Ndërsa përmbyllim një vit tjetër, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për besimin, mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin tuaj. Përkushtimi juaj ka qenë thelbësor për progresin e arritur në forcimin e sektorit të ujit në Shqipëri, dhe mirëpresim në vazhdim të ndërtojmë mbi këto arritje dhe të ndjekim objektiva të reja në 2026.
Ju përcjellim urimet tona më të mira për festa të gëzuara, shëndet të mirë dhe një Vit të Ri të suksesshëm e të begatë për ju dhe familjet tuaja.
Ndërsa po hyjmë në vitin 2026, jemi të lumtur ta shohim vitin 2025 me krenari dhe mirënjohje. Jemi mirënjohës ndaj anëtarëve tanë, besimi dhe angazhimi i të cilëve është në thelb të suksesit tonë, dhe ndaj partnerëve tanë për bashkëpunimin e tyre të vlefshëm. Viti 2025 na dha shumë arsye për të festuar dhe duam të ndalemi pak për të njohur disa nga arritjet tona.
Ndër momentet kryesore të vitit 2025 ishte suksesi rekord i Konferencës dhe Ekspozitës së 13-të të Përbashkët Ballkanike, e mbajtur në Durrës, Shqipëri, nga 11 deri më 13 nëntor. Konferenca mblodhi së bashku mbi 500 profesionistë të ujit nga 22 vende, duke përfshirë përfaqësues nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, kompanitë private, akademia, partnerët e zhvillimit dhe agjencitë qeveritare. Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit u angazhuan në 37 prezantime të hollësishme të mbajtura nga 85 folës, duke nxitur diskutime kuptimplote mbi sfidat në zhvillim të sektorit të ujit në rajon dhe zgjidhjet inovative. Krahas Konferencës, Ekspozita Teknike paraqiti zgjidhje të përparuara nga 27 kompani vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë shërbime të avancuara inxhinierike, tuba, pompa, matësa dhe sisteme softuerësh.
Në vitin 2025, programi i trajnimeve dhe zhvillimit të kapaciteteve të SHUKALB në vitin 2025 përfshinte dy programe të D-LeaP, programin “Akses në Financim”, i cili u ofrua për herë të parë në Shqipëri, dhe programin “Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave”. Përveç kësaj, në kuadër të projektit RCDN+ u ofrua “Hyrje në Sistemet e Ujërave të Ndotura për Menaxherët dhe Inxhinierët” dhe Trajnimi i Përgjithshëm i Trajnerëve. Në këto programe morën pjesë përfaqësues nga 11 shoqëri rajonale ujësjellës kanalizime dhe institucione partnere si ERRU, AKUK dhe AMBU. Ofrimi i tyre u bë i mundur me mbështetjen e projektit Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve (RCDN) dhe Partneritetit të Danubit (D-LeaP).
Duke parë përpara drejt vitit 2026, SHUKALB mbetet i përkushtuar për të ofruar programe që plotësojnë nevojat në zhvillim të shoqërive ujësjellës kanalizime dhe sektorit më të gjerë, duke shfrytëzuar si burimet e veta ashtu edhe mbështetjen rajonale të projekteve dhe donatorëve.
Në partneritet me SHUKOS, ne vazhduam dhe zhvilluam me sukses raundin e 11-të të Programit Krahasimi i Standardizuar (Benchmarking) për Shoqëritë UK në Shqipëri dhe Kosovë, në kuadër të Partneritetit te Danubit (D-LeaP), për 10 shoqëri në Shqipëri dhe Kosovë.
Në kuadër të Projektit RCDN, gjatë vitit 2025, SHUKALB organizoi disa takime avokuese me anëtarët e dy Grupeve Ndërinstitucionale të Punës, Grupit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore dhe Grupit të Menaxhimit të Ujërave të Ndotura. Si rezultat i diskutimeve nga këto takime, SHUKALB publikoi një Letër Pozicioni të titulluar “Forcimi i sektorit të ujërave të ndotura në Shqipëri nëpërmjet investimeve, mbështetjes së politikave dhe zhvillimit të burimeve njerëzore”. Ky dokument ofron një qasje të integruar, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt rezultateve, që synon përmirësimin e bashkëpunimit institucional, rritjen e efikasitetit të shërbimeve, mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Si pjesë e përpjekjeve të saj për Edukimin dhe Ndërgjegjësimin Publik, SHUKALB mbështeti shoqëritë UK në të gjithë Shqipërinë në festimin e Ditës Botërore të Ujit 2025 të titulluar “Ruajtja e Akullnajave”. Për të rritur vizibilitetin, SHUKALB siguroi video të shkurtra, postera dhe materiale të tjera dixhitale që shoqëritë UK i përdorën në fushatat lokale të ndërgjegjësimit mbi ruajtjen e ujit dhe kuptimin e faturave të ujit për familjet. Programi kryesor “Miqtë e Ujit” për nxënësit e klasës së treta, angazhoi gati 2,000 fëmijë në tetë rajone të vendit. I mbështetur nga Programi Infrastruktura Bashkiake V në gjashtë rajone dhe nga vetë SHUKALB në Korçë dhe Durrës, programi i inkurajoi nxënësit të ndanin mesazhe mbi mbrojtjen e burimeve ujore përmes vizatimeve të tyre. Me 12 vizatimet fituese të përzgjedhura, SHUKALB ka përgatitur kalendarin e vitit 2026, i cili po u shpërndahet shoqërive UK dhe institucioneve partnere si një mjet praktik për ndërgjegjësim të vazhdueshëm.
Në dhjetor, SHUKALB u bashkua me Novamat shpk dhe BIOWORKS® Verfahrenstechnik GmbH për të bashkëorganizuar një workshop mbi teknologjitë moderne të trajtimit të ujërave të ndotura, duke bashkuar institucionet publike, shoqëritë UK, rregullatorët, donatorët, kompanitë private dhe akademinë për të promovuar zgjidhje të qëndrueshme për përmirësimin e performancës së impianteve. Më herët, në nëntor, SHUKALB dhe SHUKOS mbajtën një workshop para-konferencë për “Transferimin e Teknologjisë” në kuadër të Konferencës së Përbashkët Ballkanike, duke lidhur shoqëritë UK nga Shqipëria dhe Kosova, institucionet publike, kompanitë dhe ofruesit e teknologjive për prezantime koncize dhe shkëmbime profesionale. Të dyja iniciativat mbështesin drejtpërdrejt objektivin strategjik të SHUKALB për të lidhur teknologjinë dhe transferimin e njohurive midis sektorit privat dhe profesionistëve.
Gjatë gjithë vitit, SHUKALB mori pjesë aktive në platforma kryesore në të gjithë Evropën dhe më gjerë, nga dialogu mbi politikat në Oslo deri te bashkëpunimi i shoqërive UK në Azinë Qendrore dhe diskutimet globale mbi sigurinë e ujit në Bangkok. Këto angazhime thelluan bashkëpunimin rajonal, mbështetën zhvillimin profesional dhe zgjeruan mundësitë për mësimin ndërkufitar, duke përforcuar angazhimin e SHUKALB për të sjellë në vend praktika të përparuara që ndihmojnë në ndërtimin e një sektori uji më të qëndrueshëm dhe inovativ për Shqipërinë dhe rajonin e gjerë.
Çdo arritje e këtij viti forcon themelin tonë për rritje dhe inovacion të vazhdueshëm në vitin 2026. Ne presim në vazhdim të ndërtojmë mbi këto suksese, të avancojmë menaxhimin e qëndrueshëm të ujit dhe të nxisim zhvillimin e sektorit tonë në Shqipëri dhe rajonin e gjerë.