“PUNË PËR KOMUNITETIN”, Një Projekt në mbështetje të personave në nevojë dhe përmirësimit të shërbimeve të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime

Foto nga GIZ Albania

Qeveria Gjermane, përmes GIZ, ka nisur zbatimin e projektit: ‘Punë për Komunitetin’ në 12 Shoqëri Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri. “Punë për Komunitetin” është një ndërhyrje afatshkurtër që siguron punësim të përkohshëm për popullsinë më të prekur nga kriza. Qëllimi kryesor i këtij projekti është të ndihmojë atë pjesë të popullsisë të prekur më së shumti nga efekti ekonomik i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të mbështesë ujësjellësat në punën e tyre të përditshme, të vështirësuar kryesisht nga situata aktuale.

Foto nga GIZ Albania

Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime propozuan disa punime specifike të përshtatshme për t’u kryer nga personat e papunë të komuniteteve ku do të zbatohet projekti. Këto punime përfshijnë rehabilitimin e aseteve publike të ujësjellësave dhe infrastrukturës si: pastrimi i kanaleve të kullimit, puseve, kolektorëve, rezervuarëve, pastrimi i vegjetacionit dhe grumbullimi i mbeturinave në hapësira publike.

Pagesa e drejtpërdrejtë është metodologjia e përdorur në këtë projekt, duke u siguruar përfituesve të ardhura të menjëhershme për t’i shpenzuar për nevojat e tyre më prioritare.

Projekti ka impakt të trefishtë: u jep ndihmë ekonomike grupeve të margjinalizuara, duke siguruar që këta të fundit të jenë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre për ushqim, ndihmon ujësjellësat në punën e tyre, (sidomos gjatë sezonit të vështirë veror) dhe së fundmi injekton para në ekonominë lokale.

Foto nga GIZ Albania

Dymbëdhjetë shoqëritë UK të përfshirë në projekt janë ato të Shkodrës, Kukësit, Bulqizës, Cërrikut, Elbasanit, Korçës, Pogradecit, Vlorës, Lushnjë, Himarë, Sarandë dhe Delvinë, ndërsa numri i të punësuarve për një periudhë tre-mujore është 559 persona.

Prioritet i veçantë i është kushtuar punës në komunitet duke përfshirë grupet vulnerabël (të varfër dhe të papunë), me vëmendje të veçantë ndaj grave dhe integrimit të personave më aftësi të kufizuara.

Ky program nisi zbatimin në muajin gusht dhe do të zgjasë deri më 31 tetor 2021.