Viti 2024 për SHUKALB në fokus – Mesazh nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive
27 Dhjetor, 2024
Viti 2024 për SHUKALB në fokus – Mesazh nga Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive
Të nderuar Anëtarë, Partnerë dhe Miq,
Ndërsa viti 2024 po përfundon, po ndalemi një moment për të reflektuar mbi progresin tonë këtë vit dhe impaktin e punës sonë.
Gjatë vitit 2024 SHUKALB festoi disa momente kyçe që treguan përkushtimin tonë për të nxitur progresin dhe inovacionin në sektorin e ujit. Ndër pikat kryesore ishte Konferenca dhe Ekspozita e 12-të e Përbashkët Ballkanike, që u mbajt në Prishtinë, Kosovë, nga 5 deri më 7 nëntor, e organizuar bashkërisht me partnerin tonë, SHUKOS. Ky event historike vendosi një rekord të ri të pjesëmarrjes, duke tërhequr mbi 500 profesionistë të ujit nga 21 vende. Konferenca paraqiti 40 prezantime me ndikim të paraqitura nga 85 moderatorë dhe folës, duke adresuar sfidat urgjente dhe duke eksploruar zgjidhje inovative. Paralelisht me Konferencën, Ekspozita Teknike prezantoi zgjidhjet më të fundit nga 26 kompani vendase dhe ndërkombëtare, duke shfaqur gjithçka, nga shërbimet e avancuara inxhinierike deri te mjetet dhe teknologjitë inovative si tubat, pompat, matësat dhe sistemet softuerike.
Në dhjetor, ne u bashkuam me kompaninë Veolia për të organizuar një konferencë të titulluar “ Menaxhimi i Sektorit të Ujit, Ndërtimi i Suksesshëm i Kapaciteteve & Mundësitë e Financimit “. Ky event bashkoi rreth 100 përfaqësues nga entet qeveritare, shoqëritë ujësjellës kanalizime, agjencitë rregullatore, donatorët dhe akademia për të diskutuar mbi përmirësimet e qeverisjes dhe për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit për të përshpejtuar transformimin e sektorit.
Në lidhje me aktivitetet tona për zhvillimin e kapaciteteve në vitin 2024, ne mbajtëm trajnimin e RCDN dhe shkëmbimin mes kolegëve mbi Projektet e Infrastrukturës së Investimeve Kapitale në Sektorin e Ujit, programin e D-LeaP Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave dhe Programin D-LeaP Menaxhimi i Aseteve, në të cilat morën pjesë gjithsej 33 pjesëmarrës nga 7 shoqëri rajonale ujësjellës kanalizime në të gjithë Shqipërinë. Ofrimi i këtyre programeve nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e projektit RCDN dhe D-LeaP.
Për vitin 2025, SHUKALB është i angazhuar të vazhdojë të ofrojë programe të zhvillimit të kapaciteteve që i përgjigjen nevojave të shoqërive ujësjellës kanalizimeve, si dhe nevojave të sektorit më të gjerë të ujit, duke përdorur burimet tona si dhe mundësi të tjera si pjesë e projekteve rajonale apo dhe mbështetjeve nga donatorët.
Në partneritet me SHUKOS, ne vazhduam dhe zhvilluam me sukses raundin e 10-të të Programit Krahasimi i Standardizuar (Benchmarking) për Shoqëritë UK në Shqipëri dhe Kosovë, në kuadër të Partneritetit te Danubit (D-LeaP), për 10 shoqëri në Shqipëri dhe Kosovë.
Në kuadër të Projektit Rrjetit Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve (RCDN), gjatë vitit 2024, SHUKALB ka punuar për rishikimin e Statutit dhe Planit Strategjik të Biznesit 2025-2029. Këto rishikime janë pjesë e përpjekjeve të SHUKALB për të bashkë-renduar drejtimin e tij strategjik me reformat e fundit në sektorin e ujit.
Gjithashtu, gjatë vitit 2024, u krijuan dy Grupe Pune Ndërinstitucionale, 1) Menaxhimi i Burimeve Njerëzore dhe 2)Menaxhimi i Ujërave të Ndotura, të cilat synojnë të forcojnë përpjekjet e SHUKALB për avokim dhe dialog politik mbi këto dy tema të rëndësishme për sektorin e ujit në Shqipëri.
Përpjekjet tona për ndërgjegjësimin publik përfshinin si tradicionalisht festimin e Ditës Botërore të Ujit 2024 me temë “Uji për Paqe”. SHUKALB mbështeti shoqëritë UK anëtarë me fushata ndërgjegjësimi dixhitale ku shfaqeshin video dhe postera informues, si dhe fushata ku u shpërndanë materiale si fletëpalosje, bluza dhe çanta. Pavarësisht financimit të kufizuar, ne vazhduam programin “Miqtë e Ujit” duke prodhuar kalendarin për vitin 2025 me punimt artistike të fëmijëve nga ekspozitat e kaluara. Ky kalendar iu shpërnda shoqërive UK, institucioneve dhe partnerëve.
SHUKALB qëndroi aktiv në skenën rajonale dhe ndërkombëtare, duke marrë pjesë në konferenca dhe duke shkëmbyer ekspertizën mbi programet e ndërgjegjësimit dhe edukimit, zhvillimin e kapaciteteve dhe gjendjen e përgjithshme të sektorit të ujit në Shqipëri. Këto angazhime na lejuan të kontribuojmë në diskutime të rëndësishme dhe të përfaqësojmë sektorin e ujit në Shqipëri në nivele të ndryshme.
Viti 2024 ishte sfidues dhe shpërblyes. Ne jemi krenarë për arritjet tona dhe mbetemi të përkushtuar për të ndërtuar mbi këto themele në vitin 2025. Me energji dhe fokus të rinovuar, SHUKALB do të vazhdojë të shërbejë si lider në avancimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të ujit në Shqipëri.
Faleminderit të gjithëve që kanë kontribuar në zhvillimet tona këtë vit, dhe në veçanti anëtarëve tanë, Bordit të Drejtorëve, partnerëve dhe mbështetësve dhe gjithë Ekipit të SHUKALB. Së bashku me ju, ne presim një vit të suksesshëm dhe me ndikim përpara.
Ju uroj të gjithëve një sezon të gëzueshëm dhe një Vit të Ri të Gëzuar, të begatë dhe të shëndetshëm dhe duke pritur me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në 2025!