Çfarë mund të bëjnë operatorët e Shoqërive Ujësjellës Kanalizime në luftën kundër COVID-19
COVID-19 është bërë një shqetësim serioz global për shëndetin. Ndërmarrja e veprimeve për të ngadalësuar përhapjen dhe për të mbështetur shërimin nga sëmundja, do të shpëtojë jetë dhe do të zbusë ndikimin social dhe ekonomik nga kjo pandemi.
Aksesi ndaj shërbimit të sigurt të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve është thelbësor për higjenën e mirë që kërkohet për të ndaluar përhapjen dhe për të ulur ndikimin e virusit.
COVID-19 kalon përmes pikëlave të frymëmarrjes nga njerëzit e infektuar të cilat shpesh përhapen nga dora në gojë – kështu që larja e duhur, e rregullt e duarve, është mënyra më efektive për të zvogëluar transmetimin. Transmetimi fekal-oral është më pak i zakonshëm, por në zonat ku mungojnë shërbimet sanitare, mund të bëhet një vektor domethënës. Virusi Corona çaktivizohet nga trajtimi tipik i ujit që përfshin filtrimin dhe dezinfektimin, por mund të rezistojë në ujin e patrajtuar.
Ofruesit e shërbimeve ujësjellës dhe kanalizime (sistemet e vegjël, shoqëritë ujësjellës kanalizime dhe autoritetet lokale) mund të jenë të rëndësishëm për të ndaluar avancimin e COVID-it. Shoqëritë ujësjellës kanalizime duhet të punojnë ngushtë me zyrtarët lokalë të shëndetit dhe organet e tjera përkatëse për:
Promovimin dhe lehtësimin e praktikave të mira të higjienës, për shembull duke ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi në lidhje me transmetimin dhe kujdesin ndaj COVID-19 ose duke siguruar mbështetje materiale për larjen e duarve në zonat me rrezik të lartë.
Maksimizimin e aksesit ndaj ujit të pijshëm të sigurt, veçanërisht për komunitetet në nevojë. Mbajtja, ku është e mundur, e vazhdimësisë së shërbimit të ujit, trajtimit të duhur dhe konsiderimin e aksesit për të gjithë, duke siguruar që përballueshmëria nuk është asnjëherë pengesë. Për zonat ku nuk ka shërbim, mund të merren masa të përkohshme për të lehtësuar aksesin ndaj ujit të sigurt, ose për të lehtësuar trajtimin e ujit për banesat. Mos harroni se pa akses në ujë të pijshëm të sigurt, njerëzit janë në rrezik më të lartë për sëmundje të tjera që vijnë nga uji, duke i bërë njerëzit shumë më të ndjeshëm ndaj virusit.
Maksimizimin e aksesit në shërbimet sanitare të sigurta. Ndërkohë që një infrastrukturë e qëndrueshme e kanalizimeve nuk mund të ndërtohet brenda natës, masat për të minimizuar ndotjen nga fekalet për banorët dhe punonjësit e ujësjellës kanalizimeve, veçanërisht në komunitetet në nevojë, duhet të jenë prioritet.
Të sigurohen që njerëzit në nevojë të marrin vëmendje parësore. Të moshuarit dhe të sëmurët janë më të rrezikuar ndaj virusit, kështu që duhet të merret parasysh për të siguruar shërbime adekuate WASH (Ujë, Sanitet dhe Higjenë) në spitale dhe shtëpitë e kujdesit ndaj të moshuarve. Komunitetet me të ardhura të ulëta dhe vendbanimet joformale mund të jenë veçanërisht të ndjeshme ndaj përhapjes për shkak të grumbullimit të dendur të njerëzve dhe shërbimeve të papërshtatshme.
Mos harroni se punonjësit e ujësjellës kanalizimeve duhet të qëndrojnë të sigurt në mënyrë që ata të kenë mundësi të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre të rëndësishëm në mbrojtjen e të tjerëve. Sigurohuni që njerëzit që ndjehen të sëmurë, ose që kujdesen për të tjerët që janë sëmurë, mund të qëndrojnë në shtëpi pa rrezikuar jetesën e tyre. Për ata që punojnë në zonat e prekura, bëni kujdes që të siguroni pajisjet e duhura mbrojtëse.
COVID-19 nuk njeh kufij apo t’i diferencojë njerëzit nga origjina, kështu që operatorët e ujësjellës kanalizimeve duhet të qëndrojnë së bashku me komunitetet në vendet e tjera ku kriza mund të godasë më fort.
Operatorët e ujësjellës kanalizimeve mund të mbështesin vendet e prekura, në solidaritet me kolegët e tyre, për të siguruar shërbime thelbësore atje ku është më e nevojshme. Operatorët mund t’i ofrojnë njëri-tjetrit këshilla teknike dhe mbështetje në kapacitete, si nga distanca ose, kur nuk ka arsye për të udhëtuar, nga vendi i tyre. Nëse tashmë jeni i përfshirë në Partneritetin e Operatorëve të Ujit (WOP), konsideroni se si mund ta mbështesni partnerin tuaj një luajë rol të plotë në frenimin e përhapjes së virusit dhe minimizimin e ndikimit të tij.
Emergjencat si COVID janë kujtesë që ofruesit lokalë të shërbimeve ujësjellës kanalizime efektivë dhe rezilientë ndaj ndryshimeve, janë thelbësorë në ruajtjen e shëndetit dhe stabilitetit, veçanërisht në komunitetet e varfra. Për një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, Partneriteti i Operatorëve të Ujit mund të ndihmojë në forcimin e kapacitetit të shoqërive UK lokale për të frenuar kriza të tilla dhe për të mbrojtur komunitetet kur ato lindin.
Shënim: Artikulli i mësipërm është marrë nga faqja e internetit të Aleancës së Partneritetit Global të Operatorëve të Ujit (GWOPA *) dhe është përkthyer në shqip nga SHUKALB. GWOPA është një rrjet global i ofruesve të shërbimeve ujësjellës dhe kanalizime që ofron mbështetje midis kolegësh mbi baza vullnetare (jo për fitim). GWOPA është një iniciativë e UN-Habitat dhe mbështetet nga Qeveria e Gjermanisë.