Inaugurohet në Himarë Impianti i ri i Trajtimit të Ujërave të Ndotura
4 Dhjetor, 2025
Inaugurohet në Himarë Impianti i ri i Trajtimit të Ujërave të Ndotura
Një impiant i ri për trajtimin e ujërave të ndotura është inauguruar zyrtarisht në qytetin bregdetar jugor të Himarës, duke shënuar një moment të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Ky investim i rëndësishëm do të sigurojë që asnjë ujë i ndotur i patrajtuar të mos derdhet më në ujërat e pastra të Detit Jon përgjatë vijës bregdetare të Himarës, duke garantuar mbrojtje të ekosistemit dhe kushte më të sigurta për komunitetin dhe turizmin.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë autoritete vendore dhe ndërkombëtare, ndër to Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë, Flaures Shoshi, Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, Ermal Murati, Drejtoresha për Shqipërinë në Ministrinë Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Marion Fleuth-Leferink, Shefi i Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim në Ambasadën Gjermane në Tiranë, Iven Schad, Drejtoresha e Zyrës së KfW në Shqipëri, Mara Drochner, si dhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë nga KfW.
Impianti është ndërtuar në kuadër të Programit IV të Furnizimit me Ujë për Zonat Rurale, dhe financohet nga Qeveria Gjermane përmes Bankës së Zhvillimit KfW me një investim prej 42 milionë eurosh, i cili plotësohet nga një grant prej 4.2 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), menaxhuar po nga KfW. Projekti zbatohet në nivel lokal nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (ADF). Ky investim përfaqëson angazhimin e fortë të partnerëve ndërkombëtarë dhe autoriteteve shqiptare për mbrojtjen e mjedisit natyror dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetet bregdetare.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Flaures Shoshi, u shpreh se me vendosjen në punë të këtij impianti, pastërtia e ujërave të trajtuar garanton një nivel prej 96%, duke bërë që ujërat e ndotura të trajtuara që derdhen në det të jenë të pastër dhe të mund të përdoren edhe për vaditje. Ai theksoi gjithashtu se këtij investimi i shtohen nisma të reja, pasi Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka nisur hartimin e projekteve për impiantet e Qeparoit, Jalës dhe Borshit. Ndërkohë, Drejtori i UK Rajoni Vlorë, Ermal Murati, e cilësoi këtë projekt si një megainvestim për Bashkinë e Himarës, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në turizëm dhe ekonomi, duke nënvizuar se tashmë përballen me sfidën e trajnimit të stafit për operimin e impiantit, ndërsa projekti vijon së shpejti edhe me impiantin e Orikumit.
Ky impiant i ri garanton që asnjë ujë i patrajtuar të mos derdhet më në det, duke mbrojtur ujërat e pastra të Jonit dhe duke siguruar plazhe të pastra, një mjedis të shëndetshëm dhe turizëm të qëndrueshëm për komunitetin lokal dhe vizitorët që zgjedhin Himarën si destinacion.