Parimet e Vendosjes së Tarifave në Europë dhe Shqipëri
6 Mars, 2024
Parimet e Vendosjes së Tarifave në Europë dhe Shqipëri
Një artikull nga Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit (ERRU)
Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit (ERRU)
Të Përgjithshme
Uji është një burim jetik për ekzistencën njerëzore, aktivitetin e tij ekonomik dhe ruajtjen e mjedisit. Dy parimet thelbësore në përbërje të legjislacionit të BE-së për ujërat janë, respektivisht Parimi i Rikuperimit të Kostos dhe Parimi Ndotësi Paguan. Dy parimeve bazë mund ti bashkëngjiten edhe parime të tjera ndihmëse, por jo më pak të rëndësishme, si Efiçenca Ekonomike, Mbrojtja e Mjedisit dhe Barazia Sociale.
Politikat e menaxhimit të ujit natyrisht janë të lidhura ngushtësisht me Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore, ku përveç plotësimit të nevojave për pirje parashikohen edhe kërkesat e përdoruesve të tjerë të ujit për nevoja të bujqësisë, peshkimit, me argëtimet në fushën e ujit etj.
Legjislacioni i BE jep të zhvilluara konceptet mbi parimin bazë të Rikuperimit të Kostos, në përputhje me të cilën më poshtë përshkruhet gjendja dhe perspektiva e zbatimit të tij në Shqipëri në sektorin e ujësjellës kanalizimeve në plotësim të kushteve për “acquis communautaire” në kuadër të bashkimit të vendit tonë me Komunitetin Europian.
Parimi i Rikuperimit të Kostove dhe Ndotësi Paguan
Legjislacioni i BE për ujërat thekson se kostot e shërbimeve UK në përdorimin e burimeve ujore (Agjencia Evropiane e Mjedisit, 2013) në zbatim të parimin të Rikuperimit të Kostove duhet të paguhen nga konsumatorët me anë të tarifave përkatëse, ku thuhet shprehimisht:
“Tarifat e shërbimeve të ujit synojnë të sigurojnë që kostot e ofrimit të këtyre shërbimeve të mbulohen plotësisht, të ketë një nxitje që konsumatorët të përdorin burimet ujore në mënyrë efikase, si dhe mbrojtjen e tyre nga ndotja apo mbi shfrytëzimi”.
Ky parim është sanksionuar në Direktivën Kuadër të Ujit (WFD, Direktiva 2000/60/EC), ku Neni 9 i saj kërkon në mënyrë specifike që shtetet anëtare të marrin parasysh parimin e rikuperimit të kostove të shërbimeve të ujit, duke përfshirë kostot mjedisore dhe të burimeve (Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, 2000).
Në fakt parimet e Rikuperimit të Kostove dhe që Ndotësi Paguan interferojnë me njeri tjetrin, dhe gjithnjë e më shumë trajtohen së bashku ku kostot e rikuperuara përfshijnë dhe ato të mbrojtjes së ambientit.
Gjendja e Sektorit UK në Shqipëri dhe Rikuperimi i Kostove nga Tarifat
Në vendin tonë sektori i UK vazhdon të mbetet i paqëndrueshëm financiarisht. Mbijetesa ekonomike e sektorit të shërbimeve UK për të mbuluar kostot e O&M është e kushtëzuar nga subvencionet e qeverisë qëndrore. Para fillimit të reformës deri në vitin 2022 sektori ka qenë i fragmentarizuar me 58 shoqëri UK, ku vetëm 12 prej tyre arrinin të mbulonin kostot e O&M. Problem i veçantë mbetet mospagimi i faturave të energjisë elektrike ndaj OSHEE-së që ka sjellë akumulimin e një borxhi mjaft të madh ndaj këtij institucioni.
Aktualisht sektori është duke u agreguar në 15 Shoqëri Rajonale (nga 58 shoqëri që ishin më parë) me aksioner kryesor shtetin. Aplikimi i ekonomisë së shkallës pritet të sjellë një përmirësim të qëndrueshmërisë financiare të sektorit, si dhe të cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve.
Theksohet fakti se mjaft shoqëri përbërëse të Shoqërive Rajonale operonin me tarifa të ulëta që nuk mundësonin mbulimin e plotë të kostove direkte të O&M. Në këtë gjendje ka qenë e vështirë të pretendohej zbatimi i parimit të Rikuperimit të Kostove nga të 58 shoqëritë UK që operonin në sektor.
Së shpejti pritet që shoqëritë UK Rajonale të aplikojnë pranë ERRU-së për një nivel më të lartë tarifash për të rritur qëndrueshmërinë financiare të tyre.
ERRU, Qeveria Qendrore dhe Parimi i Rikuperimit të Kostove
Në zbatim të parimeve të Rikuperimit të Kostove në sektorin UK në vendin tonë, shtrohen pyetjet:
Në zbatim të reformës në sektor, a eshtë i realizueshëm përmbushja e parimit të Rikuperimit të Kostove për të gjithë shoqëritë rajonale UK?
Si, dhe kur pritet që të bëhet i mundur realizimi i këtij parimi për të gjithë sektorin?
ERRU, si autoriteti i vetëm ligjor për miratimin e tarifave të shërbimeve UK, i ka paraprirë këtij procesi duke përmirësuar dhe përshtatur metodologjinë e miratimit të tarifave në mënyrë që ajo të ishte elastike në përgjigje të kërkesave të sektorit gjatë periudhës tranzitore, ku sektori do të vazhdojë të operojë dobët financiarisht. Nga ana tjetër, metodologjia e tarifave duhej ti përgjigjet kërkesave të kohës në zbatim të parimit të Rikuperimit të Kostove të zbatueshme në vendet e BE ku vendin jonë synon të aderojë.
Metodologjia e re parashikon përdorimin e metodës “Kosto Plus” për shoqëritë që me tarifat e reja të arrijnë të mbulojnë deri 100% të kostove të O&M. Kjo metodë nuk kërkon detyrimisht që shoqëritë ta shoqërojnë propozimin për tarifa të reja me një Plan Biznesi 5 Vjeçar, por vlefshmëria e tarifave të miratuara nga ERRU nuk do të jetë me e madhe se tre vjet.
Metodologjia e re përmban gjithashtu edhe metodën “Çmimi Tavan” për shoqëritë që parashikojnë edhe mbulimin e Kostove Totale bazuar në një Plan Biznesi 5 Vjeçar dhe me një vlefshmëri kohore prej 5 vjetësh të tarifave të aprovuara nga ERRU.
Kriteret bazë ku mbështetet metodologjia janë:
Mbulimi i Kostove të justifikuara të O&M ose te Kostove Totale
Vlerësimi i Performancës së shoqërisë të arritjeve nëpërmjet TKPs.
Përballueshmëria e faturës së shërbimeve UK.
Mbrojtja e Mjedisit për ruajtjen e burimeve ujore nga mbi përdorimi.
ERRU merr në konsiderate gjithashtu kriterin që ngritja e tarifave të mos jetë e menjëhershme në vlera të larta, sepse praktika ka treguar që kjo shkakton një efekt te kundërt financiar për shkak të uljes të predispozicionit të konsumatorëve për të paguar faturën e shërbimeve UK.
Siç shihet nga kriteret e mësipërme, ERRU nuk imponon direkt që shoqëritë të aplikojnë për tarifa që të mund të mbulojnë te gjitha kostot, pra të zbatohet krejtësisht parimi i Rikuperimit të Kostove.
Propozimi për tarifa të reja është një e drejtë ekskluzive e shoqërive UK që përgatitet nga stafi menxhues i shoqërisë, aprovohet nga Këshilli Mbikëqyrës përkatës dhe shoqërohet me opinionin e aksionerëve të shoqërisë.
Gjithsesi ERRU luan një rol aktiv për të nxitur shoqëritë që të propozojnë tarifa me tendence drejt Rikuperimit të Kostove. Këtë rol ajo e luan duke përfshirë si kriter në metodologjinë e miratimit të tarifave vlerësimin e realizimit të TKPs që mundëson një bonus kur ato janë realizuar, ose penallti, pra ulje të vlerave të tarifave të propozuara kur TKP nuk janë realizuar.
Nxitjen për të propozuar për tarifa të reja me tendencë Rikuperimin e Kostove ERRU gjithashtu e realizon duke vendosur kufi kohor të vlefshmërisë të tarifave të miratuara, pra 3 ose 5 vjet. Përtej këtij kufiri kohor shoqëritë janë të detyruara të aplikojnë për tarifa të reja pranë ERRU-së, kuptohet me te larta se te mëparshmet.
Zbatimi i parimit të Rikuperimit të Kostove mbështetet dhe inkurajohet fort nga ERRU, por rolin kryesor në zbatimin plotësisht të tij e ka qeveria qëndrore, si aksioneri kryesor i Shoqërive Rajonale UK që drejton dhe vendos se çfarë niveli tarifash shërbimesh Shoqëria Rajonale UK do të propozojë pranë ERRU-së për miratim.
Kjo varet nga strategjia që vendos qeveria qëndrore për operimin financiar të Shoqërive Rajonale gjatë periudhës së tranzicionit. Strategjia duhet të përcaktojë se deri në çfarë mase synohen të mbulohen Kostot me anë të tarifës, sa do të mbulohen me anë të një politike subvencionimi të përkohshme, si do të financohen dhe realizohen nevojat për investime, pra sa me grante nga qeveria dhe sa me kredi nga donatorët.
Referuar VKM nr. 302 datë 11.5.2022, si akti ligjor bazë për konceptimin dhe zbatimin e reformës për agregimin e sektorit, nënkuptohet që afati maksimal i vendosur nga qeveria qëndrore që nga themelimi i shoqërive rajonale që sektori UK të vetëfinancohet nga të ardhurat është 10 vjet. Duke konstatuar angazhimin e aktorëve dhe ritmin e lartë të zbatimit të reformës, situata duket optimiste që mbulimi i të gjitha kostove të shërbimeve UK në sektor të mbulohet kryesisht me tarifat, të realizohet para këtij afati, pra që të zbatohet plotësisht parimi i Rikuperimit të Kostove.
Shoqëritë rajonale duhet të pajisen me një Plan Biznesi 5 Vjeçar që duhet të përmbajnë Plane Veprimi që do të mundësojnë realizmin e objektivave të përmirësimit të TKPs me synim realizimin e parimit të Rikuperimit të Kostove. Planet të veprimit kanë parasysh investimet për përmirësimin e TKP, investime të parashikuara si grante nga qeveria qëndrore (Taksa të përgjithshme), kredi të buta nga donatoret (Transferta), si edhe pjesa e investimeve që do të mbulohet nga tarifat (Tarifat), pra në përputhje me strategjinë kombëtare 3T-të e financimit të sektorit.
I gjithë procesi duhet të shoqërohet me një politike subvencionimi nga qeveria qëndrore me tendencë që pas një kufiri kohor ato të konvergjojnë drejt zeros. Gjatë këtij procesi duhet gjithashtu të mbahen parasysh shtresat në nevojë, sidomos ato me ndihmë ekonomike që në mjaft zona të vendit arrijnë shifra të konsiderueshme.
Përmbledhje dhe Konkluzione
Direktiva Kuadër e Ujit e Bashkimit Europian vendos parime kyçe si Rikuperimi i Kostove dhe Ndotësi Paguan në mënyrë që të sigurohen, si qëndrueshmëria financiare e shoqërive dhe menaxhimi me përgjegjësi i burimeve ujore. Vendi jonë me synimin e bashkimit me vendet e BE-së, ka si sfidë realizimin e një sektori UK jo vetëm të qëndrueshëm financiarisht, por dhe në një linjë me normat e BE-së.
Reforma aktuale e sektorit të UK konsiston në agregimin e 58 shoqërive individuale në 15 Rajonale, me një qëndrueshmëri financiare të përmirësuar, ku shoqëritë Rajonale kanë tendencë që të aplikojnë për tarifa të reja në respektim të parimit të Rikuperimit të Kostove. Mbulimi i kostove të energjisë elektrike, përmirësimi i Treguesve Kryesore të Performancës, si dhe zbatimi me korrektësi i një metodologjie fleksibël të miratimit të tarifave nga shoqëritë dhe ERRU, janë disa nga problemet dhe karakteristikat kryesore të fazës së tranzicionit të sektorit.
Gjatë fazës tranzitore të zbatimit të reformës në sektor qeveria qendrore ka rolin kryesor për të balancuar elementet e qëndrueshmërisë financiare të sektorit me ato të mbrojtjes së ambientit dhe të barazisë sociale për shërbimet e FU dhe KUN.
Duke pare angazhimin mjaft serioz të aktorëve të ndryshëm të sektorit në zbatim të reformës, situata duket mjaft optimiste që vendi ynë do të arrijë të përmbushë dhe zbatojë plotësisht parimet e BE të menaxhimit të ujit në një periudhë më të shkurtër sesa presupozon VKM nr.302 për reformën në sektor.
Plotësimi i këtyre kushteve nuk duhet konsideruar thjesht si një detyrim formal për t’ju bashkuar BE-së, por si një domosdoshmëri për një menaxhim të drejtë dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore dhe të shërbimeve të UK për konsumatorët në të ardhmen për vendin tonë.