Enti Rregullator i Ujit publikon Raportin Vjetor 2022
5 Prill, 2023
Enti Rregullator i Ujit publikon Raportin Vjetor 2022
Përfaqësuesit e ERRU-së gjatë prezantimit të Raportit Vjetor 2022 pranë Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Nga e M në të D: Fatime Imeraj, Sekretare e Përgjithshme; Ndriçim Shani, Kryetar dhe Namik Simixhiu, Anëtar i Komisionit. Foto nga ERRU
Më 15 mars 2023, përfaqësues nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) raportuan në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin mbi aktivitetin dhe ecurinë e sektorit të ujit në Shqipëri gjatë vitit 2022. ERRU u përfaqësua në seancë nga kryetari Z. Ndriçim Shani, anëtari i Komisionit z. Namik Simixhiu dhe znj. Fatime Imeraj, Sekretare e Përgjithshme.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor, kryetari z. Shani u ndal te reforma e sektorit, e cila konsiston në agregimin e sektorit në 15 Shoqëri Rajonale Ujësjellës Kanalizime, nga 58 shoqëritë e mëparshme. Gjatë procesit të reformimit, ERRU ka luajtur një rol shumë aktiv mbështetës duke lehtësuar ecurinë e procesit si në transferimin e liçencave, ashtu edhe në përdorimin e tarifave aktuale deri në miratimin e tarifave të reja nga Komisioni Kombëtar Rregullator.
Nga analiza e treguesve kryesorë të performancës për vitin 2022 rezulton se pothuajse të gjithë janë përmirësuar, me përjashtim të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes, që ka ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e performancës financiare të shoqërive në tërësi. Arsyeja kryesore e përkeqësimit të këtij treguesi ishte rritja me rreth 65% e çmimit të energjisë si pasojë e krizës globale. Në këtë kuadër, z. Shani nënvizoi se për përballimin e kësaj sfide shoqëritë ujësjellës kanalizime duhet të orientohen drejt rritjes së Efiçiencës së Energjisë dhe gjetjes së burimeve alternative të rinovueshme prej tyre.
Në përmbushje të detyrimeve ligjore ndaj sektorit të ujit dhe konsumatorëve, ERRU zotohet të rrisë angazhimin e saj për të forcuar pavarësinë, transparencën dhe bashkëpunimin ndër-institucional në mënyrë të tillë që me autoritetin e saj rregullator të krijojë ekuilibrin e duhur midis ofruesve të shërbimeve, politikëbërësve dhe konsumatorëve. .
Në seancën dëgjimore, e cila zgjati më shumë se dy orë, u zhvillua një seancë pyetje-përgjigje për zhvillimin e sektorit apo shqetësimet e përcjella nga anëtarët e komisionit. Pas seancës dëgjimore, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin do të përgatisë rezolutën përkatëse me rekomandimet që ERRU duhet të marrë parasysh për zbatimin e tyre gjatë vitit 2023.
Ndriçim Shani, Kryetar i ERRU-së duke raportuar në Kuvendin e Shqipërisë veprimtarinë dhe ecurinë e ERRU-së për vitin 2022. Foto nga ERRU
Gjithashtu, në datën 30 Mars, z. Shani raportoi përpara Kuvendit të Shqipërisë aktivitetin dhe performancën e ERRU-së për vitin 2022. Raportimi u pasua me një sërë diskutimesh nga deputetët pjesëmarrës dhe anëtarët e kabinetit qeveritar.