Intervistë me z.Edmond Koçi: Një jetë në shërbim të qytetarëve të Durrësit
7 Shkurt, 2024
Intervistë me z.Edmond Koçi: Një jetë në shërbim të qytetarëve të Durrësit
Disa vite më parë, në buletinin tonë elektronik “Burimi”, krijuam një rubrikë kushtuar intervistave me punonjës të ndryshëm nga shoqëritë ujësjellës kanalizime në mbarë Shqipërinë. Këto intervista kishin për qëllim të sillnin në fokus asetin më të vlefshëm në sektorin e ujit, burrat dhe gratë që sigurojnë shpërndarjen e shërbimeve të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve për të gjithë konsumatorët. Këtë vit duam t’i rikthehemi kësaj praktike të mirë dhe të ndajmë me lexuesit e “Burimit” përvojën e profesionistëve të sektorit tonë.
Po e rifillojmë këtë praktikë të mirë me intervistën që patëm me z.Edmond Koçi, i cili prej më shumë se 40 vitesh punon në sektorin e ujit, aktualisht drejtor i Shpërndarjes pranë Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës (UKR Durrës) prej më shumë se një vit.
Për herë të parë, z. Koçi e nisi punën në qershor të vitit 1983 si punëtor i thjeshtë në ndërmarrjen Elektro-Ujësjellës në qytetin e Durrësit, duke punuar për afro 9 vjet. Më pas fillon punë si manovrues i qytetit, dispecer dhe përgjegjës turni. Nga viti 1994 deri në krijimin e UKR Durrës,, ka qenë kryedispeçer i sektorit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe gjatë vitit të kaluar ka shërbyer si drejtor i shpërndarjes në UKR Durrës.
Sa vite keni që punoni në sektorin e ujit?
Unë kam filluar punë që në qershor të vitit 1983 dhe në qershor të këtij viti mbush plot 41 vite punë në këtë ndërmarrje.
Çfarë ju pëlqen më tepër në profesionin që keni zgjedhur?
Kur kam nisur punë në fillim, ka qenë e vështirë. Edhe vite më pas, kjo punë ka pasur sfida e saj të veçanta. Është dicka me të cilën lidhesh ngushtë dhe pa kuptuar mëson se nuk mund të bësh gjë tjetër, ke gjetur veten në këtë pozicion. Natyrisht që ka edhe sfidat e veta, pasi duke pasur nën përgjegjësi zbatimin e grafikut të miratuar për të furnizuar me ujë të pijshëm gjithë zonën e mbulimit, shpesh më është dashur të përballem me problematika të ndryshme. Por është një punë që përgjithësht e kam bërë me qejf dhe dëshirë.
Çfarë ju pëlqen në punën që bëni?
Sigurisht që kënaqësia e çdokujt është që detyra të kryhet më së miri dhe në profesionin tim, në shpërndarjen e ujit të pijshëm shpesh ka edhe probleme. E rëndësishme është që të përmbushim objektivat që UKR Durrës ka vendosur për të furnizuar popullatën me ujë me aq mundësi që kemi dhe aq sa na lejojnë kushtet dhe gjendja e rrjetit të shpërndarjes dhe depove.
Cilat janë sfidat më të mëdha në punën tuaj?
E thashë edhe më lart, sfidë mbetet furnizimi rregullt i të gjithë popullatës me ujë të pijshëm. Nga ana tjetër, në Durrës kemi zona që kanë një orar të reduktuar të furnizimit me ujë, ndërsa kemi edhe zona që marrin furnizim 24 orë. Pra, objektiv mbetet furnizimi i gjithë zonës së mbulimit me 24 orë ujë dhe zgjidhja e ankesave të qytetarëve për problematikat që shfaqen. Që të realizohet një gjë e tillë, natyrisht që ka probleme dhe pengesa. Së pari, rrjeti i amortizuar dhe gjendja e depove nuk na lejon që të arrish një gjë të tillë, pasi nevojiten investime të mëdha për ta realizuar atë.
Na përshkruani ditën tuaj të punës?
Puna nis me raportimin që bëjnë përgjegjësit e turneve në lidhje me furnizimin me ujë që është bërë gjatë natës dhe problematikat e mundshme që janë shfaqur. Më pas pjesë e punës janë nëse kemi ankesa për mungesë të ujit apo ndotje, kryerjen e procesit të klorinimit të ujit, kontrollin e depove etj.
Çfarë mesazhi doni t’i jepni brezit të ri që dëshiron të punojë në sektorin e ujit?
Unë dua t’i inkurajoj të rinjtë që të punojnë në këtë sektor, pasi është një sektor i rëndësishëm dhe jetik për popullatën. Besoj se do iu japi kënaqësi puna këtu, por para se të rekomandoja një gjë të tillë, do doja që të rritej niveli i pagave që janë aktualisht, pasi të rinjtë për momentin duket se janë më të interesuar për të emigruar, sesa të punojnë në vendin e tyre.