Pas 42 vitesh në sektorin e ujit, cilat janë disa nga ndryshimet më domethënëse që keni parë në këtë sektor në Shqipëri dhe a mund të tregoni disa nga sfidat me të cilat jeni përballur dhe si i kapërcyet ato?
Ka dy, ndoshta tre momente të ndryshimeve ose të reformave të rëndësishme në sektor. Fillimisht ka qenë në vitin 2000, ligji “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, i cili i kaloi për shërbimet UK përgjegjësinë pushtetit vendor (decentralizimi), si dhe në vitin 2007 VKM “Për transferimin e aksioneve të shoqërive UK në njësitë e qeverisjes vendore”.
Momenti tjetër i rëndësishëm ka qenë në vitin 2016, ku reforma në sektorin e UK konsistoi në një agregim të pjesshëm të shoqërive UK ekzistuese së bashku me zonat rurale, i cili i dha gjithashtu kompetenca ligjore direkte Kryetarëve të Bashkive në menaxhimin e shërbimeve të UK në territorin e tyre administrativ. Ndryshimi i fundit është ai që po zbatohet aktualisht për të gjithë sektorin që konsiston në agregimin e 58 shoqërive UK në 15 shoqëri rajonale, me anë të të cilit zbatohet parimi i ekonomisë së shkallës për të gjithë sektorin, ku tashmë aksioneri kryesor i shoqërive rajonale është përsëri qeveria qendrore me 51% të tyre.
Analiza e sfidave që sektori ka hasur gjatë këtyre reformave kërkon një analizë mjaft të gjatë e të thelluar, por shkurtimisht po japim disa konsiderata në lidhje me këtë argument. Reformat për përmirësimin e performancës së sektorit janë mjaft komplekse, dhe natyrisht ato shoqërohen me elemente pro dhe kundra në konceptimin dhe zbatimin e tyre. Në reformën e parë të decentralizimit të sektorit UK synohej që shërbimi të ishte sa më afër konsumatorëve dhe që pushtetet vendore të merrnin përgjegjësitë për këto shërbime. Qeveria qendrore i mbështeste shoqëritë UK me subvencione, por në mënyrë të vazhdueshme tolerohej mospagimi i faturës së energjisë nga shoqëritë UK ndaj OSHEE-së, duke krijuar një borxh të konsiderueshëm ndaj kësaj të fundit. Kjo politikë krijoi një gjendje komoditeti për pushtetet vendore që ato të mos merrnin realisht përgjegjësitë për këto shërbime. Kryetari i bashkisë realisht nuk kishte përgjegjësi direkte ndaj këtyre shërbimeve; përgjegjësi të cilën e kishte Këshilli Bashkiak përmes Këshillave Mbikëqyrës të shoqërive UK, që në përgjithësi përbëheshin nga njerëz jo kompetentë në fushë. Kjo gjendje solli për pasojë mungesën e monitorimit dhe llogaridhënies nga stafi menaxhues i shoqërive UK dhe, si pasojë, performancë të dobët të sektorit në përgjithësi.
Reforma aktuale ka centralizuar sektorin, ku qeveria qendrore ka marrë direkt përgjegjësinë për menaxhimin e shërbimeve të tij. Ekonomia e shkallës, si dhe serioziteti që po tregohet në zbatimin e reformës duket se po jep rezultate konkrete në përmirësimin e performancës së sektorit. Duke pasur parasysh detyrimet e “Acquis Communautaire”, gjithsesi mbetet sfidë rritja e kapaciteteve të stafit kyç të shoqërive rajonale, realizimi i objektivave të vendosura nga qeveria qendrore, transparenca dhe komunikimi me publikun, si dhe gjetja dhe akordimi i fondeve të nevojshme për investime për uljen e humbjeve fizike dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve.
Gjatë dy mandateve tuaja si Kryetar i Entit Rregullator të Ujit të Shqipërisë, cilat konsideroni se janë arritjet tuaja më të rëndësishme dhe si qasja juaj pragmatike dhe njohuritë e thella te sektorit ndikuan procesin tuaj të udhëheqjes?
Gjatë periudhës 8-vjeçare në krye të ERRU-së janë hartuar ose rishikuar mjaft dokumenta, akte rregullatore si instrumenta në shërbim të procesit të rregullimit të sektorit, ku më e rëndësishmja padyshim është Metodologjia e re e Miratimit të Tarifave të Shërbimeve UK. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, si më të spikatur mund të përmendim disa prej tyre, si: Rishikimi i formatit të hartimit të raportit vjetor për Kuvendin të aktivitetit të ERRU-së, të Raportit të Performancës së Sektorit UK, të raportit vjetor të Bilancit të Ujit nga shoqëritë UK, ndërtimi i një sistemi të pavarur raportimi të dhënash dhe TKPs, formati i ri i hartimit të analizave nga ERRU të aplikimeve për tarifa të reja, rishikimi i Rregulloreve të Seancave Dëgjimore të Shoqërive UK me Publikun dhe i trajtimit të ankesave të konsumatorëve, ndërtimi i një web-page në shqip dhe anglisht me një nivel të dukshëm cilësor, etj. Të gjitha këto arritje janë si rezultat i një pune të të gjithë stafit dhe komisionit të ERRU-së, dhe e them me bindje se sot ERRU përfaqson rregullatorin pararojë në Ballkan dhe ndoshta më gjerë.
Në hartimin e këtyre dokumentave është mbajtur parasysh eksperienca e gjatë dhe njohuritë komplekse inxhinjerike dhe institucionale në sektorin e UK si rezultat i pozicioneve akademike, të menaxhimit të projekteve në sektorin publik, si ekspert i pavarur, dhe së fundi bashkëpunimi mjaft i ngushtë me Shoqatën e Rregullatorëve Evropianë të Ujit (WAREG) dhe Rregullatorët në Ballkan. Në këto të fundit është synuar përftimi i eksperiencave më të mira në Europë dhe më gjerë, të cilat më tej janë konceptuar dhe realizuar në përputhje me kushtet tona si për fazën e tranzicionit dhe të së ardhmes së sektorit UK. I gjithë produkti i mësipërm është realizuar në punën në grup të të gjithë stafit të ERRU-së dhe Komisionit, ku kapacitetet e larta dhe angazhimi mjaft serioz i tyre kanë sjellë këtë performancë bashkëkohore të institucionit.
Cilat ishin konsideratat kryesore në zhvillimin e Metodologjisë së re të Miratimit të Tarifave?
Metodologjia e re e miratimit të tarifave ka karakter mjaft elastik në përgjigje të gjendjes aktuale të sektorit dhe kërkesave të tij në të ardhmen. Ajo përmban metodologjinë “Kosto Plus” për shoqëritë që nuk arrijnë të mbulojnë kostot direkte të O&M dhe “Çmimin Tavan” për shoqëritë financiarisht të qëndrueshme.
Metodologjia e Çmimit Tavan bazohet në normën e kthimit të kapitalit dhe kërkon që shoqëritë të kenë një Plan Biznesi 5 Vjeçar. Zbatimi i kësaj metode kërkon gjithashtu të dhëna ekonomike financiare për inflacionin dhe tregues të tjerë nga institucioni i Bankës së Shqipërisë, INSTAT dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Disa nga ndryshimet në metodologjinë e re përfshijnë, përkatësisht përmirësimet mbi procedurën e vendosjes së tarifave fikse dhe volumetrike, saktësimin e koeficientit të ndër-financimit ndërmjet kategorive të ndryshme të konsumatorëve, rishikimi i normave të amortizimit, rishikimi i parimit të tarifës me blloqe dhe i kriterit të Përballueshmërisë, trajtimi i saktësisë së të dhënave, përfshirja në TKPs e dy treguesve të ankesave të konsumatorëve dhe efikasitetit të energjisë, etj.
Platforma e Data Bazës për Grumbullimin e të Dhënave nga Shoqëritë UK është një projekt i rëndësishëm. Si e keni siguruar saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave të mbledhura?
Realizimi i një sistemi të mbajtjes dhe raportimit të të dhënave i saktë dhe i besueshëm nga shoqëritë UK është një proces kompleks dhe mjaft i vështirë edhe për vende me një sektor mjaft të zhvilluar. Projekti në bashkëpunim me AKUK synon krijimin e një sistemi të besueshëm në përshtatje me realitetin e sotëm të sektorit dhe të së ardhmes. ERRU ka një përvojë mjaft të mirë në përcaktimin e gamës së të dhënave për vlerësimin dhe monitorimin e performances së sektorit. Metodologjia e re e tarifave trajton hollësisht metodën e verifikimit të tyre në qendër e në bazë në mënyrë që ato të jenë sa më të sakta e të besueshme.
Çfarë ndikimi mendoni se ka pasur në këtë sektor Raporti i Bilancit të Ujit dhe rregulloret për seancat dëgjimore publike dhe trajtimin e ankesave?
Raporti i Bilancit të ujit është një instrument mjaft i rëndësishëm për vlerësimin e gjendjes së humbjeve dhe plotësimin e kërkesës për ujë për konsumatorët. Ai përcakton se ku duhet të synohet reduktimi i humbjeve. Nga ana tjetër, ai shërben edhe si instrument verifikimi i plotësimit të Kërkesës për Ujë, sepse pavarësisht se duket sikur nga burimet aktuale mbulohet Kërkesa për Ujë, raporti nxjerr në pah edhe nevojën për burime të reja për disa sisteme të veçanta të furnizimit me ujë.
Kur shoqëritë UK propozojnë tarifa të reja, ERRU i kushton një rëndësi të veçantë procesit realizimit të seancave dëgjimore të tyre me publikun. Procesi i informimit të publikut për tarifat e reja të propozuara duhet të jetë transparent, i argumentuar dhe i kuptueshëm. Ato i mundësojnë publikut që të shprehen për problemet e performancës së shoqërisë dhe cilësisë së shërbimeve që ajo ofron, si dhe për ndërgjegjësimin e konsumatorëve në lidhje me detyrimet dhe pjesëmarrjen në këtë proces.
Si Zv. President i Shoqatës së Rregullatorëve Evropianë të Ujit (WAREG), çfarë njohurish keni fituar në lidhje me sektorin e ujit në nivel evropian që mund të aplikohet në Shqipëri?
Gjatë kohës së Zv.President i WAREG, përfaqësuesit e ERRU kanë qenë mjaft aktivë gjatë veprimtarisë së këtij institucioni në hartimin e raporteve mbi efikasitetin e TKP, humbjet, përballueshmërinë, mbi investimet dhe tarifat etj. Konkretisht, ERRU ka marrë pjesë në Task Forcat për TKP, Investimet dhe kriterin e Përballueshmërisë. Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi në këto aktivitete ka shërbyer si referenca në përmirësimin e instrumenteve rregullatore gjatë veprimtarisë së ERRU, bazuar në përvoja të përparuara të tyre, si dhe në njohjen e thellë të direktivave europiane të ujit, për të cilat vendi ynë tashmë i ka si detyrim në fazën si kandidat për në BE. Përmendim gjithashtu kontributin e veçantë që ERRU ka dhënë në bashkëpunimin me rregullatorët e Ballkanit Perëndimor, ku ka qenë iniciatore dhe promotore për përftimin e dy projekteve nga BE në lidhje me ngritjen e kapaciteteve të rregullatorëve në Ballkan.
Çfarë këshille do t’u jepnit profesionistëve të rinj të ujit që hyjnë sot në sektorin e ujit?
Profesionistët e Rinj të Ujit duhet të jenë të ndërgjegjshëm se kanë fatin të punojnë në një nga fushat më të rëndësishme dhe vitale për njerëzimin që dita-ditës po merr rëndësi primare që kërkon angazhimin dhe kontributin e të gjithëve. Rezervat e ujit të pijshëm në botë janë konstante, ndoshta po vijne duke u zvogëluar për shkak të komprometimit të cilësisë së tyre nga ndotja, ndërkohë që kërkesa për ujë nga popullsia dhe industria është vetëm në rritje. Në këtë kuptim, çështjet e menaxhimit të ujit të pijshëm duhet të jenë në fokusin kryesor të formimit të tyre në nivel bashkëkohor. Nga ana tjetër, të njëjtën rëndësi paraqet dhe fusha komplekse e trajtimit të ujrave të ndotura, e cila kërkon përvetësim dhe përditësim të vazhdueshëm të njohurive dhe që lidhen me to dhe në mënyrë të veçantë, por edhe me direktivat europiane për ujin, ekonominë qarkulluese, emetimin zero të CO2 etj.
Këshilla ime për ta është që ta duan këtë profesion, angazhimin e tyre duhet ta konsiderojnë jo thjesht si profesionistë, por edhe si qytetarë dhe të jenë të bindur që do të ndjejnë kënaqësi për kontributin dhe produktin e tyre.
Sipas mendimit tuaj, cilat janë fushat kryesore që duhet fokusuar për të siguruar performancë të qëndrueshme në sektorin e ujit në Shqipëri?
Për të siguruar një performancë të qëndrueshme të sektorit të ujit, duhet ti referohemi në veçanti disa treguesve kryesorë që pasqyrojnë një performancë të dobët të sektorit. Tashmë është e mirë njohur që janë dy fushat kryesore ku duhet të fokusohet angazhimi për rritjen e performancës financiare të shoqërive, si dhe të cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve.
Së pari, kërkohet ulja e nivelit të humbjeve, ose e Ujit Pa të Ardhura që ndikon negativisht në performancën financiare të shoqërisë, dhe që komprometon plotësimin e Kërkesës për Ujë ndaj konsumatorëve që sjell si pasojë reduktimin e orarit të furnizimit me ujë, rregjim që mund të cënojë edhe sigurinë e shëndetit publik nga uji i rubinetit.
Së dyti, në rritjen e performancës financiare, në përgjithësi operojnë me tarifa relativisht të ulëta që nuk i përgjigjen nivelit të kostove të O&M dhe atyre totale që shoqëritë duhet të përballojnë gjatë aktivitetit të tyre. Një element tjetër kyç për rritjen e performancës financiare është treguesi i Normës së Arkëtimit që në përgjithësi është jo në nivelin e duhur. Kjo kërkon një angazhim më të madh të stafit të shoqërive UK për përmirësimin e tij, por që kërkohet edhe një mbështetje më e fuqishme nga Qeveria Qendrore; domosdoshmëria e kësaj të fundit u tregua qartë në sektorin e energjisë elektrike.
Si ka ndikuar bashkëpunimi juaj me SHUKALB në punën tuaj dhe progresin e sektorit dhe çfarë roli shihni për SHUKALB në avancimin e profesionalizmit dhe performancës së qëndrueshme në sektorin e ujit?
SHUKALB-in e vlerësoj maksimalisht si institucion i cili tashmë qëndron në nivelin e simotrave të shteteve më të përparuara perëndimore. Ai është institucioni që ka promovuar praktikat bashkëkohore të menaxhimit të sektorit të ujit, dhe në veçanti ka organizuar dhe udhëhequr procesin e ngritjes së kapaciteteve për stafet ekzistuese të shoqërive UK dhe të profesionistëve të rinj të ujit. Ai përfaqson një nga aktorët kryesorë në rritjen e performancës së sektorit të UK.
SHUKALB ka qenë mjaft aktiv edhe në arenën ndërkombëtare, ku roli i tij është vlerësuar mjaft si nga Shoqata Ndërkombëtare e Ujit (IWA) dhe Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive të Shërbimeve të Ujit në Zonën Ujëmbledhëse të Lumit Danub (IAWD), duke u përfaqësuar edhe në bordet e niveleve drejtuese më të larta të tyre. Personalish kam qenë anëtar i përhershëm i tij duke bashkëpunuar mjaft ngushtë me të, i cili ka konsistuar në pjesëmarrjen si lektor, me prezantime të vazhdueshme në Konferencat Vjetore të organizuara prej tyre në Shqipëri dhe Kosovë, botime të herë pas herëshme në Revistën Burimi, bashkëpunim i cili do ta vazhdoj edhe në të ardhmen.

