Krijohen 3 Shoqëritë e para Rajonale Ujësjellës Kanalizime në kuadër të Reformës së re në Sektor
8 Korrik, 2022
Gjatë takimit të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe AKUM në kuadër të krijimit të tre Shoqërive UK Rajonale të para. Foto nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë
Më 28 qershor 2022, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfundoi krijimin e tre Shoqërive të para Rajonale Ujësjellës Kanalizime, në përputhje me Vendimin më të fundit të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 302, datë 11.5.2022 “Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”.
Tre shoqëritë e para janë:
Shoqëria Rajonale UK Durrës, e cila do t’i shërbejë bashkive Durrës, Krujë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Shijak
Shoqëria Rajonale UK Korçë, e cila do t’i shërbejë bashkive Korçë, Devoll, Maliq, Kolonjë dhe Pustec
Shoqëria Rajonale UK Pogradec, e cila do t’i shërbejë bashkive Pogradec dhe Prrenjas
Aktualisht, të tre shoqëritë e reja ka përfunduar nënshkrimin e marrëveshjeve tip për krijimin e subjekteve me kompetenca të përbashkëta të ujësjellës kanalizimeve (SKP-UK), siç parashikohet në VKM. Në vazhdim, shoqëritë e reja kanë organizuar strukturën e posaçme për regjistrimin e burimeve, unfikimin e sistemit të faturimit, sistemin financiar, dhe krijimin e një Plani Biznesi të ri. Gjithashtu, në ditët në vazhdim do të miratohen organet e reja drejtuese të shoqërive si Asambleja e Përgjithshme; Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 302, parashikon krijimin e 15 Shoqërive Rajonale UK në të gjithë Shqipërinë, një proces i cili pritet të përfundojë brenda këtij viti sipas një programi të bashkërenduar ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.