SHUKALB zhvillon Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme 2025
8 Nëntor, 2025
SHUKALB zhvillon Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme 2025
Elisabeta Poci, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë prezantimit të saj. Foto nga: SHUKALB
Më 10 tetor 2025, SHUKALB zhvilloi Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme në ambientet e Xheko Imperial Luxury Hotel & Spa, në Tiranë.
Takimi mblodhi së bashku përfaqësues nga shoqëritë ujësjellës kanalizime Tiranë, Korçë, Shkodër, Lezhë, Berat, Durrës dhe Pogradec, si edhe përfaqësues të kompanive private dhe anëtarë individualë të shoqatës.
Mbledhja kishte si qëllim informimin dhe angazhimin e anëtarëve mbi zhvillimet kryesore të vitit 2025, si dhe diskutimin mbi drejtimet strategjike të SHUKALB për periudhën 2025–2030.
Në hapje të takimit, Presidenti i SHUKALB, Petrit Tare, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve për forcimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në vend.
Në vijim, Elsiabeta Poçi, Drejtore Ekzekutve e SHUKALB prezantoi një përmbledhje të zhvillimeve gjatë vitit, duke përfshirë fushat kryesore të veprimtarisë: anëtarësimin, programet e trajnimit dhe zhvillimit të kapaciteteve, projektet, aktivitetet e edukimit dhe ndërgjegjësimit publik, si dhe përgatitjet për Konferencën dhe Ekspozitën e Përbashkët Ballkanike 2025.
Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me procesin e rishikimit të Statutit dhe Rregulloreve të SHUKALB, si dhe me objektivat dhe prioritetet kryesore të Planit Strategjik 2025–2030.
Mbledhja u shoqërua me diskutime të hapura, ku anëtarët patën mundësinë të ndajnë sugjerime, ide dhe propozime për përmirësimin e veprimtarisë së Shoqatës dhe forcimin e rolit të saj në mbështetje të sektorit.