SHUKALB përfundon me sukses Trajnimin 3-ditor të Përgjithshëm të Trajnerëve në kuadër të projektit RCDN+
14 Tetor, 2025
SHUKALB përfundon me sukses Trajnimin 3-ditor të Përgjithshëm të Trajnerëve në kuadër të projektit RCDN+
Pjesëmarrësit e ToT gjatë një sesioni diskutimi në grup Foto nga SHUKALB
Nga data 10–12 shtator 2025, në ambientet e Hotel Hilton Garden Inn, Tiranë, SHUKALB zhvilloi me sukses Trajnimin 3-ditor të Përgjithshëm të Trajnerëve, organizuar në kuadër të projektit RCDN+ (Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve).
Ky trajnim kishte si qëllim forcimin e kompetencave metodologjike të profesionistëve të sektorit të ujit për ofrimin e trajnimeve me cilësi të lartë, në përputhje me Standardet e Cilësisë RCDN.
Gjatë tre ditëve të programit, trajnerë nga Pool-i i Trajnerëve të SHUKALB, si dhe përfaqësues të shoqërive ujësjellës-kanalizimeve dhe institucioneve publike, morën pjesë në një seri sesionesh interaktive që kombinonin konceptet teorike me ushtrime praktike.
Sejla Kokojka (në këmbë) nga Shoqëria Rajonale UK Korçë, duke prezantuar gjatë sesionit të praktikimit të aftësive të trajnerëve. Foto nga SHUKALB
Trajnimi u drejtua nga Master Trajnerja Evis Gjebrea, PhD, në bashkëpunim me Frosela Filo dhe Olta Alla, të cilave SHUKALB u shpreh mirënjohjen për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar.
Programi përfshiu një gamë të gjerë temash, ndër to:
Cikli i Menaxhimit të Trajnimit dhe Standardet e Cilësisë për Ofrimin e Trajnimeve;
Dizajni i programeve mësimore dhe aftësitë didaktike për të rritur;
Teknikat e trajnimit dhe lehtësimit efektiv, duke përfshirë role-playing, prezantime dhe diskutime në grup;
Menaxhimi i sfidave dhe i pjesëmarrësve të vështirë, si dhe vlerësimi reflektues i performancës së trajnerëve.
Në ditën e fundit, pjesëmarrësit patën mundësinë të praktikonin aftësitë e fituara përmes sesioneve të simuluara të trajnimit, duke marrë feedback nga trajnerët dhe kolegët.
Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të sektorit të ujit në Shqipëri, si pjesë e angazhimit të SHUKALB për të ofruar trajnime të standardizuara dhe të harmonizuara rajonalisht, sipas qasjes së RCDN+.
Përmes këtyre iniciativave, SHUKALB synon të rrisë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të zhvillimit të kapaciteteve, duke kontribuar drejtpërdrejt në profesionalizimin e mëtejshëm të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në vend.
Pjesëmarrësit e Trajnimit të Përgjithshëm të Trajnerëve Foto nga SHUKALB