SHUKALB nis programin e tij “Miqtë e Ujit” për vitin 2025
8 Nëntor, 2025
SHUKALB nis programin e tij “Miqtë e Ujit” për vitin 2025
Olta Alla, Menaxhere e Programeve dhe Koordinatore e Trajnimeve, SHUKALB (në këmbë) gjatë seseioneve të trajnimit me mësuesit në Lezhë Foto nga SHUKALB
SHUKALB ka nisur zbatimin e programit të tij të edukimit dhe ndërgjegjësimit “Miqtë e Ujit” për vitin 2025, një nismë që synon të edukojë brezat e rinj mbi rëndësinë e ujit dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Programi është i dedikuar nxënësve të klasave të treta të shkollave fillore dhe zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.
Këtë vit, “Miqtë e Ujit” përfshin gjithsej 6 shoqëri ujësjellës kanalizime dhe 12 shkolla fillore në 6 bashki të vendit: Elbasan, Berat, Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Fier. Zbatimi i programit në këto bashki po realizohet në partneritet me Programin Infrastruktura Bashkiake (WPIP/MIP V).
Sesione trajnimi me mësues në Elbasan
Gjatë muajit tetor, SHUKALB zhvilloi trajnimet me mësuesit e shkollave pjesëmarrëse, të cilët do të udhëheqin nxënësit në realizimin e aktiviteteve të programit. Në kuadër të programit, mësuesit do të zhvillojnë orë të dedikuara, ku fëmijët do të kenë mundësinë të shprehin idetë e tyre përmes vizatimeve mbi rëndësinë e ujit dhe mbrojtjen e burimeve ujore.
Vizatimet e realizuara nga fëmijët do të prezantohen fillimisht në ekspozita lokale në çdo bashki pjesëmarrëse. Më pas, tre vizatimet më të mira nga secila shkollë do të përzgjidhen për të qenë pjesë e Ekspozitës Kombëtare “Uji përmes syve të fëmijëve”, e cila do të organizohet nga SHUKALB më 15 dhjetor 2025, në Europe House, Tiranë.
Nëpërmjet këtij programi, SHUKALB synon të ndërtojë një lidhje të hershme midis fëmijëve dhe kujdesit ndaj mjedisit, duke i bërë ata “miqtë” e vërtetë të ujit dhe të ardhmen e qëndrueshme të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri.