Forcimi i Sektorit të Ujërave të Ndotura në Shqipëri: Nga Dialogu në Veprim
9 Shtator, 2025
Forcimi i Sektorit të Ujërave të Ndotura në Shqipëri: Nga Dialogu në Veprim
Prof. Enkelejda Gjinali, Universiteti Politeknik i Tiranës (në këmbë), dhe pjesëmarrësit gjatë takimit të avokimit më 18 korrik 2025 Foto nga SHUKALB
Më 18 korrik 2025, SHUKALB, në kuadër të Programit RCDN+, organizoi një takim avokimi në Hilton Garden Inn në Tiranë për të prezantuar dhe konsultuar mbi draftin e Letrës së Pozicionit për Sektorin e Ujërave të Ndotura në Shqipëri. Takimi mblodhi përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Ujore, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Instituti i Shëndetit Publik, Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë dhe Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Berat.
Pjesëmarrësit trajtuan sfidat urgjente si infrastruktura e vjetër, mbulimi i pabarabartë i shërbimeve, burimet e kufizuara financiare dhe mungesa e profesionistëve të trajnuar. Të moderuara nga Prof. Enkelejda Gjinali nga Universiteti Politeknik i Tiranës, diskutimet nxorën në pah nevojën urgjente për të përafruar sektorin me standardet mjedisore të BE-së dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. Pjesëmarrësit eksploruan mënyra për të operuar programe certifikimi për stafin e sektorit, për të përditësuar udhëzimet teknike të projektimit dhe për të adresuar pengesat në rrjetet e kanalizimeve, veçanërisht në zonat rurale dhe peri-urbane.
Draft-Letra e Pozicionit përshkroi një plan veprimi të ndërtuar mbi tre shtylla: rritje të investimeve financiare, koordinim më të fortë institucional dhe targetimi i ngritjes së kapaciteteve. Palët e interesit dhanë rekomandime praktike për të siguruar që dokumenti të pasqyronte realitetet në terren, duke theksuar se menaxhimi efektiv i ujërave të ndotura është kritik si për shëndetin publik, ashtu edhe për mbrojtjen e mjedisit.
Një hap më tej: Finalizimi i vizionit
Duke marë shkas nga kjo arritje, SHUKALB organizoi një takim pasues më 30 korrik 2025, duke mbledhur së bashku 22 përfaqësues nga 15 institucione. Ky sesion u përqendrua në finalizimin e Letrës së Pozicionit dhe thellimin e diskutimit mbi zhvillimin e burimeve njerëzore – një sfidë thelbësore për qëndrueshmërinë e sistemeve të ujërave të ndotura të Shqipërisë.
Pjesëmarrësit përsëritën shqetësimet në lidhje me shkarkimet informale të vendbanimeve në kanale të hapura të pakontrolluara, mungesën e infrastrukturës së ujërave të ndotura në planet e zhvillimit urban dhe mospërputhjet në standardet teknike të shkaktuara nga përkthime të shumëfishta. Vëmendje e veçantë iu kushtua udhëzuesit të vitit 2018 për projektimin e ujërave të ndotura (VKM nr. 83), për të cilin palët e interesit ranë dakord se duhet të përditësohet dhe të zbatohet plotësisht.
Rekomandimet përfshinin mobilizimin e fondeve kombëtare dhe të donatorëve, forcimin e programeve të trajnimit të strukturuar dhe certifikimit të bazuar në testim (Udhëzimi MIE nr. 660), zhvillimin e strategjive të mbajtjes për stafin teknik dhe krijimin e një sistemi të fuqishëm monitorimi për shoqëritë UK. Takimi gjithashtu theksoi angazhimin e të diplomuarve të rinj përmes praktikave dhe bashkëpunimit kërkimor për të ndërtuar fuqinë punëtore të ardhshme të sektorit.
Angazhim i përbashkët për të ardhmen
Me konsensusin e gjerë të arritur, Letra e Pozicionit do të finalizohet dhe do të qarkullojë për vlerësim institucional. SHUKALB dhe partnerët e tij janë të përkushtuar për të ruajtur këtë momentum bashkëpunues, duke siguruar që menaxhimi i ujërave të ndotura të mbetet një përparësi kombëtare e zhvillimit.
Përmes këtyre dy takimeve të avokimit, SHUKALB tregoi rolin e tij si një platformë unifikuese për palët e interesit, duke kombinuar avokimin e politikave, promovimin e investimeve dhe ndërtimin e kapaciteteve për të avancuar shërbimet e qëndrueshme dhe me cilësi të lartë të ujërave të ndotura në të gjithë Shqipërinë.
Pjesëmarrësit e Takimit të Avokimit Foto nga SHUKALB