SHUKALB kontribuon në Konferencën Kombëtare për Edukimin pas Shkollor në Shqipëri
9 Prill, 2026
SHUKALB kontribuon në Konferencën Kombëtare për Edukimin pas Shkollor në Shqipëri
Sh.S. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre e Arsimit dhe Sportit (në skenë) gjatë fjalimit të saj në Konferencën Kombëtare Foto nga Ministria e Arsimit dhe Sportit
Më 19 mars 2026, në ambientet e The Plaza Hotel, Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, në bashkëpunim me British Council, organizoi Konferencën Kombëtare “Edukimi Pas Shkollor në Shqipëri – Politika, Standarde dhe Modele për Zhvillim Gjithëpërfshirës”. Konferenca mblodhi së bashku politikëbërës, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, përfaqësues institucionesh, organizatash dhe komunitetit arsimor për të diskutuar rolin transformues të edukimit pas shkollor në zhvillimin e aftësive të shekullit XXI.
Në këtë platformë të rëndësishme kombëtare, SHUKALB u ftua të kontribuojë në diskutime, duke u vlerësuar për përvojën disa vjeçare në hartimin dhe zbatimin e programeve edukuese dhe ndërgjegjësuese për fëmijë, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë.
Diskutimet u përqendruan në kuadrin politik dhe strategjik për aktivitetet jashtëkurrikulare, praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe modelet gjithëpërfshirëse që mbështesin zhvillimin e gjithanshëm të nxënësve dhe ndërtimin e kompetencave për të ardhmen.
Në kuadër të tryezave tematike, Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive, dhe Olta Alla, Menaxhere e Programeve, përfaqësuan SHUKALB në Tryezën 8: “Natyrë dhe Qëndrueshmëri: Edukim Mjedisor në Veprim”.
Gjatë sesionit, përfaqësueset e SHUKALB ndanë përvojën e tyre praktike në zbatimin e programeve edukuese, me fokus të veçantë në ndërgjegjësimin mjedisor dhe menaxhimin e burimeve ujore. Diskutimi trajtoi sfidat e mundshme në zhvillimin dhe zgjerimin e programeve pas shkollore, përfshirë koordinimin institucional, alokimin e burimeve dhe përfshirjen e komunitetit.
Duke u bazuar në përvojën e SHUKALB, ato theksuan zgjidhje konkrete për adresimin e këtyre sfidave, duke vënë në pah rëndësinë e programeve të strukturuara të ndërgjegjësimit dhe partneriteteve me shkollat dhe institucionet. Kontributi i tyre nënvizoi se si edukimi mjedisor—veçanërisht në lidhje me mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të ujit—mund të integrohet në mënyrë efektive në aktivitetet pas shkollore, duke mbështetur formimin e qytetarëve të rinj të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për mjedisin.
SHUKALB mbetet i angazhuar në forcimin e ndërgjegjësimit dhe edukimit në sektorin e ujit, duke vijuar mbështetjen e nismave që përfshijnë brezat e rinj dhe kontribuojnë në një të ardhme më të qëndrueshme.