Elisabeta Poçi përfaqëson EWA në lançimin e Akademisë Evropiane të Ujit në Bruksel
7 Tetor, 2026
Elisabeta Poçi përfaqëson EWA në lançimin e Akademisë Evropiane të Ujit në Bruksel
Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, duke përfaqësuar Shoqatën Evropiane të Ujit (EWA) në cilësinë e Zëvendëspresidentes, mori pjesë në lançimin zyrtar të Akademisë Evropiane të Ujit (EUWA) në Bruksel, më 21 shtator 2026.
Akademia Evropiane e Ujit është një nismë kryesore nën përgjegjësinë e Strategjisë Evropiane për Qëndrueshmërinë ndaj Ujit (COM(2025) 280) që krijon një portofol mbarëevropian të programeve të trajnimit dhe zhvillimit të aftësive të etiketuara për një Evropë të qëndrueshme ndaj ujit. E udhëhequr nga Qendra e Përbashkët e Kërkimit (JRC), akademia synon të adresojë nevojat për kapacitete në sektorin e ujit të Evropës dhe të krijojë një urë lidhëse midis kërkimit dhe zbatimit të teknologjive në botën reale duke ofruar trajnime të avancuara, duke mbështetur inovacionin dhe duke nxitur bashkëpunimin midis aktorëve publikë dhe privatë në të gjithë Evropën.
Shoqata Evropiane e Ujit (EWA) ka qenë promotore e Akademisë Evropiane të Ujit që në fillim dhe ka kontribuar me “Kursin Hyrës mbi Politikën dhe Legjislacionin e BE-së për Ujërat”, duke u bërë kështu një nga “Kampionët e Parë” të Akademisë. Duke folur në emër të EWA, Elisabeta theksoi rëndësinë e investimit te njerëzit, krahas infrastrukturës, financimit dhe teknologjisë. Ajo nënvizoi potencialin e Akademisë për të lidhur politikat me praktikën, për të forcuar rrjetet profesionale ndërkufitare dhe për të ndërtuar mbi punën me trajnimet dhe zhvillimin e kapaciteteve që tashmë kryhet nga shoqatat e ujit, shoqëritë ujësjellës-kanalizime, universitetet dhe organizatat profesionale në të gjithë Evropën.
Për SHUKALB, pjesëmarrja e Elisabetës pasqyron angazhimin afatgjatë të Shoqatës në rrjetet evropiane dhe rajonale të sektorit të ujit, ndërsa Akademia Evropiane e Ujit ofron një mundësi të vlefshme për të lidhur më tej komunitetin shqiptar dhe atë më të gjerë të profesionistëve të sektorit të ujit në Ballkanin Perëndimor me njohuritë, ekspertizën dhe mundësitë e zhvillimit profesional evropian.
Lançimi gjithashtu vuri në pah kontributin e rajonit të Danubit në axhendën e të mësuarit të Akademisë. Katerina Schilling, Sekretare e Përgjithshme e IAWD, dhe Ivan Ivanov, President i Shoqatës Bullgare të Ujit, ishin ndër Ambasadorët e Parë të Akademisë Evropiane të Ujit, duke prezantuar Danube Learning Partnership (D-LeaP) dhe zbatimin e suksesshëm të Programit për Ujin Pa të Ardhura (Non-Revenue Water) në Bullgari.
Lançimi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve evropiane, organizatave të ujit, shoqërive ujësjellës-kanalizime, universiteteve, organizatave të kërkimit dhe teknologjisë, industrisë dhe profesionistëve të rinj të sektorit të ujit, duke nënvizuar një mesazh të përbashkët: forcimi i qëndrueshmërisë së Evropës në sektorin e ujit kërkon investim te njerëzit, aftësitë dhe njohuritë.