Afati për Dorëzimin e Abstrakteve po afron – Konferenca dhe Ekspozita e 14-të e Përbashkët Ballkanike
3 Shtator, 2026
Afati për Dorëzimin e Abstrakteve po afron – Konferenca dhe Ekspozita e 14-të e Përbashkët Ballkanike
Në emër të SHUKALB dhe SHUKOS, dëshirojmë t’u rikujtojmë të gjithë profesionistëve dhe organizatave të interesuara se afati për dorëzimin e abstrakteve për Konferencën dhe Ekspozitën e 14-të të Përbashkët Ballkanike po afron – 11 shtator 2026.
Konferenca do të mbahet nga data3 deri më 5 nëntor 2026 në Prishtinë, Kosovë, në ambientet e Hotel Emerald, nën temën “Uji dhe Mundësi të Barabarta”.
Konferenca e këtij viti do të trajtojë rëndësinë e zhvillimit të një sektori uji që nuk është vetëm teknikisht i fortë, por edhe i drejtë, gjithëpërfshirës dhe i përgjegjshëm ndaj nevojave të komuniteteve. E frymëzuar nga tema e Ditës Botërore të Ujit 2026, “Uji dhe Barazia Gjinore”, Konferenca do të trajtojë si aksesin e barabartë në shërbimet e ujit dhe kanalizimeve, ashtu edhe mundësitë e barabarta brenda vetë sektorit të ujit.
Programi do të mbledhë së bashku profesionistë të shoqërive ujësjellës-kanalizime, përfaqësues të institucioneve publike, politikëbërës, partnerë zhvillimi, akademikë, studiues, përfaqësues të sektorit privat dhe profesionistë të rinj, për të ndarë përvoja, kërkime, qasje inovative dhe zgjidhje praktike. Temat kryesore do të përfshijnë aksesin e barabartë në shërbime, modernizimin e infrastrukturës, transformimin dixhital, sfidat klimatike, përputhshmërinë me legjislacionin, inovacionin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore.
Prandaj, ftojmë profesionistët, institucionet, shoqëritë UK, përfaqësuesit e sektorit privat, akademinë dhe profesionistët e rinj që dëshirojnë të kontribuojnë në Programin e Konferencës që të dorëzojnë abstraktet e tyre deri më 11 shtator 2026.
Për informacion të detajuar mbi temat e Konferencës, kërkesat për dorëzimin e abstrakteve dhe udhëzimet përkatëse, ju lutemi referojuni Broshurës së Thirrjes për Abstrakte.
Ndërkohë, regjistrimet për Konferencën janë tashmë të hapura, ndaj inkurajojmë të gjithë pjesëmarrësit e interesuar të regjistrohen dhe të bashkohen me ne në Prishtinë këtë nëntor. Konferenca do të ofrojë mundësi të vlefshme për shkëmbimin e njohurive, rrjetëzimin profesional dhe bashkëpunimin, ndërsa paralelisht do të organizohet edhe Ekspozita Teknike, ku do të prezantohen teknologjitë, pajisjet, produktet dhe shërbimet më të fundit për sektorin e ujit dhe ujërave të ndotura.
Regjistrimi me tarifa të reduktuara (Early Bird) është i hapur deri më 30 shtator 2026.
SHUKALB dhe SHUKOS presin me kënaqësi abstraktet tuaja dhe ju mirëpresin në Prishtinë, më 3–5 nëntor 2026, për një tjetër takim të rëndësishëm të sektorit të ujit në rajon.