SHUKALB prezanton aktivitetet e tij të komunikimit publik në Konferencën Finale të Projektit CrossWater
6 Shkurt, 2023
SHUKALB prezanton aktivitetet e tij të komunikimit publik në Konferencën Finale të Projektit CrossWater
Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, e para nga e djathta në podium gjatë prezantimit të saj me temë “Ndryshimi i sjelljes së komunitetit përmes programeve të ndërgjegjësimit dhe komunikimit me publikun”. Foto nga SHUKALB
SHUKALB mori pjesë në konferencën finale të “Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Ujrave në Zonat Ndërkufitare” (CrossWater), organizuar nga Bashkia e Tiranës në datat 19 dhe 20 janar 2023, në Hotel Tirana International. Objektivi i Konferencës finale ishte prezantimi i punës së kryer në kuadër të projektit, praktikat më të mira dhe hapat e ardhshëm në lidhje me furnizimin me ujë, kursimin, ripërdorimin dhe menaxhimin e tij.
Pjesëmarrës nga SHUKALB ishin Menaxheri i Shërbimeve ndaj Anëtarëve, Alban Kushi dhe Menaxherja e Programeve, Olta Ceca. Gjithashtu, Drejtoresha Ekzekutive, Elisabeta Poçi ishte e ftuar si folëse në ditën e parë të konferencës, ku mbajti një prezantim me temën “Ndryshimi i sjelljes së komunitetit përmes programeve të ndërgjegjësimit dhe komunikimit me publikun”. Znj. Poçi ndau përvojën e SHUKALB në lidhje me programet e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit që synojnë edukimin e brezit të ri dhe publikut të gjerë për mbrojtjen dhe përdorimin e burimeve ujore.
CrossWater është një projekt bashkëpunimi rajonal, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit / IPA CBC Itali-Shqipëri-Mali i Zi, që synon krijimin e një Sistemi të Menaxhimit të Ujit ndërkufitar efiçent dhe efektiv (WMS).
Partner kryesor i këtij projekti është Rajoni i Pulias, Departamenti i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Mjedisor, Seksioni i Burimeve Ujore, ndërsa partnerë të tjerë të projektit janë Bashkia e Tiranës, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Ujësjellësi i Pulias, Itali (Acquedotto Pugliese S.p.A.), Rajoni i Molizës, Departamenti i Kryesisë së Këshillit të Qarkut (Itali), Ndërmarrja Publike Ujësjellësi Rajonal i Bregdetit Malazez – Budva (Mal i Zi). Në kuadër të projektit, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka ndërtuar një rrjet të ri ujësjellësi në fshatin Kasallë, në njësinë administrative Zall-Herr, Tiranë, i cili mbulon me shërbimin e furnizimit me ujë 550 familje.