SHUKALB organizon sesione orientuese për mësuesit e përfshirë në programin “Miqtë e Ujit” për 2021
2 Nëntor, 2021
Olta Alla, Menaxhere e Programeve të SHUKALB gjatë sesionit orientues më 12 tetor 2021, mbajtur në Tiranë. Foto nga SHUKALB
Në datat 12 dhe 22 tetor 2021, SHUKALB organizoi sesione orientuese për mësuesit e shkollave fillore, si dhe përfaqësuesit e shoqërive ujësjellës kanalizime, të cilët po marrin pjesë në programin edukues dhe ndërgjegjësues të SHUKALB “Miqtë e Ujit”. Programi “Miqtë e Ujit” është një program i dedikuar nxënësve të klasave të treta të shkollave fillore dhe SHUKALB e organizon atë çdo vit, që nga viti 2007 në bashkëpunim dhe në kuadër të një Memorandumi Mirëkuptimi me Ministrinë e Arsimit.
Programi këtë vit përfshin gjithsej 26 shoqëri ujësjellës kanalizime dhe 66 shkolla fillore nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Zbatimi i programit për 6 shoqëri UK dhe 26 shkolla fillore në Bashkitë Tropojë, Dibër, Klos, Himarë, Urë-Vajgurore dhe Devoll, po zbatohet me mbështetjen e programit “Masat Shoqëruese të Furnizimit me Ujë Rural III”, financuar nga Banka Gjermane e Zhvillimit KfW dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Sesionet orientuese u hapën nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB dhe u drejtuan nga Olta Alla, Menaxhere e Programeve të SHUKALB, e cila prezantoi përmbajtjen dhe objektivat e programit, materialet, ciklin e ujit në natyrë, burimet ujore, trajtimin e ujit të pijshëm, mënyrën si të kursejmë ujin, trajtimi i ujërave të ndotura etj. Pjesëmarrësit morën udhëzime dhe orientime se si të përdorin materialet e programit, udhëzuesin e mësuesit, skedulën e programit, si dhe detaje të tjera logjistike në lidhje me programin.
Secili nga pjesëmarrësit mori materialet e programit si broshurën e fëmijëve, udhëzuesin e mësuesit, fletë vizatimi dhe postera të programit.
Gjatë sesionit orientues online me mësuesit dhe përfaqësuesit e e shoqërive ujësjellës kanalizime, mbajtur më 22 tetor 2021. Foto nga SHUKALB
Në bazë të orientimit të marrë në këto sesione dhe përdorimit të materialeve të programit, mësuesit do të vazhdojnë zbatimin e programit në shkollat e tyre përkatëse.
Programi kombinon udhëzimet mbi parimet kryesore të të mësuarit në lidhje me ujin, me aktivitetet e punës që angazhojnë nxënësin dhe përforcojnë parimet e të mësuarit. Në fund të programit, çdo nxënësi i kërkohet të shprehë atë që ka mësuar nga programi në një vizatim. Vizatimet do të mblidhen dhe vlerësohen në nivel lokal dhe tre vizatimet më të mira nga çdo shkollë bëhen pjesë e ekspozitës kombëtare “Uji përmes syve të fëmijëve” që SHUKALB do të organizojë në dhjetor 2021.