SHUKALB zhvillon me sukses tre kurse trajnimi gjatë muajit Tetor 2021
2 Nëntor, 2021
Trajneri Arian Gjorga, Konsulent dhe Ekspert i pavarur dhe pjesëmarrësit gjatë zhvillimit të kursit të trajnimit “Shërbimi ndaj Klientit dhe Marrëdhëniet me Publikun”.
Foto nga SHUKALB
Gjatë muajit tetor 2021, SHUKALB zhvilloi me sukses tre kurse trajnimi, “Shërbimi ndaj Klientit dhe Marrëdhëniet me Publikun”, “Plani i Biznesit për Përmirësimin e Performancës” dhe “Kontrolli i Rrjedhjeve”.
Kursi i trajnimit “Shërbimi ndaj Klientit dhe Marrëdhëniet me Publikun” u zhvillua në datat 5-6 tetor 2021 në Tiranë, me pjesëmarrjen e përgjegjësve dhe specialistëve të departamenteve të Shërbimit të Kllientit dhe Marrëdhënieve me Publikun të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime të Tiranës, Korçës, Shkodrës dhe Sarandës. Trajnimi u mbajt nga trajneri Arian Gjorga, Konsulent dhe Ekspert i pavarur.
Pjesëmarrësit morën njohuri të mjaftueshme mbi temat kyçe si, themelet e shërbimit të shkëlqyer, organizimi dhe personeli i shërbimit te klientit, informacioni dhe komunikimi me publikun/ menaxhimi i përshtypjeve të klientit, kënaqshmeria e klientit, menaxhimi i bazës së të dhënave, menaxhimi i ankesave të klientit, menaxhimi i leximit të matësave, menaxhimi i faturimit dhe arkëtimit, menaxhimi i ndërprerjes se shërbimit dhe shkëputjes nga rrjeti i furnizimit, udhëzimet baze për nje plan të mire komunikimi, dhe integrimi i tipeve të ndryshme të mediave në një program efikas komunikimi.
Trajnimi u vlerësua shumë i vlefshëm nga të gjithë pjesëmarrësit, si për njohuritë e ndara në formë praktike ashtu dhe për diskutimet.
Trajnerja Daniela Gega, Specialiste e Financës dhe Kontabilitetit, Valu Add Management Services, duke udhëzuar pjesëmarrësit të punojnë në Modelin e Planit të Biznesit në Excel. Foto nga SHUKALB
Trajnimi 4-ditor “Plani i Biznesit për Përmirësimin e Performancës” u zhvillua në datat 16, 23, 30 shtator dhe 7 tetor 2021, në Tiranë, me pjesëmarrjen e drejtuesve të departamenteve teknik, ekonomik, tregtar dhe juridik të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime të Tiranës, Korçës, Shkodrës, Sarandës, Gjirokastrës dhe Vlorës, nën drejtim e ekspertëve Semira Kasimati, Esida Lekbello, Anri Dajko dhe Daniela Gega pranë Valu Add Management Services.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin dhe të rishikonin modelet e tyre të Planit të Biznesit me të dhëna konkrete mbi këto elementë kyç, si struktura e Planit të Biznesit, vizioni dhe misioni i Shoqërisë UK, vlerësimi i kushteve aktuale dhe çështjeve prioritare, objektivat strategjike, analiza e kërkesës për ujë, struktura organizative dhe personeli, parashikimi i buxhetit të operimit dhe mirëmbajtjes, parashikimi i shpenzimeve kapitale dhe investimeve, programi i përmirësimit të performancës, nevoja për të ardhura dhe strategjitë e përcaktimit të tarifave, sfidat e menaxhimit të lartë dhe përditësimi i Planit të Biznesit.
Trajnimi u vlerësua shumë i vlefshëm nga të gjithë pjesëmarrësit, si për njohuritë e ndara, punën praktike me modelin, ashtu dhe për diskutimet mes kolegëve për sfidat të cilat hasin shoqëritë në punën e tyre
Ing. Pirro Cenko, Konsulent i pavarur (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë zhvillimit të kursit të trajnimit “Kontrolli i Rjedhjeve”. Foto nga SHUKALB
Kursi i trajnimit “Kontrolli i Rrjedhjeve” u mbajt më 15 tetor 2021 në Tiranë, me pjesëmarrjen e drejtuesve dhe inxhinereve të departamenteve teknike të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime të Tiranës, Korçës, Elbasanit dhe Sarandës, nën drejtim e ekspertit Pirro Cenko.
Pjesëmarrësit morën njohuritë bazë mbi temat kyçe si, menaxhimi i rrjedhjeve, strategjia e menaxhimit te rrjedhjeve, zbulimi dhe lokalizimi i rrjedhjeve, menaxhimi i presionit, monitorimi dhe kontrolli i rrjedhjeve.
Trajnimi u vlerësua shumë i vlefshëm nga të gjithë pjesëmarrësit, si për njohuritë e ndara në forme praktike ashtu dhe per diskutimet.