Intervistë me Vera Canco: Menaxhimi i Rrjetit të Kanalizimeve të Korçës
7 Maj, 2024
Intervistë me Vera Canco: Menaxhimi i Rrjetit të Kanalizimeve të Korçës
Vera Canco, Menaxhere e Rrjetit të Kanalizimeve për Shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Rajoni Korçë, reflekton mbi karrierën e saj dhe sfidat e punës në sektorin e ujit.
Çfarë pëlqeni më tepër në profesionin që keni zgjedhur?
“Në vitet kur unë kam kryer studimet e larta (1982-1987) nuk kishte mundësi zgjedhje për programin e studimit që dëshiroje të studioje. Por, mendoj se kam qenë me fat që vazhdova Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës, sepse ky profesion të jep mundësinë të jesh kreativ, të arrish rezultate konkrete, të bashkëpunosh me shumë njerëz, pra të zhvillohesh si profesionist dhe si njeri.
Aktualisht kryej detyrën e Menaxheres së Rrjetit të Kanalizimeve për qytetin e Korçës dhe Zonat rurale që përfshin Bashkia e Korçës. Sigurisht që ka vështirësitë e veta, për vetë specifikën që kanë problemet e kanalizimeve të ujërave të përdorura, ku ndjeshmëria e qytetarëve është më e lartë dhe riparimi i defekteve duhet bërë në kohë rekord. Puna shpeshherë është pa orar, por kënaqësia që merr kur u jep zgjidhje problemeve, është shumë e madhe.”
Sa vite keni që punoni në sektorin e ujit?
“Kam filluar punë pranë Ujësjellës Kanaizime Rajoni Korçë në vitin 2001. Ishte një sfidë për mua, pasi para kësaj pune, unë kisha punuar në sektorë të tjerë të fushës së ndërtimit, që nuk kishin lidhje me ujësjellësat. Sektori i ujit është i vështirë dhe me përgjegjësi të madhe.
Dihet që historia e Ujësjellësit të Korçës është histori suksesi. Në vitin 2002 përfundoi ndërtimi i ujësjellësit të ri të qytetit. i cili siguroi ujë të pijshëm 24 orë në ditë për konsumatorët. Më pas u bë edhe rikonstruksioni i pjesës më të madhe të rrjetit të kanalizimeve të qytetit si edhe ndërtimi i Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Përdorura të Korçës. Të gjitha këto, sollën përmirësim rrënjësor të shërbimit në këtë sektor.”
Cilat janë sfidat më të mëdha në punën tuaj?
“Ruajtja e standardit të arritur dhe përmirësimi i mëtejshëm i shërbimit ndaj konsumatorëve mbetet sfida kryesore, gjë që nuk është e lehtë, sepse me kalimin e viteve rrjeti amortizohet dhe duhen bërë shpenzime dhe përpjekje më të mëdha për të mbajtur të njëjtin standard shërbimi. Gjithashtu në zonat rurale, me gjithë investimet që janë bërë, ka ende mjaft probleme me rrjetet e amortizuara.
Gjithashtu mendoj se sfidë mbetet edhe menaxhimi i kujdesshëm i resurseve të kompanisë si dhe potencialit njerëzor për të dhënë zgjidhjet e duhura menaxheriale dhe teknike.”
Çfarë mesazhi doni t’i jepni brezit të ri që dëshiron të punojë në sektorin e ujit?
“Sektori i ujit kuptohet që është i një rëndësie jetike dhe me siguri do të marrë edhe më tepër rëndësi dhe vëmendje në të ardhmen. Për këtë arsye edhe kërkesat për njerëz të kualifikuar dhe që e duan profesionin e tyre, do të rritet.
Nëqoftëse të rinjtë kanë dëshirë dhe vullnet për të bërë diçka të mirë dhe ndryshime pozitive për të çuar përpara arritjet e deritanishme, rezultatet nuk do të mungojnë, dhe rezutatet e mira teknike e menaxheriale do të sjellin edhe performancë të mirë ekonomike dhe financiare.”