Programi i SHUKALB “Miqtë e Ujit” sjell mesazhe të sinqerta për ujin nga fëmijët
7 Dhjetor, 2021
Gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës së fëmijëve “Uji nëpërmjet syve të fëmijëve”. Në skenë, nga e M në të D: Herrie Heckman, Programi “Masat Shoqëruese të Furnizimit me Ujë Rural III”; Avni Dervishi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit; Nina Guga, Zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit; Sebina Matlija, Menaxhere e Programeve të SHUKALB; Petrit Tare, President i SHUKALB, Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB dhe Zef Maçi, Anëtar i Bordit Drejtues të SHUKALB Foto nga SHUKALB
SHUKALB ka finalizuar një nga programet e tij më të dashura të komunikimit dhe edukimit publik, programin “Miqtë e Ujit”. Programi i dedikohet nxënësve të klasave të treta të shkollave fillore, të cilin SHUKALB e organizon çdo vit, që nga viti 2007 në bashkëpunim dhe në kuadër të një Memorandumi Mirëkuptimi me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Këtë vit programi arriti gjithsej 26 bashki në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë Shoqëritë UK përkatëse anëtare të SHUKALB, 66 shkolla fillore dhe 2409 fëmijë. Zbatimi i programit për 26 shkolla fillore në bashkitë Tropoje, Dibër, Klos Himare, Dimal dhe Devoll, u mbështet nga Programi “Masat Shoqëruese të Furnizimit me Ujë Rural III”, financuar nga Banka Gjermane e Zhvillimit KfW dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit., ndërsa për pjesën tjetër të bashkive programi u mbështet nga buxheti i SHUKALB.
Ekspozita lokale “Miqtë e Ujit” organizuar në Ura-Vajgurore, Dimal Foto nga SHUKALB
Gjatë muajit nëntor 2021, shkollat fillore pjesëmarrëse në Program, kanë organizuar ekspozitat lokale në qytetet e tyre, ku nxënësit kanë paraqitur vizatimet e tyre duke nxjerrë në pah rëndësinë e ujit dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
SHUKALB mori pjesë në ekspozitat lokale të organizuara në Bashkitë Tropojë, Dibër, Klos, Himarë, Dimal dhe Devoll. Në ekspozitat lokale morën pjesë edhe përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kryetarë dhe përfaqësues të bashkive përkatëse, drejtorë dhe përfaqësues të ujësjellësave përkatëse, përfaqësues të shkollave dhe drejtorive rajonale të arsimit.
Si zakonisht, programi “Miqtë e Ujit” kulmoi me ekspozitën e fëmijëve “Uji nëpërmjet syve të fëmijëve”, organizuar dhe hapur për publikun në datat 1-3 dhjetor në Galerinë FAB, në Tiranë. Ekspozita këtë vit prezantoi gjithsej 166 vizatime të nxënësve të klasave të treta nga 26 qytete të Shqipërisë. Para hapjes së Ekspozitës, SHUKALB kishte organizuar një komision të pavarur vlerësimi, të përbërë nga artistë dhe profesorë të Akademisë së Arteve në Tiranë. Komisioni përzgjodhi 12 vizatimet më të mira, bazuar në mesazhet që përcolli secili prej tyre.
Ekspozita lokale organizuar në Peshkopi Foto nga SHUKALB
Ekspozita u hap zyrtarisht në 3 dhjetor 2021, me fjalën përshëndetëse të zv. Ministres së Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, e cila vlerësoi bashkëpunimin e gjatë me SHUKALB në realizimin e programeve kaq të rëndësishme për edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, që kanë një ndikim shumë domethënës në shoqërinë tonë.
Ceremonia vazhdoi me fjalën e Presidentit të SHUKALB, Petrit Tare, i cili falënderoi mbështetësit e programit, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bankën Gjermane për Zhvillim KfW dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, si dhe shkollat pjesëmarrëse, për përkushtimin dhe punën e bërë nga mësuesit dhe nxënësit.
Si mbështetës kryesor i programit këtë vit, përfaqësuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në ceremoni, Avni Dervishi, theksoi gjithashtu rëndësinë dhe ndikimin e programeve të tilla, së bashku me nevojën për investime në sektorin e ujit, si një mënyrë për të garantuar qëndrueshmërinë e shërbimeve të ujit. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe Herrie Heckman, Programi “Masat shoqëruese Furnizimi me ujë Rural III”; Avni Dervishi dhe Zef Maçi, Anëtar i Bordit Drejtues të SHUKALB dhe Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Lezhë, si dhe përfaqësues të shkollave dhe shoqërive ujësjellësa pjesëmarrëse.
Në fund, Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB shpalli 12 fituesit e programit, të cilët janë:
Keida Deda, Shkolla: “Marie Kaçulini”, Durrës
Kejsi Flutoraku, Shkolla: “Neim Babameto”, Durrës
Vladimir Prrocka, Shkolla: “Branko Kadia”, Shkodër
Bianta Shqipe, Shkolla: “Asllan Shahini”, Gramsh
Leonis Tarelli, Shkolla: “Banush Tarelli”, Braçan
Rigers Ndreu, Shkolla: “Ardian Klosi”, Tiranë
Kristi Çela, Shkolla: “Kongresi i Lushnjes”, Lushnje
Senea Sharka, Shkolla: “Kongresi i Lushnjes”, Lushnje
Të 12 fituesit u njohën zyrtarisht duke marrë certifikata me çmimin “Miqtë e Ujit”. Përveç kësaj, SHUKALB i dhuroi një enciklopedi secilit prej 12 artistëve të vegjël. Dymbëdhjetë vizatimet fituese do të jenë baza për kalendarin 2022 që do të hartohet nga SHUKALB dhe do të shpërndahet më tej nga shoqëritë UK, si një mënyrë për të rritur më tej ndërgjegjësimin në të gjithë vendin për rëndësinë e çështjeve të ujit. Nëse dëshironi t’i porosisni këta kalendarë, mund të kontaktoni SHUKALB në program@shukalb.al.