Arbana Kola, Menaxhere e Projektit IAM, Zgjidhet Anëtare e Komitetit Menaxhues të Grupit të IWA-së të Specialistëve të Menaxhimit Strategjik të Aseteve

SHUKALB me krenari njofton se Arbana Kola, Menaxhere e Projektit Menaxhimit i Integruar i Aseteve, është zgjedhur së fundmi Anëtare e re e Komitetit Menaxhues të Grupit të IWA-së të Specialistëve të Menaxhimit Strategjik të Aseteve për periudhën Nëntor 2021 – Nëntor 2024.

Grupi i Specialistëve të Menaxhimit Strategjik të Aseteve (SAM SG) është një grup për profesionistët e ujit për të punuar së bashku dhe për të shkëmbyer njohuri në drejtim të menaxhimit të aseteve infrastrukturore të shërbimeve të ujit urban në nivelet strategjike, taktike dhe operacionale, duke synuar arritjen e një ekuilibri midis performancës, riskut dhe kostos në terma afatgjatë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është angazhimi i vendeve në zhvillim dhe profesionistëve të rinj të ujit, si dhe promovimi i nismave rajonale.

Arbana Kola ka mbi 10 vjet përvojë profesionale në sektorin e ujit në Shqipëri, prej të cilave prej 8 vitesh ajo punon për SHUKALB, duke mbajtur pozicione të ndryshme kyçe në aktivitetet dhe projektet e SHUKALB dhe duke kontribuar ndjeshëm në ndikimin e SHUKALB në zhvillimin e sektorit të ujit në Shqipëri. Aktualisht, që prej muajit mars 2019, znj. Kola shërben si Menaxhere e Projektit Menaxhimi i Integruar i Aseteve (IAM), i cili po zbatohet nga SHUKALB.

“Gjatë gjithë kësaj kohe të zbatimit të Projektit IAM, unë e kam parë menaxhimin e aseteve si një komponent kyç për shoqëritë ujësjellës kanalizime dhe në të njëjtën kohë, shumë sfidues. Unë besoj fuqimisht se është thelbësore që shoqëritë UK të investojnë në ngritjen e kapaciteteve të stafit dhe prezantimin e zgjidhjeve moderne. Në këtë drejtim, nëpërmjet rolit tim në projektin IAM dhe si anëtare e Grupit të IWA të Specialistëve të Menaxhimit Strategjik të Aseteve, është angazhimi im të kontribuoj në rritjen e performancës së shoqërive UK dhe si rrjedhojë efiçencës së sektorit të ujit në Shqipëri”.