Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Botërore të Ujit 2026!
4 Mars, 2026
Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Botërore të Ujit 2026!
Dita Botërore e Ujit, e cila festohet çdo vit më 22 mars, është një iniciativë globale e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara për të theksuar rëndësinë e ujërave të ëmbla dhe për të advokuar menaxhimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të tyre. Çdo vit, kjo ditë i kushtohet një teme të veçantë të lidhur me ujin, dhe për vitin 2026 tema e zgjedhur është “Uji dhe Barazia Gjinore.”
Tema e këtij viti nxjerr në pah lidhjen e ngushtë midis ujit dhe barazisë gjinore. Në mbarë botën, gratë dhe vajzat preken në mënyrë disproporcionale nga mungesa e ujit të sigurt, shërbimeve të kanalizimeve dhe higjienës. Ato shpesh mbajnë përgjegjësinë për sigurimin dhe menaxhimin e ujit për familjet e tyre, kujdesen për anëtarët e familjes të prekur nga sëmundjet që lidhen me ujin dhe përballen me pasojat e shërbimeve të pamjaftueshme. Në të njëjtën kohë, ato shpesh janë të nën-përfaqësuara në vendimmarrje dhe në pozicione drejtuese në sektorin e ujit.
Dita Botërore e Ujit 2026 bën thirrje për vendosjen e grave dhe vajzave në qendër të zgjidhjeve për ujin — jo vetëm si përfituese të shërbimeve, por si drejtuese, inxhiniere, operatore, menaxhere dhe aktore ndryshimi brenda sektorit. Sepse kur shërbimet e ujit janë gjithëpërfshirëse dhe formësohen nga zëra të ndryshëm, ato bëhen më të qëndrueshme dhe më efektive. Siç na kujton edhe fushata globale: Aty ku rrjedh uji, rritet barazia.
Ashtu si në vitet e mëparshme, SHUKALB mbështet aktivisht shoqëritë ujësjellës kanalizime në të gjithë Shqipërinë në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe informuese publike për të shënuar këtë rast të rëndësishëm. Edhe këtë vit, SHUKALB ka zhvilluar një fushatë gjithëpërfshirëse ndërgjegjësimi që përfshin materiale promovuese dixhitale, materiale edukative të printuara dhe artikuj të veçantë promovues si bluza, çanta dhe karfica me logon e Ditës Botërore të Ujit 2026 së bashku me logot e shoqërive UK pjesëmarrëse.
Festimi i Ditës Botërore të Ujit 2025 në Sarandë
Shoqëritë ujësjellës kanalizime inkurajohen të bëhen pjesë e kësaj nisme duke organizuar aktivitete në qytetet e tyre. Ashtu si në vitet e kaluara, aktivitetet mund të përfshijnë evente të hapura ndërgjegjësuese në qendrat e qyteteve, sesione edukative me nxënës të shkollave, si dhe ekspozime posterash me mesazhe kyçe mbi kursimin e ujit, kanalizimet dhe rëndësinë e shërbimeve gjithëpërfshirëse të ujit. Këtë vit, shoqëritë UK inkurajohen veçanërisht të theksojnë rolin e grave profesioniste në organizatat e tyre dhe të promovojnë pjesëmarrjen dhe lidershipin e barabartë në sektorin e ujit.
Festimi i Ditës Botërore të Ujit 2025 në Shkodër
Një fokus i veçantë këtë vit i kushtohet organizimit të aktiviteteve OPEN DAY në impiantet e trajtimit të ujit dhe në ambientet e ndërmarrjeve, duke u ofruar qytetarëve dhe nxënësve mundësinë të mësojnë më shumë mbi proceset e furnizimit me ujë dhe menaxhimit të ujërave të ndotura — si dhe të takojnë profesionistët, gra dhe burra, që sigurojnë çdo ditë shërbime të besueshme.
Festimi i Ditës Botërore të Ujit 2025 në Korçë
SHUKALB do të ofrojë materiale të personalizuara për shoqëritë uk për të siguruar që mesazhi mbi ujin dhe barazinë gjinore të arrijë sa më shumë qytetarë. Shoqëritë UK që dëshirojnë të organizojnë aktivitete ndërgjegjësuese për Ditën Botërore të Ujit 2026 janë të mirëpritur të kontaktojnë SHUKALB përmes adresës së e-mailit program@shukalb.al. Gjithashtu ftojmë të gjitha shoqëritë pjesëmarrëse të ndajnë foto nga eventet e tyre, të cilat do të shfaqen në platformat tona të mediave sociale, si dhe do te publikohen në numrin e ardhshëm të buletinit elektronik BURIMI.
Le të punojmë së bashku për të promovuar shërbime gjithëpërfshirëse të ujit, për të fuqizuar profesionistët e sektorit dhe për ta bërë ujin një forcë për barazi.
Bashkohuni me ne në festimin e Ditës Botërore të Ujit 2026!