatë.
Tarifa e regjistrimit
Anëtarët e SHUKALB/SHUKOS: 13,000 lekë për person.
Jo-anëtarët: 16,000 lekë për person.
Kjo tarifë përfshin materialet e kursit, drekat, dhe pushimet për kafe.