SHUKALB pret dhe bashkëorganizon me sukses Forumin e Ujit të Danubit 2022

Pjesëmarrësit e Forumit të Ujit të Danubit 2022 (DWF)
Foto nga DWF

Ne në SHUKALB jemi të emocionuar që kemi qenë mikpritës dhe bashkëorganizator i Forumit të Ujit të Danubit 2022, me temë “Energjizimi i Sektorit të Ujit në Rajonin e Danubit”, mbajtur në Tiranë, në datat 28-29 qershor. Udhëtimi që filluam gati 10 vjet më parë nën Programin e Ujit të Danubit na ka çuar në një nivel tjetër zhvillimi si shoqatë, duke na ofruar programe të zhvillimit të kapaciteteve për shoqëritë UK tona anëtare nën D-LeaP, mundësi që ne si shoqatë të bëhemi më të fortë, dhe tani duke qenë në gjendje të presim një nga eventet më të rëndësishëm të Programit të Danubit, Forumin e Ujit të Danubit.

Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive, SHUKALB, gjatë Forumit të Ujit të Danubit 2022
Në të majtë Winston Yu, Menaxher i Praktikës, Praktika e Ujit, Evropë dhe Azi Qendrore, Banka Botërore, Austri
Foto nga DWF

Forumi filloi më 28 qershor pasdite, me Sesionin hapës: Uji dhe Energjia në Evropë, i cili mblodhi së bashku 200 persona nga qeveria qendrore dhe lokale, agjencitë rregullatore, shoqëritë ujësjellës kanalizime dhe shoqatat profesionale, si dhe akademia, nga të gjitha vendet në rajonin e Danubit dhe më gjerë. Pjesëmarrësit në sesionin hapës u përshëndetën nga Sh.S. Enkelejda Muçaj, Zëvendës Ministre, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, e cila u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve me krenari në Tirana Kryeqyteti Rinor Europian 2022, nga Elisabeth Gruber e Ministrisë së Financave të Austrisë, e cila ishte folësja e parë që iu drejtua Forumit online, nga Menaxher i Praktikës së Bankës Botërore, Winston Yu dhe nga Presidenti i IAWD, Walter Kling.

SHUKALB u përfaqësua në programin e Forumit nga Presidenti i tij, Petrit Tare dhe Drejtoresha Ekzekutive, Elisabeta Poçi. Znj. Poçi ishte përzgjedhur në disa role në Forum, si paneliste në sesionin “Vendosja e skenës: Tregu i Energjisë dhe Efektet në Shoqëritë UK në Rajonin e Danubit”; si kryetare e sesionit “Krijimi i një mjedisi mundësues për (ç) energjizimin e sektorit të ujit: Ndërtimi i kapaciteteve, politikat dhe rregulloret“, si dhe paneliste në Sesioni përmbyllës, më 29 qershor.

Z. Petrit Tare mbajti fjalën përmbyllëse në fund të Forumit të Ujit të Danubit 2022: Sesioni përmbyllës, më 29 qershor.

Panelistët në sesionin “Krijimi i një mjedisi mundësues për (ç) energjizimin e sektorit të ujit: Ndërtimi i kapaciteteve, politikat dhe rregulloret”. Nga e M në të D: Alba Zhori, Përgjegjëse e Sektorit të Performancës, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore; Klevis Jahaj, Drejtor i Përgjithshëm, AKUM; Evis Gjebrea, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme, Ujësjellës Kanalizime Tiranë; dhe Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive, SHUKALB

Foto nga DWF

Në Forum mori pjesë një delegacion i madh shqiptar i përfaqësuesve nga shoqëritë ujësjllës kanalizime, si dhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enti Rregullator i Ujit (ERRU), Agjencia Kombëtare e Ujësjellës -Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), Agjencia e Menaxhimit te Burimeve Ujore.. Folësit e tjerë shqiptarë, pjesë e Programit të Forumit ishin Ndriçim Shani, Kryetar, Enti Rregullator i Ujit dhe Gazmend Daci, Specialist i Lartë i Energjisë, Banka Botërore, të cilët ishin përzgjedhur si panelistë në sesionin “Vendosja e skenës: Tregu i Energjisë dhe Efektet në Shoqëritë UK në Rajonin e Danubit“; Eduart Rumani, Oficer i Programit Kombëtar në Ambasadën Zvicerane në Shqipëri, si panelist në sesionin “Financimi i masave të lidhura me energjinë në sektorin e shërbimeve të ujit”; Klevis Jahaj, Drejtor i AKUM, i cili mbajti një prezantim me temë “Programi i Modernizimit të Sektorit të Ujit në Shqipëri: Një qasje inovative për të arritur reformën e sektorit të ujit që ndodh një herë në jetë“, si dhe iu bashkua panelit në sesionin “Krijimi i një mjedisi mundësues për (ç) energjizimin e sektorit të ujit: Ndërtimi i kapaciteteve, politikat dhe rregulloret”; Evis Gjebrea, Zëvendës Drejtoreshë e Përgjithshme, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë dhe Alba Zhori, Përgjegjëse e Sektorit të Performancës, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, të cilat të dy u përzgjodhën si paneliste në sesionin “Krijimi i një mjedisi mundësues për (ç) energjizimin e sektorit të ujit: Ndërtimi i kapaciteteve, politikat dhe rregulloret”.

Paralelisht me Forumin, pjesëmarrësit patën mundësinë të takonin partnerët korporativ të eventit të cilët prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre më të fundit. Forumit iu bashkuan gjithsej 6 partnerë korporativë, Hidro Mentori Shpk dhe Novamat Shpk, të cilët janë anëtarë të SHUKALB, si dhe H2O Solutions, Siemens, Hydrophil dhe New IBNET.

Profesionistë të rinj të ujit nga Shqipëria dhe Kosova, pjesëmarrës në trajnimin me temë “Efiçenca e përdorimit të energjisë elektrike në sektorin e shërbimit të ujit në Shqipëri dhe Kosovë”
Foto nga DWF

Gjithashtu, para Forumit si një event më vete në 28 Qershor, u organizua trajnimi mbi Mentorimin e Profesionistëve të Rinj të Ujit (PRU) nga Shqipëria dhe Kosova mbi Efiçiencën e Energjisë, me titull “Efiçenca e përdorimit të energjisë elektrike në sektorin e shërbimit të ujit në Shqipëri dhe Kosovë”. Trajnimi mblodhi 15 PRU nga Shqipëria dhe Kosova, që përfaqësonin shoqëritë ujësjellës kanalizime, AKUM, ERRU, si dhe sektorin privat. Trajnimi u mbajt nga Pirro Cenko, Konsulent i pavarur.