Viti 2023 për SHUKALB në fokus – Mesazh nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive
28 Dhjetor, 2023
Viti 2023 për SHUKALB në fokus – Mesazh nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive
Të nderuar Anëtarë, Partnerë dhe Miq,
Ndërsa përgatitemi për të hyrë në Vitin e Ri, dëshirojmë t’ju urojmë të gjithëve një Vit të Ri të gëzuar, të begatë dhe të shëndetshëm në 2024.
Ne dëshirojmë të shprehim falënderimet dhe mirënjohjen tonë për të gjithë anëtarët tanë, puna, mbështetja dhe angazhimi i të cilëve është thelbi i suksesit dhe ndikimit tonë si shoqatë. Për më tepër, ne dëshirojmë të vlerësojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin e partnerëve tanë të ndryshëm, duke përfshirë aktorë të ndryshëm institucionalë në sektorin e ujit, donatorët tanë, si dhe shoqatat rajonale fqinje të ujit.
Po e mbyllim vitin 2023 duke kujtuar ende suksesin e madh të eventit tonë të kryesor të vitit, Konferencën dhe Ekspozitën e 11-të të Përbashkët Ballkanike, e cila u organizua në Golem, Shqipëri, më 7, 8, 9 nëntor 2023. Gjatë tre ditëve të saj, eventi tërhoqi më shumë se 450 profesionistë të ujit që përfaqësonin shoqëritë ujësjellës kanalizime, komunitetin e donatorëve, kompani private, institucione akademike si dhe institucione të tjera të qeverisjes qendrore dhe vendore nga 18 vende të ndryshme, duke ofruar një program të pasur dhe të larmishëm me 88 moderatorë dhe folës, si dhe rrjetëzim dhe mundësi biznesi. Pjesëmarrësit në Konferencë patën mundësinë të vizitonin Ekspozitën Teknike e cila u organizua paralelisht me Konferencën. Ekspozita tërhoqi 22 kompani private të ardhura nga 10 vende të ndryshme nga rajoni i Ballkanit dhe Evropa, të cilat shfaqën produktet e tyre më të fundit, nga tubat, pompat, matësat, softuerët deri te shërbimet inxhinierike dhe menaxhuese. Gjithashtu, konferenca ofroi një mundësi unike për 14 profesionistë të rinj të ujit nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët u angazhuan si bashkëmoderatorë të sesioneve plenare dhe teknike.
Më 7 Nëntor 2023 u organizuan disa aktivitete para-konferencë, ku do të veçonim:
Lançimi i Qendrës së Ekselencës – Shoqëria UK e së Ardhmes (UoF-CoE), një nismë transformuese e Bankës Botërore e mbështetur nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO). Kjo nismë rajonale me një qasje globale, do të shërbejë si një inkubator kushtuar dijes, inovacionit dhe bashkëpunimit në sektorin e ujit. Qendra (UoF-CoE) do të bashkojë profesionistët e rinj, ofrues të shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve, institucionet qeveritare dhe ekspertë nga fusha të ndryshme.
Takimi i Përbashkët Koordinues me Palët e Interesit mbi Zhvillimin e Kapaciteteve në Sektorin Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë, me objektivin kryesor lehtësimin e dialogut dhe sigurimin e një koordinimi më të mirë midis palëve të interesuara në nivel kombëtar dhe rajonal për masat e zhvillimit të kapaciteteve në sektorin ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë.
Forumi i Profesionistëve të Rinj të Ujit, i cili ofroi një platformë të hapur për studentët e vitit të fundit të Universitetit dhe Profesionistë të Rinj të cilët punojnë në institucione të ndryshme në sektorin ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë.
Gjatë viti 2023, në partneritet me SHUKOS, ne vazhduam dhe zhvilluam me sukses raundin e 9-të të Programit Krahasimi i Standardizuar (Benchmarking) për Shoqëritë UK në Shqipëri dhe Kosovë, në kuadër të Partneritetit te Danubit (D-LeaP), për 13 shoqëri në Shqipëri dhe Kosovë.
Pavarësisht përpjekjeve tona më të mira, angazhimi ynë për avancimin e Programeve të Zhvillimit të Kapaciteteve për shoqëritë UK dhe profesionistët e sektorit ujësjellës kanalizime u përballën me sfida të papritura në vitin 2023. Ne e filluam vitin me një Vlerësim gjithëpërfshirës të Nevojave për Trajnim (TNA) dhe seminare validimi që përfshinin shoqëritë UK dhe ekspertët e fushës për të përmirësuar temat tona të trajnimit. Megjithatë, për fat të keq, ne nuk mundëm t’i realizonim kurset tona të trajnimit dhe programet e Zhvillimit të Kapaciteteve (ZHK) siç kishim planifikuar gjatë vitit. Kufizimet financiare të shoqërive UK ndikuan ndjeshëm pjesëmarrjen. Për më tepër, rritja e kërkesës për burime njerëzore për të mbështetur proceset e vazhdueshme të reformës së rajonalizimit brenda sektorit të ujit në Shqipëri përbën një tjetër pengesë thelbësore.
Duke njohur rëndësinë vendimtare të zhvillimit të vazhdueshëm profesional, ne jemi duke kërkuar në mënyrë aktive zgjidhje për tejkalimin e këtyre sfidave. Ne jemi duke eksploruar strategji alternative për të siguruar vazhdimin e Programeve shumë të nevojshme të Zhvillimit të Kapaciteteve në 2024. Qëllimi ynë është të intensifikojmë përpjekjet dhe të ofrojmë programe të përshtatura për zhvillimin e kapaciteteve që adresojnë në mënyrë specifike nevojat në zhvillim të shoqërive UK dhe sektorit më të gjerë të ujit. Nëpërmjet partneriteteve strategjike dhe shfrytëzimit të mundësive të financimit në kuadër të projekteve rajonale, SHUKALB ka siguruar mbështetje financiare nga iniciativa si D-LeaP dhe RCDN+. Kjo mbështetje lejon uljen e tarifave të pjesëmarrjes për shoqëritë UK tona anëtare, duke përforcuar angazhimin tonë për rritjen dhe zhvillimin e tyre profesional.
Në gusht 2023, SHUKALB mori financim për një Grant të titulluar “Përforcimi i Shërbimeve Reaguese ndaj nevojave specifike të sektorit UK në Shqipëri nëpërmjet Zhvillimit të Kapaciteteve dhe Aktiviteteve Advokuese” në kuadër të Projektit Rrjeti Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN+), i zbatuar nga GIZ Fondi i Hapur Rajonal për Evropën Juglindore – Modernizimi i Shërbimeve Komunale (ORF MMS)”. Në këtë kuadër, SHUKALB synon të realizojë programe të cilësisë së lartë të zhvillimit të kapaciteteve për të mbështetur shoqëritë ujësjellës kanalizime, bashkitë dhe aktorët e tjerë përkatës, së bashku me intensifikimin e dialogut dhe përpjekjeve advokuese, duke kontribuar në ofrimin e shërbimeve më të mira të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve për qytetarët.
Përsa i përket Programeve tona të Edukimit dhe Ndërgjegjësimit Publik, SHUKALB mbështeti Shoqëritë UK në Shqipëri në festimin e Ditës Botërore të Ujit 2023, me temë “Të përshpejtojmë ndryshimin”. SHUKALB përgatiti dhe shpërndau video dhe postera të shkurtra me mesazhe informuese dhe ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e kursimit të ujit, kuptimin e faturës së ujit, të cilat u përdorën më tej nga shoqëritë UK në organizimin e fushatës së tyre ndërgjegjësuese dixhitale përmes rrjeteve të tyre sociale. Gjithashtu, SHUKALB përgatiti dhe shpërndau fletëpalosje me mesazhe sensibilizuese, bluza, çanta lecke dhe karfica me logon e DBU dhe logon e shoqërive UK, të cilat u përdorën nga shoqëritë në organizimin e fushatës së tyre tradicionale ndërgjegjësuese në qytetet e tyre përkatëse.
Edhe pse gjatë vitit 2023 SHUKALB nuk mundi të siguronte fondet e duhura për organizimin e programit “Miqtë e Ujit”, ne përgatitëm kalendarin me vizatimet e fëmijëve pjesëmarrës në Ekspozitën Kombëtare ” Uji nëpërmjet syve të fëmijëve” organizuar në vitet e mëparshme. Kalendarët për vitin 2024 po shpërndahen në shoqëritë ujësjellës kanalizime, institucione dhe organizata partnere.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, ne kemi qenë aktivë në pjesëmarrjen dhe kontributin në disa konferenca kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, duke ndarë përvojën tonë në programet tona e ndërgjegjësimit dhe edukimit, zhvillimin e kapaciteteve, si dhe duke prezantuar gjendjen e përgjithshme të Sektori i ujit në Shqipëri.
Viti 2023 ka qenë një vit sfidues, por ende i frytshëm, dhe ne jemi krenarë për atë që kemi arritur deri më tani. Për këtë, ne i jemi mirënjohës përkushtimit të anëtarëve tanë, bashkëpunimit dhe mbështetjes së të gjithë partnerëve tanë, punës së palodhur të stafit të SHUKALB, si dhe mbështetjes së Bordit tonë të Drejtorëve. Ne shpresojmë të vazhdojmë të ndërtojmë mbi arritjet tona të mëparshme në Vitin e Ri 2024, me një vizion dhe energji të freskët.