SHUKALB riaktivizon Grupin e Profesionistëve të Rinj të Ujit në Shqipëri
7 Korrik, 2023
SHUKALB riaktivizon Grupin e Profesionistëve të Rinj të Ujit në Shqipëri
Groupi i PRU Shqipëri gjatë një vizite studimore në Hawle Company, në Austri në 2011 Foto nga SHUKALB
Zhvillimi efikas dhe efektiv i sektorit të ujit është i pamundur pa një rrjedhë të qëndrueshme të profesionistëve të rinj, të cilët fillojnë të punojnë në sektorin e ujit por edhe vazhdojnë të zhvillohen profesionalisht në këtë fushë, duke ngritur nivelin e kapacitetit dhe kompetencën e sektorit të ujësjellës kanalizime në vend.
Plotësimi i nevojave aktuale dhe i atyre të së ardhmes në sektorin e ujësjellës kanalizime në Shqipëri, kërkon zhvillimin e vazhdueshëm të një fuqie punëtore, e cila është e mjaftueshme në madhësi, e aftë në aftësitë dhe e fortë në udhëheqje. Profesionistët e Rinj të Ujit (studentë dhe profesionistë të sektorit nën moshën 35 vjeç) janë e ardhmja e sektorit ujësjellës kanalizime në të gjithë botën, dhe në Shqipëri ky fakt është veçanërisht i vërtetë.
Më 5 korrik 2023, SHUKALB organizoi një takim me pjesëmarrjen e profesionistëve të rinj që punojnë në sektorin e ujit në Shqipëri. Qëllimi i takimit ishte njohja e pjesëmarrësve me SHUKALB, aktivitetet e kryera nga grupi i PRU-së në vitet e mëparshme dhe aktivitetet e ardhshme të planifikuara në kuadër të grupit PRU-së.
Grupi Shqiptar i Profesionisteve te Rinj të Ujit ka për qëllim ofrimin e informacionit dhe aktiviteteve, të cilat synojnë të përmirësojnë formimin e rrjeteve të ndryshme midis profesionistëve të rinj si dhe mundësitë e karrierës për gjeneratat e ardhshme të profesionistëve të ujit në sektor duke rritur në këtë mënyrë vlerën e kontributit të tyre në menaxhimin e qëndrueshëm të sektorit. Ky mision mbështetet më tej nga pikat e mëposhtme kyçe:
Inkurajimi i profesionistëve të rinj për të qenë më të përfshirë me SHUKALB në nivel rajonal dhe kombëtar;
Krijimi i një mjedisi ku profesionistët e rinj të mund të takohen, të marrin informacione dhe të shkëmbejnë idetë e tyre;
Lehtësimi i mundësive për të mësuar dhe për tu rritur profesionalisht me anë të seminareve profesionale, turneve teknike si dhe programeve të zhvillimit të karrierës;
Ikurajimi në përfshirjen në aktivitete vullnetare.
SHUKALB inkurajon profesionistë të rinj aktivë në sektorin e ujit që t’i bashkohen Grupit të PRU Shqipëri. Për më shumë informacion dhe mënyrën e anëtarësimit në grup ju lutemi kontaktoni me Olta Alla në program@shukalb.al.