Vlerësimi i gatishmërisë për të paguar për shërbimet sanitare në fshatin Shtiqën
6 Mars, 2024
Vlerësimi i gatishmërisë për të paguar për shërbimet sanitare në fshatin Shtiqën
Ekipi i WPI me drejtoreshën ekzekutive të SHUKALB, Elisabeta Poçi, pas prezantimit të raportit përfundimtar të studimit në Tiranë. Foto nga ekipi i WPI
Që nga viti 2013, SHUKALB ka bashkëpunuar me Institutin Politeknik Worcester (WPI), SHBA, për ndërmarrjen e projekteve të vogla për ujin dhe mjedisin që përfshijnë një ekip studentësh të WPI që punojnë në Shqipëri për një periudhë 8-javore. Vitin e kaluar, ekipi i WPI me mbështetjen e SHUKALB ndërmori një projekt të titulluar “Vlerësimi i gatishmërisë për të paguar për shërbimet sanitare në fshatin Shtiqën”.
Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte të vlerësonte se si banorët e fshatit Shtiqën në komunën e Kukësit, e kuptonin, perceptonin dhe sa të gatshëm ishin ata për të paguar për ndërtimin dhe shërbimin e një sistemi të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në komunitetin e tyre, si dhe të zhvillonte një udhëzues për të ndihmuar punonjësit e ujësjellësit për të patur biseda më të informuara me klientët dhe të parashikonin nevojat e tyre rreth gatishmërisë për të paguar për një zgjidhje për trajtimin e ujërave të ndotura.
Si pjesë e projektit, ekipi i WPI kreu hulumtime paraprake për të kuptuar sfidat dhe nuancat sociale të zbatimit të një zgjidhjeje për trajtimin e ujërave të ndotura në zonat rurale, dhe kjo u plotësua më tej me intervista dhe dokumentim fotografik.
Ekipi i WPI prezantoi raportin përfundimtar të studimit dhe rezultatin e projektit më 12 dhjetor 2023, në Tiranë, gjatë aktivitetit të 10-vjetorit të Qendrës së Projektit Albania në WPI, mes prezantimeve të tjera të projekteve studentore nga Instituti Politeknik Worcester. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe Prof. Melissa Butler dhe Prof. Robert Hersh nga Instituti Politeknik Worcester.
Për më shumë detaje mbi rezultatin e projektit, mund të lexoni raportin përfundimtar në këtë link.
Anëtarët e ekipit duke intervistuar banorët. Foto nga ekipi i WPI