Shumë shoqëri ujësjellës kanalizime kanë kosto energjie që përbëjnë 30-40% të kostove direkte operative. Ky kurs trajnimi ofron një metodologji të përgjithshme për t’u përdorur nga shoqëritë ujësjellës kanalizime për vetëvlerësimin e efektivitetit të energjisë të secilit komponent të sistemeve dhe impianteve të tyre të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Kursi do të trajtojë zbatimin e një programi auditimi të energjisë nëpërmjet disa fazave si përcaktimi se ku dhe sa energji përdoret në sistem, nivelin e efektivitetit, masa të veçanta që duhen zbatuar për të ulur konsumin dhe koston, analizën e normës fitim-kosto ose leverdinë ekonomike të këtyre veprimeve, si dhe metodat për vlerësimin dhe monitorimin e rezultateve. Pjesëmarrësit do të pajisen me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të realizuar auditimin e energjisë së komponentëve të impianteve të tyre.
Kush duhet të marrë pjesë
Ky kurs është hartuar për profesionistët e shoqërive ujësjellës kanalizime dhe është veçanërisht i vlefshëm për menaxherët dhe stafin teknik përgjegjës të operimit dhe mirëmbajtjes së impianteve të trajtimit të ujit të pijshëm dhe të ndotur si dhe të stacioneve të pompave.
Objektivat e kursit të trajnimit
Në fund të këtij kursi trajnimi, ju do të jeni të aftë të:
Kuptoni rëndësinë e zbatimit të një programi efektiviteti energjie;
Identifikoni të dhënat e nevojshme për të realizuar auditimin e energjisë së shoqërisë suaj;
Kryeni matje të parametrave elektrik dhe hidraulik;
Llogaritni humbjet e energjisë së konduktorëve elektrik dhe transformatorëve;
Llogaritni efektivitetin e motorave elektrik dhe të pompave;
Analizoni indikatorët e energjisë bazuar në të dhënat historike;
Identifikoni dhe vlerësoni mundësi për kursimin e energjisë;
Kuptoni rëndësinë e përdorimit të energjive të rinovueshme.
Metoda e trajnimit
Trajnimi është i bazuar në leksione të prezantuara në PowerPoint, të ndërthurura me diskutime dhe raste studimore. Përveç marrjes së leksioneve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të analizojnë edhe raste konkrete studimore.
Materialet e kursit të trajnimit
Pjesëmarrësit në këtë kurs trajnimi, do të pajisen me Manualin e Trajnimit “Efektiviteti i Energjisë në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime”. Përpos kësaj, pjesëmarrësit do të pajisen me certificatë.
Tarifa e regjistrimit
Anëtarët e SHUKALB/SHUKOS: 22,000 lekë për person
Jo-anëtarët: 25,000 lekë për person.
Kjo tarifë përfshin materialet e kursit, drekat, dhe pushimet për kafe.